E Diel, 1 Nëntor 2026

Kriza, Berisha: Dy ofertat e mia për opozitën

Deklarata Kryeministri: Të shkojë në Gjykatën Kushtetuese ose të ulet në komisionin hetimor parlamentar

Kryeministri Sali Berisha ofroi dje dy zgjidhje për opozitën me qëllim plotësimin e kërkesave të tyre dhe për kthimin në normalitet të situatës politike në vend. Në mbledhjen e grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Kryeministri theksoi se fillimisht ai i sugjeronte kryetarit të Partisë Socialiste, Edi Rama, që të vlerësonte propozimin e Byrosë së Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës, një institucion ky mbi palët politike. Në këtë kuadër, Berisha e ftoi Ramën t’i drejtohej Gjykatës Kushtetuese dhe Strasburgut në lidhje me kërkesën për hapjen e kutive të votimit të zgjedhjeve të kaluara. Por sipas Berishës, nëse Ramës nuk i pëlqente ky variant, atëherë PS kishte mundësinë që të bëhej pjesë e komisionit hetimor parlamentar, i cili është ngritur në Kuvend. Sipas Berishës, PS duhet të jetë e sigurt që në këtë komision do t’i jepet kryetari dhe shumica. “U çudita shumë kur mora vesh se në Bruksel, një miku im atje më tha se këtu na thuhet se nuk i është dhënë as kryetari dhe as shumica. Jo - i thashë, i nderuar mik - i është dhënë edhe kryetari dhe shumica”, tregoi Berisha. Sipas Kryeministrit, ky komision dhe mjetet e tjera që mund të përdoren nga opozita do të sigurojnë transparencën e çdo kërkese. “Me komisionin të hetojmë çdo gjë, të bëjmë transparencën për çdo gjë, në përputhje me ligjet e vendit, të cilët mundësojnë deklasfikimin e çdo dokumenti. Një pjesë të çështjeve që dalin direkt ta ndjekin anëtarët e komisionit, pjesën tjetër që dalin me fakte, prokuroria e vendit”, deklaroi Berisha. Sipas tij këto dy rrugë ishin të vetmet që ai mund të ofronte në lidhje me zgjidhjen e situatës politike në vend. Po kështu kreu i qeverisë theksoi se ai nuk e kishte pasur asnjëherë parim në jetën e tij politike të ndërhyjë në vendimet e gjykatave të vendit. Më herët, kreu i qeverisë, gjatë përurimit të një shkolle 9-vjeçare në komunën Xhavzotaj deklaroi se në vend nuk kishte krizë ekonomike dhe ajo ishte vetëm në kokën e disa personave. “Lërini mënjanë gjyzlykët e kuq! Lërini mënjanë ato dhe shihni Shqipërinë. Nuk them se Shqipëria është parajsa, por ajo ka ritme zhvillimi më të larta se çdo vend tjetër, ka shpresë dhe optimizëm më të madh se çdo vend tjetër”, nënvizoi Berisha në fjalën e tij përpara banorëve të zonës. Sipas tij, ndërsa çdo ditë flitet për krizën, në vend, dyfishohen eksportet, rriten të ardhurat. “Si ka mundësi të rriten me 40 për qind numri i bizneseve të regjistruar gjatë katër muajve të parë të këtij viti në krizë; se si ka mundësi që qeveria të rrisë rrogat dhe pensionet jo vetëm për një kategori të veçantë, por të 800 mijë shqiptarëve”, konstatoi Berisha, duke shtuar se rrogat dhe pensionet do të rriten më 1 korrik të këtij viti. Sakaq, Berisha deklaroi se arsimi duhet të ishte prioritar në programin e qeverisë.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›