E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kritikohet Projektligji për skemat pensionale

Pensionistët kosovarë ndjehen të diskriminuar me pensionet që marrin, duke thënë se ato nuk i përmbushin as kërkesat elementare të ekzistencës. Në një tryezë të organizuar nga Grupi për studime juridike dhe politike, ata thanë se as projektligji i ri mbi skemat pensionale të financuar nga shteti, që ka kaluar në lexim të parë në Kuvend, nuk e ndryshon fare gjendjen.

Pensionistët nuk janë të kënaqur fare me gjendjen e tyre, sidomos me trajtimin që u bëhet pensionistëve që kanë paguar kontribute për Fondin e pensioneve.
Sekretari i Bashkimit të pensionistëve të Kosovës, Hasan Berisha, thotë se duhet të bëhet ndarje e drejtë mes atyre që kanë kontribuar dhe pensioneve sociale.
Pensionistët nuk janë të kënaqur as me projektligjin e ri për skemat pensionale të financuara nga shteti, që ka kaluar në lexim të parë në Kuvend.

Kryetari i Sindikatës së Trepçës, Ramadan Ademi, thotë se ky projektligj është diskriminues ndaj disa kategorive.

Deputeti i Vetëvendosjes Liburn Aliu, anëtar i Komisionit parlamentar për punë dhe mirëqenie sociale tha se pensionistëve u është bërë presion që ta pranojnë projektligjin e ri në shkëmbim të rritjes së pensioneve. Ai tha se nevojitet solidariteti në mes të gjeneratave që të zgjidhet problemi i krijimit të një fondi adekuat pensional, dhe kritikoi një nen të projektligjit të ri, raporton RTK.

“Në momentin kur vendi ynë mund të jetë eventualisht në një krizë financiare atëherë qeveria ka të drejtën që t`i ndaloj pensionet, t`i ndaloj ndihmat nga skema sociale e kështu me radhë në emër të kursimeve”, tha Aliu.

Përfaqësuesi i Ministrisë së punës dhe mirëqenies sociale, Sami Salihu, paraqiti një historik të sistemit pensional, para dhe pasluftës në Kosovë. Kurse, Erëza Pula nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike, duke prezantuar raportin mbi sistemin e pensioneve në Kosovë, tha se për t`i plotësuar nevojat e pensionistëve, pensioni bazik duhet të jetë së paku në nivelin e pagës minimale në Kosovë, apo të jetë i bazuar në shkallën 50 apo 60 % të pagës mesatare në Kosovë.

Ndryshe, në Kosovës janë 175 mije e 399 mijë pensionistë të të gjitha kategorive, kurse deri në muajin nëntor, numri i kontribuuesve në trustin e kursimeve pensionale ka arritur në rreth 261 mijë. /Indeksonline/
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›