E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kriza, Barroso lavdëron masat e marra nga Papandreu


Presidenti i Komisionit Europian Hoze Manuel Barroso tha se situata ekonomike në Greqi është shumë më e qetë gjatë javëve të fundit si rrjedhojë e asaj që ai e përkufizoi përpjekje të mrekullueshme të qeverisë greke. Barroso u takua me kryeministrin grek Jorgo Papandreu në Bruksel për bisedime mbi ekonominë e dobësuar greke. Barroso tha se Greqia është në rrugën e duhur për të arritur objektivin e saj për të shkurtuar defiçitin me 4 përqind këtë vit. Ai tha se nuk mund të ketë krijim të vendeve të reja të punës apo mirëqënie sociale nëse borxhi vazhdon të dalë jashtë kontrollit. Ai tha se përpjekjet për të shkurtuar defiçitin nuk janë të nevojshme për Bashkimin Europian, por për popullin grek, për pensionet, shkollat dhe spitalet e tyre. Kryeministri Papandreu tha se Greqia preferon një zgjidhje europiane të problemeve por nuk ka përjashtuar mundësinë e kërkesës për ndihmë nga Fondi Monetar Ndërkombëtar. Ai tha se Greqia e detyruar të marrë hua nga tregjet ndërkombëtare me interesa shumë të larta është një çështje morale, veçanërisht kur qytetarët grekë duhet të shkurtojnë pagat.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›