Kriza: PS fton FMN. PD, jemi OK!
Në kushtet e krizës ekonomike, socialistët tregojnë rrugën e zgjidhjes. Asambleja Kombëtare e kësaj partie miratoi dje një rezolutë e cila përmban disa propozime që sipas socialistëve do të shërbejnë për të kaluar sa më lehtë situatën e vështirë ekonomike që do të arrijë kulmin gjatë vitit 2010. Njëkohësisht, kreu i PS, njoftoi dje ngritjen e një strukture të re e cila do të quhet Këshilli Ekonomik Kombëtar dhe ka për detyrë të ndjekë nga afër zhvillimet ekonomike në vend. Veç të tjerash, ai do të përbëhet nga ekspertë ekonomie të grupit parlamentar dhe nga shoqëria civile. Socialistët parashikojnë një sërë masash në fushën e politikave fiskale, politikave monetare dhe politikave të përgjithshme qeveritare. Bashkangjitur, Asambleja paraqiti edhe një model të zhvillimit të ekonomisë duke u mbështetur te standardet europiane. Për katër orë me radhë, socialistët diskutuan gjerë e gjatë për krizën ekonomike, duke u fokusuar te fusha kryesore e saj, situatën aktuale, arsyet e krizës dhe pasojat. Në mbledhje referuan ekspertë të ndryshëm të ekonomisë, të grupit parlamentar dhe anëtarë të ndryshëm të Asamblesë Kombëtare. Në planin më të afërt, PS propozon që qeveria të rivendosë sa më parë marrëdhëniet me Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe t‘i kërkojë këtij të fundit një kredi si një formë për të përballuar krizën. Ndër të tjera, PS kërkon ndërhyrjen e Bankës së Shqipërisë për uljen e normës së interesit. Në fushën e politikave fiskale, rezoluta propozon rishikim të buxhetit të 2010, normalizim të marrëdhënies me biznesin, ulje të përkohshme të taksës mbi biznesin, 12-18 muaj. Në fushën e politikave monetare, socialistët propozojnë që BSH-ja të shohë mundësi për të lehtësuar likuiditetin dhe mbështetjen për monedhën vendase. Në fushën e politikave të përgjithshme qeveritare PS kërkon transparencë për treguesit financiarë të vendit, të ftohet menjëherë Fondi Monetar Ndërkombëtar për nënshkrimin e një marrëveshjeje të posaçme me Shqipërinë. "Të kërkohet mbështetje financiare për daljen nga kriza, të korrigjohen marrëdhëniet dhe vendimet me pushtetin vendor, të korrigjohen vendimet për biznesin e vogël, të bëhet distancimi i pushtetit nga monopolet, të hartohet dhe zbatohet një paketë masash të posaçme për nxitjen e investimeve të mirëfillta", thuhet në rezolutën e miratuar. Opozita propozon të garantohet mbrojtja ligjore e pronës private dhe respektimi i titujve të pronësisë, të rishikohet vendimi për rritjen e çmimit të energjisë elektrike. Ndërsa kreu i PS-së, Edi Rama, pasi bëri një përmbledhje të gjatë të situatës në vend në të gjithë sektorët shëndetësi, ekonomi, arsim, bujqësi, akuzoi se përgjegjës është Kryeministri i papërgjegjshëm, Sali Berisha, që shtoi pasojat e krizës duke shtuar borxhet dhe duke lënë vendin në errësirë pa marrë asnjë masë antikrizë. "Viti 2010 do të jetë viti i përshfaqjes së plotë të krizës ekonomike në Shqipëri, të cilën ne e kemi paralajmëruar, por kambana jonë dhe e ndërkombëtarëve nuk u dëgjua nga qeveria. Viti 2010 do të jetë viti i pagesës së faturave të papërballueshme që po ia lë trashëgim kjo qeveri. Viti 2010 do të jetë një vit i krizës ekonomike e projektuar me kohë me rritje ekonomike pa prodhim të qeverisë", nënvizoi kreu socialist. Rama bëri të ditur sesa është shtrirë kriza në vend, por edhe në ç‘mënyrë u kanoset kjo krizë familjeve shqiptare për vitin 2010. Rritja e çmimit të energjisë, zhvleftësimi i lekut, ulja e dërgesave të emigrantëve, toka e papunuar dhe braktisja e fshatit, mosrritja e pensioneve etj., ishin disa nga problemet që Rama ka ngritur para anëtarëve të Asamblesë së partisë së tij. Paraprakisht, ekspertët e ekonomisë brenda selisë rozë bënë një paraqitje të problemeve ekonomike.
A.Thomollari
A.Thomollari