Kritikët kundër rikandidimit të Ramës
30/08/2010 Kritikët e kreut të Partisë Socialiste, Edi Rama, e vlerësojnë si të gabuar rikandidimin e mundshëm të këtij të fundit në garën e ardhshme për postin e kreut të Bashkisë së Tiranës. Pas deklaratave të ardhura nga selia rozë, të cilat edhe pse jo në mënyrë të prerë nënkuptojnë ndërmarrjen e një hapi të tillë të kreut socialist, kanë ardhur dhe opinionet e kundërshtarëve të tij brenda këtij kampi. Kështu, deputeti socialist i pjesë e mendimit ndryshe në Partinë Socialiste, Marko Bello, vlerësoi se do të ishte më mirë që Edi Rama të mos rikandidonte për Bashkinë e Tiranës për herë të katërt. Në vlerësimin e tij, Bello i mëshoi faktit se kryesocialisti Edi Rama më mirë të fokusohet në drejtimin e partisë dhe përgatitjen e tij si Kryeministër i ardhshëm. “Do të preferoja një kryetar partie të fokusuar tek partia se sa tek Bashkia e Tiranës. Ky është mendimi im personal, dhe këtë do ta vendosin forumet dhe pa diskutim zoti Rama. Do të preferoja një kryetar që nesër do të ishte Kryeministër i vendit se sa kryetar bashkie sepse më duket sikur çfokusohet nga qëllimi kryesor që është fitimi i pushtetit jo për hir të pushtetit, por për të qeverisur më mirë Shqipërinë, siç pretendojmë ne si Parti Socialiste”, vuri në dukje Bello, gjatë prononcimit të tij për shtyp. Megjithatë, mbetet për t’u parë në një kohë tjetër se cili do të jetë vendimi i lidershipit socialist mbi një çështje të tillë, e cila nuk do të kalojë pa debate brenda radhëve të këtij kampi. Kjo për vetë faktin se mendimet mbi të janë të ndryshme, ku veç zërave kundër linjës zyrtare të PS-së, është dhe një pjesë e mirë e përfaqësuesve socialistë, të cilët e shohin si jo gjetur rikandidimin për një mandat të katërt të kreut Rama për Bashkinë e Tiranës. Ndërkohë që nga ana e tij kampi blu është i kushtëzuar pikërisht nga kandidati i PS-së për një post të tillë, për të bërë dhe ai zgjedhjen e duhur, për kandidaturën që do të përfaqësojë atë në këtë garë.