Artistët kundër grevës, vijojnë nënshkrimet
Numri i intelektualëve dhe artistëve që firmosin kundër grevës së urisë së ndërmarrë nga deputetët e Partisë Socialiste dhe simpatizantët e tyre vjen duke u rritur. Kundër grevës së PS-së kanë firmosur edhe emra të njohur në vend si Avni Mula, Bujar Kapexhiu, mjeku Halim Kosova, Zamir Ndroqi, Jera Kruja dhe disa personalitete të tjera. Në letrën e tyre, personalitetet theksojnë se greva e PS mund të bëhet penguese për realizimin e ëndrrës së shqiptarëve për të lëvizur të lirë në vendet e Bashkimit Europian. Sipas tyre, vetëflijimet nuk janë kurrë të hijshme. Po kështu ata i kërkojnë kryetarit të PS-së, Edi Rama, që të mos lejojë që Shqipëria të kthehet në gazin e botës. Mes emrave të artistëve që nënshkruan këtë deklaratë janë shkrimtari Fatos Kongoli, aktoret Margarita Xhepa dhe Tinka Kurti, dhe artistë të tjerë si Irini Qirjako, Dhimitër Orgocka, Mirush Kabashi.
#