Kriza, Gorbacov: Qeveria të ndërhyjë

Ish-udhëheqësi sovjetik, Mikhail Gorbaçov është shprehur përmes një shkrimi të publikuar në gazetën "International Herald Tribune" se ndërhyhrja e qeverisë është e vetmja rrugë për rimëkëmbjen e ekonomisë botërore pas 30 vjetësh të një ndikimi shumë të vogël të shtetit në ekonominë kombëtare të vendeve të ndryshme. Gorbaçovi iu drejtohet liderëve të grupit të 20 vendeve të zhvilluara dhe atyre në zhvillim, të cilët do të takohen në samitin e Londrës më 2 prill. "Për nga rëndësia e saj, kjo detyrë është e njëjtë me sfidën e shmangies së katastrofës nukleare me të cilën u përballëm në fund të viteve '80", tha Gorbaçov, i cili është nderuar me Çmimin Nobel për rolin e tij në nënshkrimin e traktateve të armëve me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Gorbaçov thekson se tërheqja e shtetit nga jeta ekonomike e një vendi, ide e zhvilluar dhe aplikuar nga ish-presidenti amerikan Ronald Regan dhe ish-kryeministrja britanike Margaret Theçer, krijoi një flluskë të madhe financiare që tashmë ka shpërthyer. "Edhe pse ndodhi kështu, ende vazhdojmë të dëgjojmë ata të cilët ende besojnë në fuqinë magjike të tregjeve të parregulluar. Por sot njerëzit nuk presin më përgjigje nga ky grup", shprehet Gorbaçov në komentin e tij. "Ata presin që udhëheqësit e tyre të veprojnë, dhe ata duhet të përdorin mjetet e ndërhyrjes së qeverisë. Asnjë rrugë tjetër nuk është më e vlefshme. Dua të shpresoj që krerët e qeverive, si ata të G20-ës që do të takohen në Londër në prill për të diskutuar lidhur me krizën financiare, do të arrijnë t'i zgjidhin këto çështje urgjente dhe të vendosin themele të forta që do të qëndronin gjatë dekadave të ardhshme", përfundon ish-udhëheqësi sovjetik.