“Mjeshtër i Madh” për Bujar Qamilin
Ditën e djeshme, në ambientet e Pallatit të Brigadave, Presidenti i Republikës, Bamir Topi, ka dekoruar me Urdhrin “Mjeshtër i Madh”, këngëtarin e njohur të muzikës popullore dhe asaj qytetare shkodrane, Bujar Qamili. Pas ekzekutimit të Himnit Kombëtar dhe leximit të dekretit të dekorimit nga sekretari i Përgjithshëm, Aleksandër Flloko, Topi i ka dhënë Qamilit urdhrin e lartë dhe dekretin përkatës në shenjë vlerësimi “Për interpretimin me mjeshtëri të lartë artistike të këngëve popullore shqiptare dhe në veçanti të atyre shkodrane”. Duke e falënderuar presidentin për respektin e lartë, Qamili tha se “ndihem shumë i gëzuar, shumë i emocionuar dhe tepër i respektuar. Është një nga ditët më të gëzuara në jetën time, sepse sot vetë Presidenti i Republikës më dekoron me Urdhrin e lartë ‘Mjeshtër i Madh’. Kjo do të thotë që z. president nuk është vetëm admirues i sportit, por edhe i këngës shkodrane dhe i gjithë shkodranëve”.
Berisha takon Maria Grazia Kuçinotën
Aktorja dhe producentja e njohur italiane, Maria Grazia Kuçinota, e ndodhur në vendin tonë me rastin e xhirimeve të një projekti të përbashkët filmik mes Kosovës dhe Italisë, është pritur dje në një takim nga kryeministri Berisha. Kuçinota është shprehur se mbetet shumë e kënaqur nga bashkëpunimi me artistët shqiptarë gjatë këtij projekti dhe se është e gatshme që shumë shpejt, në rolin e saj si producente, të vijë sërish në Shqipëri dhe të realizojë projekte të reja. Më tej, Berisha, duke vlerësuar kontributin e aktores jo vetëm në kinemanë italiane, por edhe atë botërore, me mbi 60 filma në role protagoniste dhe bashkëpunime me regjisorët e njohur si Woody Allen, Spike Lee, Ridley Scott etj., shtoi se “qeveria shqiptare do të mbështesë përherë e më shumë projekte serioze që do të ndihmojnë zhvillimin e artit skenik dhe kinematografisë në Shqipëri, duke vlerësuar se filmi është një transitor shumë i rëndësishëm i kulturës dhe dashurisë mes popujve dhe që ka një rol me peshë në edukimin e brezave të rinj”.
18 Dhjetor 2008