E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha në Berlin: “Qeveria është e gatshme për të punuar me opozitën”



Kryeministri Sali Berisha, gjatë fjalës së mbajtur në takimin e 27-të ndërkombëtar mbi sigurinë globale në Berlin të Gjermanisë, duke iu referuar situatës politike, shprehu gatishmërinë e qeverisë për të bashkëpunuar me opozitën. Ai tha se është i gatshëm për të bërë gjithçka për t’i dhënë garancitë më të mira opozitës. “Pas zgjedhjeve të kaluara opozita u zhgënjye nga rezultati. Ajo bojkotoi Parlamentin për disa muaj, por tani u kthye dhe qeveria është gati të bëjë gjithçka për të punuar së bashku. Unë jam i gatshëm të bëj gjithçka për t’i dhënë garancitë më të mira opozitës. Ky është një detyrim moral për mua”, - tha Berisha. Ndërsa përsa u përket zgjedhjeve, kryeministri theksoi dhe njëherë se ato ishin zgjedhjet më të mira në vend dhe se u mbajtën në bazë të një ligji konsensual ku u pranua shumica e propozimeve të opozitës.
“Pa dyshim unë mbetem i përkushtuar ndaj idealeve të mia të para në jetën time politike, të cilat ishin shumë të thjeshta: votë e lirë, fjalë e lirë. Në zgjedhjet e 28 qershorit 2009 qeveria bëri më të mirën për një proces të lirë dhe të ndershëm. Këto zgjedhje ishin unike në historinë e vendit tim. Ato u mbajtën në një situatë totalisht të ndryshme, me një teknologji totalisht të re, lista dixhitale votuesish, pasaporta biometrike dixhitale e karta identiteti. Unë vendosa të pranoj çdo propozim të opozitës dhe kisha të drejtë. Pyetjeve të bashkëpunëtorëve të mi iu përgjigja se detyra e qeverisë sime është t’i jap siguri të plotë opozitës. Kështu, ne futëm një ligj plotësisht konsensual, rregulla dhe instruksione në këto zgjedhje dhe të drejtën e vetos për çdo komisioner, çdo observues. Unë jam shumë i bindur se si qeveri duhet të bëjmë çdo gjë që t’i japim sigurinë më të mirë opozitës”, - është shprehur kryeministri. Më pas ai garantoi se qeveria shqiptare është e vendosur të bëjë çdo përpjekje për të përmbushur kërkesat e NATO-s. “Shqipëria është duke u përpjekur për të përmbushur detyrën e saj në Afganistan e Gjeorgji. I premtova sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s se ne do të angazhohemi për trajnimin e forcave policore afgane, po sigurojmë 100 bursa për studentët afganë dhe do të ndërtojmë 8 shkolla atje. Unë jam thellësisht i bindur, - përfundoi kryeministri, - se mënyra se si NATO-ja zgjeroi rolin e saj në misionet e lirisë, do të jetë një drejtim për të ardhmen e saj gjithmonë e më shumë globale”, - është shprehur Berisha gjatë fjalës së tij. Përsa i përket rrugës së Shqipërisë drejt integrimit në BE, Berisha tha se qeveria po punon për përmbushjen e detyrimeve ndërsa pret liberalizimin e plotë të vizave.
“Pas zgjedhjeve, ministrat e BE-së votuan për Shqipërinë për të hapur negociatat për statusin kandidat. 2284 pyetje iu dhanë vendit tim, të cilave ne iu përgjigjëm, ia dërguam Komisionit Europian dhe tani po presim për vlerësimin e tyre. Në mes të muajit maj, Këshilli i Komisionerëve të BE-së vendosi të rekomandonte heqjen e vizave për Shqipërinë. Pa dyshim, ne bëmë çdo gjë për të përmbushur çdo standard. Dhe ky ishte gjithashtu një motiv shumë i madh për vendin tim. Kështu, rruga jonë nuk ishte kurrë një rrugë e lehtë dhe pa dyshim, nuk ka gjasa të jetë një bulevard, por unë mund t’ju them se është një rrugë e sigurt, e vështirë dhe e suksesshme. Ne jemi të përkushtuar për ta ndjekur këtë rrugë”, - është shprehur kreu i qeverisë shqiptare.

PD: Rama po përpiqet të krijojë një krizë imagjinare

Partia Demokratike ka sulmuar ashpër kryetarin e Partisë Socialiste, Edi Rama, duke e akuzuar atë dhe mbështetësit e tij si përfaqësues të ish-komunistëve. Ndërsa turin që Rama ka nisur nëpër rrethe të ndryshme të vendit, PD-ja e ka cilësuar si turin e krizës. “Edvin Kristaq Kriza apo Edvin 2K nisi turin e ri të krizës, në të cilin nga mëngjesi deri në darkë, krizën e tij të thellë shpirtërore dhe dramën e madhe psikologjike pasi nuk e shëroi dot me ndryshimin e statutit sipas të cilit kryetari i Partisë nuk ikën kur humbet zgjedhjet, përpiqet ta shndërrojë në krizë imagjinare për Shqipërinë dhe shoqërinë shqiptare”, - u shpreh zëdhënësja e selisë blu, Mëhilli, duke iu referuar takimeve që ka nisur kryetari i PS-së në bazën socialiste. Mëhilli shtoi se në krizë nuk është vendi, por kryetari i PS-së dhe “bllokmenët e rinj që s’dini ku t’i fshihni pasuritë e grabitura e plaçkitura duke shfrytëzuar barbarisht pushtetin që mbani”.

7 Qershor 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›