E Shtunë, 31 Tetor 2026

INSTAT: Në dhjetor, inflacioni 1.7 për qind

Kreu i INSTAT

Rritja e çmimeve që bëhej në fundvit, që shpesh reflektohej dhe në një shifër inflacioni më të lartë, duket se nuk është përsëritur për dhjetorin e vitit 2011. Instituti i Statistikave, në raportin e publikuar lidhur me Indeksin e Çmimeve të Konsumit për muajin e fundit të vitit të kaluar, vlerëson se inflacioni ishte vetëm 1.7 për qind. “Çmimet e konsumit në muajin dhjetor shënuan një rritje prej 1.0 përqindësh krahasuar me muajin e mëparshëm. Ndryshimi vjetor i IÇK në muajin dhjetor është 1.7 për qind. Një vit më parë ky ndryshim ishte 3.4 për qind”, thuhet në njoftimin e INSTAT-it. Duke qenë se në muajin e fundit të vitit rritet jashtëzakonisht edhe konsumi, rritjes nuk i kanë shpëtuar ushqimet, përfshirë këtu zarzavatet dhe frutat. “Indeksi i grupit ‘ushqime dhe pije joalkoolike’ shënoi një rritje prej 2.3 përqindësh. Brenda këtij grupi, rritja me e madhe prej 14.6 përqindësh vërehet në nëngrupin ‘zarzavate, përfshirë patatet’. Çmimet janë rritur edhe në disa nëngrupe të tjera të grupit të ushqimeve, ku mund të veçojmë rritje në nëngrupin ‘fruta’ me 2.3 për qind, ‘qumësht, djathë e vezë’ 1.3 për qind, ‘peshk’ 1.0 për qind”, vlerëson INSTAT.

Dollapi: Rritja e çmimit të ujit, e pamjaftueshme

Sahit Dollapi

Rritja e çmimit të ujit vetëm me 27%, e cila ka hyrë në fuqi më 1 janar, krijon probleme me financat e Ndërmarrjes së Ujësjellës-Kanalizimeve të Tiranës. Drejtori i saj, Sahit Dollapi, e ka cilësuar të pamjaftueshme këtë shtesë, ndërsa propozimi i bërë Entit Rregullator të Ujit ishte të paktën 60%. Sipas tij, vendimi i ri nuk i cenon buxhetet e familjeve dhe bizneseve. Tarifa e ujit të pijshëm shkon nga 33 lekë në 45 lekë, ujë me shumicë nga 10 lekë në 12 lekë për metër kub, largimi i ujërave të ndotura nga 10 lekë në 11 lekë për metër kub. Janë ngritje jo të mëdha. E konsiderojmë jo të mjaftueshme për ndërmarrjen tonë, por është një rritje e përballueshme nga qytetarët, ka deklaruar Dollapi. Ai shtoi se do të bëhen ndërhyrje në rrjet pasi Tirana ka një rrjet të amortizuar. Vjedhjet janë një tjetër problem për financat e kompanisë. Këtë vit synimet janë që niveli humbjeve të arrije në 60 për qind, është shprehur Dollapi. Kryeqyteti dhe periferia e saj furnizohen aktualisht nga tri vendburime të ujit. Burimi i Shën Mërisë ka një kapacitet prej 700 litrash në sekondë, ai Selitës ka një kapacitet maksimal prej 620 litrash në sekondë, ndërsa nga Bovilla sasia maksimale është prej 420 litrash në sekondë.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›