E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vërejtje teknike dhe parimore

Në ndryshimet e parashikuara në projektligj, cenohet neni 3 i ligjit për arsimin e lartë ku parashikohen parimet bazë, të cilat garantojnë autonominë e institucioneve të arsimit të lartë dhe pikërisht pikën 2 germa “a” dhe “c”.

Projekti jo vetëm që nuk i rregullon si duhet ciklet e studimit, por krijon anomali lidhur me diplomat dhe programet e studimit. Për sa u përket diplomave, thjesht ndryshohet emërtimi i tyre për ciklin e parë dhe të dytë të studimeve. Por nga ana tjetër, ky ndryshim edhe pse formal sjell efekte substanciale lidhur me raportin që krijohet me diplomat e lëshuara më parë dhe që do të lëshohen deri në përshtatjen e programeve.

Projekti sjell ndryshim thelbësor lidhur me hapjen, mbylljen dhe riorganizimin e programeve të studimeve duke e përcaktuar këtë si një kompetencë të ministrit të Arsimit dhe Shkencës, dhe jo të Këshillit të Ministrave siç parashikon ligji në fuqi. Vlerësojmë se raporti që krijohet sipas ligjit në fuqi midis IAL-ve dhe Këshillit të Ministrave garanton më mirë lirinë akademike dhe autonominë institucionale sesa ai që propozohet në projektligj.

Prishen ekuilibrat e marrëdhënieve të punës nëpërmjet ndryshimeve të pjesshme në ligj, krahasuar me format dhe procedurat e parashikuara përgjithësisht në legjislacionin e punës në fuqi, ku IAL-et duhet të kenë më tepër fleksibilitet në këtë drejtim.

Projektligji në nenin 33 paragrafi i fundit bën të pavlefshme diplomat “Master i Nivelit të Dytë” të fituara deri tani, si dhe studimet universitare që janë në vazhdim dhe që janë hapur me vendime të Këshillit të Ministrave. Veç kësaj mendojmë se ky rregullim mund të pasjellë edhe një reagim të fortë të fituesve të këtyre diplomave dhe të studentëve aktualë.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›