Pasuria, Sherefedin Shehu anëtar në disa borde
TIRANË- Pavarësisht premtimit dhe deklaratave të kryeministrit Sali Berisha për zvogëlim të qeverisjes dhe shpenzimeve në administratë, buxheti i shtetit, ashtu si edhe më parë, vazhdon të mbetet “shporta” ku njerëzit e veshur me pushtet arrijnë të plotësojnë jo vetëm të gjitha nevojat e tyre financiare, por edhe të krijojnë pasuri të paluajtshme. Dhe kjo, jo vetëm nëpërmjet të ardhurave nga rrogat e larta për detyrën që kryejnë, por edhe nga pjesëmarrja formale në një seri bordesh drejtuese të shoqërive me kapital shtetëror. Përveç këshilltarëve të Kryeministrit, edhe drejtues të tjerë të lartë ekzekutivë, deri në rangun e zëvendësministrave, rezultojnë të jenë pjesë e këshillave drejtues, pavarësisht nëse kanë njohuri apo lidhje me aktivitetin që ato kryejnë. Kështu, duke marrë shkas nga deklarata e një dite më parë e bërë nga ministri i Brendshëm, Bujar Nishani, në Kuvendin e Shqipërisë, se ndryshe nga më parë, në qeverinë e djathtë nuk ka asnjë individ që të jetë i dypunësuar, kërkuam në mënyrë zyrtare në Inspektoratin e Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive, vetëdeklarimin e vetëm njërit prej zëvendësministrave të mazhorancës aktuale. Bëhet fjalë për deklaratën e pasurisë së numrit dy të Ministrisë së Financave, Sherefedin Shehu, i cili së bashku edhe me bashkëshorten e tij Dashurie Shehu, rezultojnë që gjatë tre viteve të qeverisjes së djathtë, kanë qenë ose janë anëtarë të disa bordeve drejtuese, nga ku dhe kanë marrë ose marrin ende të ardhura të konsiderueshme, çka si rrjedhojë u ka sjellë një rritje të konsiderueshme të pasurisë së tyre të luajtshme dhe të paluajtshme. Ndërsa deri në fillim të qeverisjes socialiste, familja Shehu kishte të ardhura monetare që vinin vetëm rrogat respektive të tij dhe bashkëshortes, si dhe nga qiraja e një magazine, menjëherë pas ndryshimit të pushtetit dhe emërimit të tij si Zëvendësministër, burimet e të ardhurave shumëfishohen.
Kështu, përveç të ardhurave e tij si zëvendësministër, Shehu merr të ardhura nga pjesëmarrja në bordin e INSIG-ut në shumën e 45 mijë lekëve, të ardhura nga pjesëmarrja në bordin e Fondit Shqiptar të Zhvillimit në shumën e 20 mijë lekëve. Por nuk mjafton me kaq, pasi edhe gruaja e tij, përveç të ardhurave si e punësuar në Drejtorinë e Parandalimit të Pastrimit të Parave për vitin 2005, merr dhe 80 mijë lekë të reja si e punësuar në Postën Shqiptare. Burimet e të ardhurave shtohen përsëri në vitin 2006, pra në vitin e dytë të qeverisjes, ku përveç të ardhurave në masën e 1.5 milionë lekëve nga puna dhe shpërblime si Zëvendësministër, ai arrin të marrë 4200 euro të ardhura nga pjesëmarrja në bordin e INSIG-ut në Maqedoni. Ndërkohë që siç ka pohuar vetë në deklaratën e pasurisë, ai merr të ardhura edhe nga pjesëmarrja në një sërë bordesh dhe komisionesh të tjera. Të ardhurat e tij, për këtë vit, shtohen me 1 milionë lekë edhe nga paga dhe shpërblimet e gruas në ALBAPOST dhe INSTAT, dhe me 180 mijë lekë nga pjesëmarrja e saj në bordin e ALBKROM. Ndërsa në vitin e tretë të qeverisjes, përveç pagës dhe shpërblime në shumën e 1.5 milionë lekëve, ka marrë 8400 euro nga pjesëmarrja në bordin e INSIG-ut në Maqedoni. Ndërkohë përsëri për këtë vit vijon të deklarojë pjesëmarrjen në një sërë bordesh dhe komisionesh të tjera, por pa i specifikuar ato. Edhe për këtë vit, gruaja e tij, përveç rrogës, ka marrë edhe 193 mijë lekë nga pjesëmarrja në bordin e ALBKROM. Megjithatë, duket se rasti “Shehu” përbën vetëm njërin prej rasteve të shumta, ku zëvendësministrat e mazhorancës së djathtë janë pjesëtarë bordesh në shoqëritë me asete publike, pasi gazeta “Shekulli” do të botojë në vijim edhe pasuritë e zv-ministrave të tjerë.
Pasuria e Sherefedin Shehut deri në vitin 2005
Apartament banimi me sipërfaqe 181 metra katrorë. Blerë 31 mijë dollarë
Apartament pushimi me sipërfaqe 35 metra katrorë. Blerë 1.3 milionë lekë
Magazinë me sipërfaqe 940 metra katrorë, vlera e së cilës është deklaruar 3.9 milionë lekë
Makinë “Tojota” me vlerë 15 mijë dollarë
Depozitë bankare me vlerë 800 mijë lekë
Kredi në shumën e 35 mijë dollarëve, për 20 vjet me interes 2 për qind.
Shtesat për vitin 2005
Të ardhurat nga puna dhe shpërblime si Zëvendësministër në shumën e 1.5 milionë lekëve
Të ardhura nga pjesëmarrja në bordin e INSIG-ut në shumën e 45 mijë lekëve
Të ardhura nga pjesëmarrja në bordin e Fondit Shqiptar të Zhvillimit në shumën e 20 mijë lekëve
Të ardhura nga puna e gruas në Drejtorinë e Parandalimit të Pastrimit të Parave në shumën e 34 mije lekëve.
Të ardhura nga paga e punës së gruas në Postën Shqiptare në shumën e 80 mijë lekëve.
Shtesat për vitin 2006
Të ardhurat nga paga e gruas në ALBAPOST dhe INSTAT në shumën e 1 milionë lekëve
Të ardhura nga pjesëmarrja në bordin e INSIG-ut në Maqedoni, me 4200 euro
Të ardhurat e tjera nga pjesëmarrja në borde dhe komisione në shumën e 200 mijë lekëve
Të ardhura nga pjesëmarrja e gruas në bordin e ALBKROM në shumën e 180 mijë lekëve
Shtesa për 2007
Depozitë bankare në emër të gruas në shumën e 200 mijë lekëve
Blerje 3 mijë metra katrorë tokë në Lundër me çmimin 45 mijë euro
Makinë “Ford” e vitit 2007 e blerë me 13500 euro
Paga dhe shpërblime për gruan nga INSTAT me 912 mijë lekë
Të ardhura nga pjesëmarrja në bordin e INSIG-ut në Maqedoni në masën e 8400 eurove
Të ardhura nga pjesëmarrja në komisione dhe borde të tjetra në masën 200 mijë lekëve
Të ardhura nga pjesëmarrja e gruas në bordin e ALBKROM në shumën e 194 mijë lekëve
Interesa nga depozita bankare 149 mijë lekë
Qira nga magazina në pronësi 720 mijë lekë