E Diel, 1 Nëntor 2026

Kriza Berisha - Topi, të fshehtat e bisedimeve

 

Presidenti i Republikës nuk tërhiqet nga dekretet e firmosura. PD kërkon me ngulm që të mos kalojnë dy prej tyre

TIRANË- Dekretet për emërimin e 5 anëtarëve të Gjykatës së Lartë nuk kanë kthim pas. Presidenti i Republikës, Bamir Topi e ka thënë fjalën e tij përmes firmosjes së pesë anëtarëve të Gjykatës së Lartë, konkretisht gjyqtarëve Altina Xhoxhaj, Medi Bici, Artan Zeneli, Zamir Poda dhe Kristaq Traja. Dekretet e Presidentit prej ditësh qëndrojnë në zyrat e Kuvendit, ndërkohë që kreu i shtetit duket se nuk do të tërhiqet, pavarësisht kontestimeve që PD ka për dy prej anëtarëve të dekretuar. Duket se i vetmi qëndrim që PD mund të mbajë, tashmë, është përmes votës, pra të shprehet “po” ose “jo”, ndaj dhe negociatat e filluara nuk do të nxjerrin gjë në dritë. Pëlqimin e kandidaturave përmes votës e ka sqaruar edhe vetë Presidenti i Republikës, Bamir Topi, teksa është pyetur për një vendim të Gjykatës Kushtetuese, ku thuhet se, “për emërimin e gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë, Kuvendi ka kompetencë të shqyrtojë jo vetëm përmbushjen e kritereve formale, por edhe meritën e emërimit të tyre”. Pikërisht përmes këtij vendimi, PD pretendon se presidenti Topi duhet të zhvillojë negociata paraprake me dy forcat kryesore politike në vend, kërkesë kjo që në fakt duhet të ishte bërë nga partia në pushtet para se Topi të miratonte dekretet për Gjykatën e Lartë. Për këtë arsye, dy ditë më parë, kryeministri Sali Berisha, në mungesë të një komunikimi të vazhdueshëm me Topin, dërgoi Astrit Patozin dhe Ilir Banon për negociata. Dy të “dërguarit” i kërkuan Topit që të tërhiqej për dy emra gjyqtarësh, Kristaq Kraja dhe Zamir Poda, lëvizje të cilën Presidenti duket se nuk do ta ndërmarrë, për sa kohë që edhe dje në zyrën e Presidencës, nuk pati një takim të dytë mes Topit e Patozit. Jo zyrtarisht, PD ka paralajmëruar se nuk do të votojë 2 nga 5 dekretet e Topit, pasi, sipas tyre, ata kanë edhe shumicën në Kuvend për ta bërë. Por një situatë e tillë, jo vetëm që do të nxjerrë në pah përplasjen e parë konkrete mes dy institucioneve, por edhe pakënaqësitë e aleatëve ndaj PD-së. Demokristianët që përfaqësohen me 8 deputetë në Kuvend, kësaj herë do të mbështesin dekretet e Topit.

Partia Socialiste

Ndërkohë, Partia Socialiste nuk kërkon të ndërhyjë në kompetencat që Kushtetuta i ka dhënë Presidentit. Zyrtarë të lartë të PS-së, janë shprehur se këtë ngërç e rregullon më së miri neni 111, pika 6 e Rregullores së Kuvendit, ku thuhet se, “në rastet kur në Kushtetutë parashikohet dhënia e pëlqimit nga Kuvendi, Kryetari i Kuvendit ia kalon kërkesën Komisionit për Çështje Ligjore, Administratës Publike dhe të Drejtat e Njeriut, i cili brenda 7 ditëve shqyrton nëse kandidaturat i plotësojnë kriteret ligjore”. Edhe pse dekretet e Presidentit Topi kanë mëse dy javë që janë depozituar në Kryesinë e Kuvendit, ende Komisioni i Ligjeve nuk është mbledhur për të dhënë pikërisht “pëlqimin” e tij rreth gjyqtarëve të dekretuar. Socialistët shprehen se qëndrimi duhet të jepet pikërisht në këtë komision dhe se është Kuvendi ai që e zgjidh, përmes votës pëlqimin ose jo për dekretet.

Gjykata e Lartë

Bllokimi i dekreteve ka sjellë një handikap të madh edhe në funksionimin e vetë Gjykatës ë Lartë. Aktualisht, në Gjykatën e Lartë ushtrojnë funksionin vetëm 10 gjyqtarë, nga 17 që përmban organika e institucionit, ose e thënë ndryshe, një kolegj civil dhe një penal, të përbërë nga pesë gjyqtarë. Pikërisht, këta 10 gjyqtarë që janë në detyrë u kanë dhënë përparësi vendimeve që lidhen me masat e sigurisë, transferimit apo edhe rigjykimit të çështjeve, por nuk mund të merren me gjykimin në themel të çështjeve me rëndësi, për shkak të mungesës së kuorumit me të paktën 13 gjyqtarë, nga 17 që janë gjithsej.

Gjykata e Lartë në detyrë :

Perikli ZAHARIA, anëtar, dekretuar më 6 qershor 2000

Spiro SPIRO, anëtar, dekretuar më 2 tetor 2001

Irma BALA, anëtar, dekretuar më 9 prill 2001

Evgjeni SINOMERI, anëtar, dekretuar më 2 maj 2001

Shpresa BEÇAJ, anëtar, dekretuar më 23 mars 2004

Besnik IMERAJ, anëtar, dekretuar më 17 shkurt 2005

Ardian DVORANI, anëtar, dekretuar 17 shkurt 2005

Gani DIZDARI, anëtar, dekretuar më 15 qershor 2005

Fatos LULO, anëtar, dekretuar më 15 nëntor 2005

Ardian NUNI, anëtar, dekretuar më 4 prill 2007

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›