Pahor ne Beograd për t'u takuar me presidentin Tadiç
Kryeministri slloven Borut Pahor, mbrëmë ka kryer një vizitë të paparalajmëruar në Beograd, ku është takuar me presidentin serb Boris Tadiç. Sipas mediave sllovene, Pahor ka tentuar që me ndihmën e eurokomisionerit për Zgjerim, Shtefan Fyle, të bindë Tadiç-in që të marrë pjesë në konferencën për Ballkanin Perëndimor, që duhet të mbahet të shtunën në Bërdo të Sllovenisë. Presidenti serb refuzon pjesëmarrjen, pasi në konferencë janë ftuar edhe përfaqësuesit më të lartë shtetërorë kosovarë. Tadiç kërkon që Kosova të prezantohet në pajtim me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.