E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rregullorja e Kuvendit, pikat e perplasjes mes PD-se dhe PS-se

Argumentet e PS-së kundër ndryshimit të votimit të dekreteve. Amendamentet që propozon PD-ja për Rregulloren e Kuvendit

Eljona Ballhysa
Propozimet për ndryshimin e Rregullores së Kuvendit do t’i vënë sërish përballë dy partitë kryesore në vend, PS-në dhe PD-në, në mbledhjen e Këshillit të Rregullores dhe Mandateve që do të mbahet ditën e hënë. Pritet që në këtë mbledhje, dy partitë të vazhdojnë debatin mbi amendamentet e paraqitura nga deputetët demokratë Fatos Hoxha, Arenca Trashani, Ilir Bano dhe Viktor Gumi për votimin e hapur në Kuvend për dekretet e Presidentit në rastin e emërimit të anëtarëve të Gjykatës së Lartë dhe asaj Kushtetuese. Por ky propozim, që parashikon heqjen e votimit të fshehtë në Kuvend, është kundërshtuar ashpër nga deputetët socialistë. Ata e konsiderojnë këtë si një përpjekje e demokratëve për të vënë nën presion deputetët dhe për të kontrolluar me urdhër politik emërimet në institucionet e pavarura. Ky ndryshim në Rregulloren e Kuvendit propozohet në një moment kur Presidenti i Republikës ka dekretuar tre emra të rinj për vendet vakante në Gjykatën e Lartë. Këto dekrete pritet të shqyrtohen së shpejti nga Kuvendi i Shqipërisë. Për këtë arsye mendohet se janë propozuar amendamentet për ndryshimin e Rregullores së Kuvendit, çka do të kundërshtohet ashpër gjatë mbledhjes së Këshillit të Rregullores. Ndërkaq, deputetët, anëtarë të Këshillit, janë konsultuar dhe me rregulloret e parlamenteve të vendeve të ndryshme për të parë se çfarë praktike ndjekin në rastin e votimit të dekreteve të presidentit për emërimin e anëtarëve të institucioneve kushtetuese.
Amendamentet
Në draftin e paraqitur për ndryshimin e Rregullores së Kuvendit, deputetët e PD-së kanë sqaruar arsyet. Sipas tyre, amendamentet synojnë votimin e hapur për dekretet e Presidentit që lidhen me emërimin e anëtarëve të Gjykatës së Lartë dhe asaj Kushtetuese dhe rritjen e afatit që ka në dispozicion Kuvendi për shqyrtimin e këtyre kandidaturave. “Projektvendimi ka për synim paraqitjen e dy amendamenteve, të cilat synojnë të përmirësojnë veprimtarinë e Kuvendit në një prej funksioneve më të rëndësishme të tij, atë të marrëdhënies së Kuvendit me dekretet e Presidentit të Republikës, ndërmjet të tjerave edhe me dhënien e pëlqimit për anëtarët e Gjykatës së Lartë dhe asaj Kushtetuese.
Ndryshimi i parë parashikon që dekretet e Presidentit të Republikës të votohen në formën e votimit të hapur. Një votim të tillë parashikon në rastin e miratimit të përbërjes së Këshillit të Ministrave, të ministrave që emërohen dhe shkarkohen pas këtij momenti dhe për projektligjin e buxhetit të shtetit. Nëse për çështjen e ministrave bëhet votim i hapur, nuk ka arsye që për rastet e dekreteve të Presidentit për kandidatët e Gjykatës së Lartë dhe asaj Kushtetuese të ndiqet një formë tjetër votimi. Votimi i hapur gjithashtu sjell dhe një efekt në lidhje me transparencën e procesit dhe gjithashtu siguron që publiku të njohë shprehjen e vullnetit politik të Kuvendit në mënyrë të qartë dhe pa ekuivoke, sikundër një raport i tillë është vendosur për përbërjen e Këshillit të Ministrave ose për ministrat”, - shkruhet në relacionin që i bashkëlidhet projekt-propozimit të PD-së.
