E Shtunë, 31 Tetor 2026

Task-Forcë nuk ecën dot me hetimet. Nuk sigurohen dokumentet e korrupsionit

30/08/2010 Prokurorët: Nuk ka dokumente për akuzat e Braçes e VokshitProkurorët e Task-Forcës kishin vendosur që dje të shkonin në të gjitha zyrat e administratës dhe kompanive private, për të shtënë në dorë të gjitha dokumentet e nevojshme, përmes të cilave do të mund të hetonin akuzat publike të bëra në drejtim të deputetes së Partisë Demokratike, Albana Vokshi, dhe kreut të socialistëve e njëkohësisht kryetarit të Bashkisë Tiranë, Edi Rama. Nga burime pranë këtij seksioni në akuzën e Tiranës mësohet se as dje nuk u arrit të shtihej në dorë ndonjë dokument që do të mund të shërbente sadopak në konkretizimin me fakte të akuzave politike. Kështu, me shpresën se deputetja Vokshi dhe deputeti socialist Erion Braçe do tu vinin në dispozicion materialet ku mbështesnin akuzat publike për përfshirje në afera korrupsioni apo abuzim me detyrën, dy prokurorët Valentin Preçi dhe Ardian Braha vendosën ta ngrinin siparin e hetimeve duke i pyetur së pari dy njerëzit e politikës. Por, më shumë se sa rikonfirmim të deklaratave politike, si Vokshi, ashtu dhe Braçe nuk dhanë ndonjë ndihmesë të madhe për organin hetimor. Në këtë mënyrë, hetuesit do të thellohen më tej në zyrat nga kanë dalë lejet koncesionare dhe lejet e ndërtimit. Marrja në duar e këtyre dokumenteve do të ndihmojë hetuesit të hedhin dritë mbi akuzat publike të bëra ndaj Vokshit, për fshehje të pasurisë apo përfitim të lejeve koncesionare nga biznesmeni Arian Tartari, me të cilin ajo bashkëjeton, si dhe akuzat e ndërsjella që Vokshi bëri ndaj kryesocialistit Rama për korrupsion me lejet e ndërtimit nga Bashkia e Tiranës. Prokurorët janë shprehur se do të sekuestronin çdo dokument të vlefshëm për hetimin. Veç Arian Tartarit, personit që bashkëjeton me deputeten Albana Vokshi, prokurorët do të pyesin dhe Dritan Avllajn, i njohur ndryshe si Tan Lepuri, i përfolur shumë gjatë ditëve të fundit për lidhje me kreun e opozitës. Deri më tani, në prokurori kanë dëshmuar vetëm deputetja demokrate, Albana Vokshi dhe socialisti Erion Braçe.

Akuzat e Vokshit

Deputetja e Partisë Demokratike, Albana Vokshi, paraqiti përpara mediave një kontratë bashkëpunimi midis bashkëjetuesit të saj Arian Tartari, biznesmenit Dritan Avllaj, i njohur ndryshe si Tan Lepuri dhe tre biznesmenëve të tjerë. Në këtë kontratë tregohet se 20 për qind të aksioneve të një kompanie i kalojnë zotit Avllaj në shkëmbim të ndërtimit të një godine në ambientet e një trualli. Mbi këtë bashkëpunim, zyrtarja demokrate ka ngritur akuzën se 20 për qind të aksioneve janë një formë ryshfeti për Bashkinë e Tiranës. Nga ana tjetër, burime nga bashkia e kryeqytetit bëjnë të ditur se në këtë institucion as është aplikuar dhe as është dhënë ndonjë leje ndërtimi për këtë pronë. Pasi kanë shqyrtuar të gjithë dokumentacionin që ndodhet në bashki, zyrtarët e këtij institucioni pohuan se bëhet fjalë për një marrëveshje mes dy personave (në rastin konkret Tartarit dhe Avllajt) që nuk ka asnjë lloj lidhje me Bashkinë e Tiranës. Por deputetja Vokshi ka insistuar se Tartari ka dhënë 100 milionë euro ryshfet për një lejë ndërtimi.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›