E Diel, 1 Nëntor 2026

Kritikat për racizëm, KE tërheq nga transmetimi spotin publicitar

BRUKSEL- Komisioni Europian ka tërhequr nga transmetimi një spot publicitar të realizuar kohët e fundit, i transmetuar me qëllimin për të promovuar zgjerimin e BE-së dhe që i drejtohet të gjithë të rinjve europianë nga 16 deri në 24 vjec.

Videoja me titull “Të rritemi së bashku” është kritikuar fort sepse shumë e konsiderojnë si një video raciste. Kjo pasi spoti citon filmin “Kill Bill”. Një aktore e veshur më një tutë të verdhë, që të sjell në mendje Uma Thurman shumëfishohet në 12 klone, aq sa janë edhe flamujt e Bashkimit Europian, për të përballuar 3 luftëtarë të kombeve të ndryshme, një indian, një kinez dhe një brazilian. Në fund videoja mbyllet me sloganin: “Sa më shumë aq më të fortë jemi”.

Por pas kaq shumë kritikave dhe ankesave vetë Stefanio Sannino, Drejtori i Zgjerimit në KE, ka deklaruar se pavarësisht kostos së prodhimit prej 127 mijë eurosh, video do të tërhiqet. Sipas tij, ky spot nuk kishte aspak për qëllim të jetë racist dhe se atij i vjen keq që është perceptuar në këtë mënyrë.

“I kërkojmë falje cdokujt që mund të jetë ofenduar. Duke patur parasysh polemikat kemi vendosur të tërheqim videon dhe të ndalojmë menjëherë fushatën”, ka thënë Sannino.

Mijëra përdorues janë ankuar për spotin pas publikimit të tij në youtube, duke thënë se videoja promovon më shumë imperializimin dhe steriotipet e tij se sa fqinjësinë e mirë të BE.
(ma.ar/News24/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›