“Amendamenti i dytë ka si synim të reflektojë një mangësi praktike të evidentuar, ku koha në dispozicion të Komisionit për Çështjet Ligjore të jetë më e gjerë për të mundësuar një seancë dëgjimore më të plotë dhe më cilësore. Është e kuptueshme që kandidatëve në këtë rast mund t’u jepet më tepër kohë për përgatitje në seancën që ata kanë me këtë komision, ashtu sikundër edhe Komisioni mund të komunikojë me organet përkatëse për të krijuar një bindje më të thellë për meritën e kandidaturave të përzgjedhura. Gjithashtu, një ndryshim i tillë harmonizon afatin kohor të shqyrtimit të dekretit përkatës me afatin e vendosur në nenin 86 të Rregullores, i cili gjithashtu ka të bëjë më shqyrtimin e dekreteve të Presidentit të Republikës nga Kuvendi”, - sqarojnë deputetët e PD-së.
Kundërshtimi
Por, menjëherë pas depozitimit në Kuvend të draftit nga deputetët e PD-së, ka ardhur reagimi kundër i kryetarit të Grupit Parlamentar të PS-së, Gramoz Ruçi. Nëpërmjet një letre dërguar kryetares së Kuvendit, Ruçi, në emër të Grupit Parlamentar të PS-së, kundërshton propozimet e deputetëve demokratë. Sipas tij, votimi i hapur i dekreteve të Presidentit synon kontrollin politik të deputetëve dhe ndikimin në përzgjedhjen e emrave të këtyre dy gjykatave të rëndësishme. “Propozimi në fjalë (sidomos fshirja e pikës 2 të nenit 58), i shpjeguar edhe në relacionin shoqërues, synon të eliminojë përfundimisht votimin e fshehtë në lidhje me dhënien e pëlqimit nga Kuvendi për këto funksione kushtetuese. Kjo përbën një devijim thelbësor të parimeve të gjithëpranuara, por edhe të sanksionuara në këtë rregullore (neni 60), sipas së cilës, votimi për personat është gjithmonë i fshehtë. Dhunimi i këtij parimi synon ushtrimin e presionit ndaj deputetëve për të imponuar një qëndrim politik në lidhje me emërimet e mundshme në organet kushtetuese. Nuk është rastësi që ky propozim vjen në kohën ku Presidenti i Republikës ka sjellë disa dekrete për miratim dhe të tjera presin të vijnë. Në realitet ju kërkoni të përsëritni të njëjtin skenar si me rrëzimin e kandidaturës për Gjykatën Kushtetuese, jo më në bazë të kritereve profesionale e ligjore, por në bazë të urdhërimit politik të frymëzuar nga parime dhe ide që Gjykata Kushtetuese dhe mendimi i përparuar europian i konsideron të papranueshme për kohën dhe stadin e zhvillimit të Shqipërisë. Duke pasur frikë në moskontrollin politik të votave të deputetëve tuaj në kohën që opozita është në Kuvend, ju sillni propozime të tilla thellësisht antidemokratike që nuk ndihmojnë, por rrënojnë shtetin e së drejtës”, - ka shkruar Ruçi, i cili kërkon që amendimet e Rregullores t’i nënshtrohen më parë një debati më të gjerë profesional, përfshirë edhe asistencën e partnerëve ndërkombëtarë. “Çdo këmbëngulje në iniciativën tuaj, duke neglizhuar haptazi kërkesat e Rregullores dhe amenduar me urgjencë dhe në mënyrë të njëanshme këtë akt të rëndësishëm, është një minim që i bëhet klimës së nevojshme për një parlament demokratik, aq më tepër që në këtë moment po bëhen përpjekje edhe me një angazhim serioz të partnerëve tanë ndërkombëtarë për daljen nga kriza politike që ka mbërthyer vendin prej 10 muajsh. Veprime të kësaj natyre, që shkelin Kushtetutën dhe ligjet e vendit, janë përditë e më shumë hapa në drejtim të kundërt me integrimin e vendit duke thelluar krizën e demokracisë, drejtësisë dhe ekonomisë”, - përfundon letra që Ruci i ka dërguar Topallit.

