Aktorja dhe këngëtarja shqiptare flet pas promovimit të klipit të ri, “Santa Baby”
Aktorja dhe këngëtarja shqiptare në Nju Jork, Laureta Meçi, e njohur për pjesëmarrjen e saj në filmat amerikanë “Shadow kill”, “Stargate”, “Battle Star Galactica” dhe “Andromeda”, ka provokuar sërish publikun me videoklipin e saj të ri “Santa Baby”, ndërkohë ajo që pohon se së shpejti (brenda 2009-s), do ta shohim protagoniste në serialin e dytë të filmit “Shadow kill”, që është tashmë në fazën e postproduksionit. Brenda pak kohësh qytetarja e Kuçovës, emigrantja e ardhur nga Greqia, u bë fillimisht ikonë e produkteve kozmetike në të gjithë Amerikën, për të kaluar më tej në një karrierë të mirë në fushën e aktrimit dhe muzikës. Ekspertët e kinematografisë e kanë identifikuar talentin e saj në Amerikë dhe kulmi i suksesit u vulos me filmin “Shadow kill”. Me interpretimin në këtë film Laureta është ajo që ka pushtuar aktualisht kinematë amerikane. Në një kohë gati 10-mujore, pasi me shumë sukses mbaroi së incizuari këngën “Respect me”, Laureta është paraqitur me një tjetër videoklip të quajtur “Santa Baby”, kompozuar nën atmosferën e Krishtlindjeve. Sa i përket serisë së dytë të filmit “Shadow kill”, Laureta tregon se ngjarjet e filmit zhvillohen përafërsisht në vitin 2100, koha kur dy superfuqitë botërore, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Europa, luftojnë për dominim global. “Ushtria e kloneve, në të njëjtën kohë mundohet të fitojë pavarësinë nga shteti amerikan dhe karakteri im, përveç misioneve të ndryshme, i udhëheq klonet drejt pavarësisë së tyre”, – thotë Meçi.
B. Sina
18 Dhjetor 2008