E Diel, 1 Nëntor 2026

Xhons: Integriteti i Kosovës, i paprekshëm

PRISHTINE- “SHBA-të e mbështesin integritetin territorial të Kosovës”,kështu deklaroi sot zv. Ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit, Stjuart Xhons, duke komentuar strategjinë për integrimin e veriut.
Zoti Xhons ka qëndruar në Prishtinë, ku ka zhvilluar takime me presidentin Sejdiu, kryeministrin Thaçi dhe ministrin e Jashtëm, Hyseni.

Xhons, tha se SHBA-të, bashkë me autoritetet e Prishtinës, po punojnë për të gjetur zgjidhje mbi problemet, me të cilat po përballet Kosova. Ndërkaq nuk ka kaluar pa u përmendur edhe tema më e diskutueshme e këtyre ditëve, strategjia për integrimin e veriut.

“Ne biseduam për të gjitha çështjet, me të cilat përballet Kosova. Ne, është e qartë se e mbështesim integritetin territorial të Kosovës dhe po punojmë për të gjetur zgjidhjen”, tha Stjuart Xhons, pas takimit me presidentin Fatmir Sejdiu dhe ministrin e Jashtëm, Skënder Hyseni.

Xhons, në një prononcim shumë të shkurtër për media, e cilësoi vizitën e tij në Kosovë si një vizitë që synim ka konsultimet e zakonshme me udhëheqësit e Kosovës.

“Kam ardhur për konsultimet tona rutinë me udhëheqjen e Kosovës. Jam shumë i kënaqur të jem këtu. Kishim diskutime të shkëlqyeshme me presidentin dhe me ministrin e Jashtëm, Hyseni”, tha Xhons.

Në anën tjetër, presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, u tha gazetarëve se sërish ka marrë mbështetjen e shtetit amerikan për të gjitha proceset, që po zhvillohen në Kosovë.
(e.n/rel/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›