E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mustafa: LDK është kundër kësaj forme dialogu me Serbinë

PRISHTINË- Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa priti në takim të ngarkuarin e Ministrisë se Punëve të Jashtme të Gjermanisë për Evropën Juglindore, Turqinë dhe shtetet e EFTA-s, Nikolaus Graf Lambsdorff, me të cilin diskutojë për situatën politike në vend.

Kryetari Mustafa tha se LDK-ja asnjëherë nuk ka qenë kundër zhvillimit të dialogut me vendet fqinjë, e as kundër dialogut me Serbinë, por forma se si është zhvilluar ky dialog ka qenë e gabuar, prandaj edhe është kundërshtuar.

“Ne kemi vlerësuar se dialogu ka qenë i papërgatitur. Nuk janë përcaktuar objektivat e tij, cilat objektiva do të duhej të arriheshin. Nuk është përcaktuar axhenda, nuk janë ditur përfitimet që do të ketë Kosova, prandaj LDK-ja e ka kundërshtuar dhe ka ngritur zërin kundër kësaj forme të dialogut”, tha kryetari Mustafa, duke shtuar se dialogu Kosovë - Serbi është përcjellë nga një jotransparencë e plotë.

Kryetari Mustafa tha se, LDK-ja është për atë që të gjitha marrëveshjet e arritura në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë të kalojnë nëpërmjet Kuvendit të Republikës së Kosovës, si dhe të bëhet ratifikimi i tyre.

Ndërsa, Lambsdorff, sipas njoftimit për shtyp të dhënë nga LDK, tha se Kosova duhet të japë një shembull të mirë në Evropë dhe të tregojë se është e zonja t’i trajtojë me përgjegjësi temat që kanë të bëjnë me korrupsionin, krimin e organizuar dhe respektimin e ligjit.

Ai tha se, Gjermania përkrah Kosovën në rrugëtimin e saj për në BE dhe theksoi se shteti i tij është pro mbylljes së mbikëqyrjes se pavarësisë së Kosovës, sepse, siç tha ai, Gjermania mendon se institucionet e Kosovës janë të përgatitura për të përballuar sfidat e ndërtimit të shtetit.
(ma.ar/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›