Rregullorja
Neni 58
Votimi i hapur
1. Votimi i hapur bëhet me ngritjen e dorës ose nëpërmjet mjeteve elektronike.
2. Votimi bëhet përherë i hapur në rastet e miratimit të programit politik dhe të përbërjes së Këshillit të Ministrave, të shqyrtimit të dekretit të Presidentit të Republikës për emërim dhe shkarkim ministri, të votimit të Buxhetit të Shtetit ose të projektligjeve financiare që kanë lidhje të drejtpërdrejtë me të.

Amendamenti
Në nenin 58, pika 2 hiqen fjalët “për emërim dhe shkarkim ministri”.

Neni 111 pika 6
6. Në rastet kur në Kushtetutë parashikohet dhënia e pëlqimit nga Kuvendi, kryetari i Kuvendit ia kalon kërkesën Komisionit për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut, i cili e shqyrton atë dhe harton raportin përkatës brenda tri javëve. Kuvendi shqyrton kërkesën për dhënien e pëlqimit në seancë plenare brenda një jave nga data e paraqitjes së raportit të Komisionit për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut dhe, nëse kërkohet nga të paktën një kryetar grupi parlamentar, zhvillohet debat për të.

Amendamenti
Në nenin 111, pika 6, fjalët “brenda tri javëve” ndryshohen në “brenda 8 javëve”.

Tri dekretet e Topit për Gjykatën e Lartë që presin shqyrtimin e Kuvendit

Nuk dihet ende se cili do të jetë fati i tri dekreteve të reja të presidentit Topi kur ato vijnë në tryezën e politikës në kulmin e një debati për ndryshimin e Rregullores së Kuvendit, pikërisht për mënyrën e votimit të dekreteve. Ajo që dihet është se kandidatët për anëtarë të Gjykatës së Lartë, që janë: Mehdi Bici, Sokol Çomo dhe Vexhi Muçmata, do të kalojnë në dy prova, në atë të PD-së dhe në atë të PS-së, e cila tani do të jetë e pranishme në Kuvend. Pritet që kandidaturat, ashtu si dhe herët e tjera, të nxitin debate politike. Ndërkaq, një prej dekreteve është rrëzuar më parë nga maxhoranca. Mehdi Bici është dekretuar gati dy vjet më parë nga presidenti Topi si anëtar i Gjykatës së Lartë dhe ka marrë 86 vota kundër të PD-së për shkak se kreu i shtetit nuk u konsultua me Kuvendin për dekretimin e anëtarëve të Gjykatës së Lartë. Mehdi Bici shënon një karrierë të gjatë si gjyqtar në Gjykatën e Faktit në Tiranë, më pas ka mbajtur postin e gjyqtarit në Gjykatën e Apelit. Ai ka gjykuar procese të bujshme dhe njihet si gjyqtar që nuk ka marrë asnjë masë disiplinore.
Dekreti tjetër i presidentit është Sokol Çomo, i cili ka një karrierë të gjatë, prej më shumë se një dekade në Gjykatën e Faktit të Tiranës. Ka qenë për shumë vite nënkryetar i kësaj gjykate. Njihet si një gjyqtar që nuk ka marrë masa disiplinore dhe është marrë si me çështje civile, ashtu dhe me çështje penale.
Presidenti ka dekretuar Vexhi Muçmatën si anëtar i Gjykatës së Lartë. Muçmata ka një karrierë të gjatë si prokuror i rrethit të Tiranës. Është jurist i njohur, me një karrierë të suksesshme. Pritet që të tre kandidatët të zhvillojnë seanca dëgjimore në Komisionin Parlamentar të Ligjeve dhe më pas të kalojnë për votim në seancë parlamentare. Ajo që ende nuk dihet është se kur do të fillojë shqyrtimi i tyre, para apo pas ndryshimit të Rregullores së Kuvendit.

7 Qershor 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›