E Shtunë, 31 Tetor 2026

EULEX-i paralajmëron arrestime

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Hajredin Kuçi, tha të premten në çagllavicë se Qeveria e Kosovës është mbrojtëse e popullsisë serbe në veri. Sipas tij, policia do të ndërhyjë ndaj atyre që përpiqen të prishin qetësinë dhe cenojnë integritetin territorial të Kosovës.

Kuçi akuzoi Serbinë se po pengon mirëqenien dhe integrimin e serbëve të Kosovës. “Ne e dimë që shumica e qytetarëve serbë atje e duan rendin dhe ligjin dhe se ata nuk janë të përfshirë në veprime kriminale. Shumica e qytetarëve serbë e jetojnë jetën e lirë, të barabartë dhe nuk duan të jenë të getoizuar, për hir të raporteve Kosovë-Serbi, apo të raporteve të disa të tjerëve të cilët në emër të një patriotizmi, identifikohen me veprime kriminale, të cilat do të ballafaqohen me ligjin” ka thënë Kuçi.

Ndërkohë, zëvendësshefi i Misionit të EULEX-it, Roj Rivs, ka shprehur besimin se Kosova dhe Serbia do të afrohen pas mendimit këshillëdhënës të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë. Ai ka paralajmëruar se së shpejti do të ketë arrestime pas hetimeve të kryera gjatë ditëve të fundit për kriminalitet në veri të Kosovës dhe në pjesët e tjera të saj.

“Shumë shpejt do të ndodhin arrestime në Kosovë”, u shpreh njeriu i dytë i EULEX-it, Roj Rivs, gjatë debatit. Ai shtoi se hetimet e filluara nga EULEX-i shumë shpejt do të rezultojnë me arrestime. Përfaqësuesi i misionit europian në Kosovë tha se misioni nuk do të ndalet për të luftuar korrupsionin në çdo vend dhe në çdo pjesë, ku hetimet tregojnë se ka pasur korrupsion.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›