E Shtunë, 31 Tetor 2026

Infarkt nga alkooli, vdes në rrugë endacaku



TIRANE - Një endacak rreth 36 vjeç u gjet i vdekur mbrëmë në trotuarin para një banke te kryqëzimi i “21 Dhjetorit” në Tiranë. Policia u njoftua nga kalimtarët, të cilët kanë parë një person që u rrëzua në tokë dhe nuk lëvizi më. Burime nga policia thanë se një patrullë e Komisariatit Nr.2 ka shkuar në vendin e ngjarjes dhe pasi ka verifikuar personin, ka konstatuar se ai nuk kishte shenja jete. Sipas dëshmitarëve që kanë parë ngjarjen, viktima sapo kishte blerë një sufllaqe në një “Fast-Food”, ngjitur me bankën dhe po largohej duke ngrënë, ndërkohë që i ngatërroheshin këmbët, derisa u rrëzua përtokë. Viktima nuk ka lëvizur më, duke rënë në sytë e dëshmitarëve, të cilët menjëherë lajmëruan policinë. Trupi i pajetë i endacakut është transportuar menjëherë në morgun e Tiranës dhe dyshohet se vdekja e tij ka qenë nga shkaqe natyrore, e nxitur nga konsumimi i pijeve alkoolike. Grupi hetimor ka bërë edhe identifikimin e viktimës, që sipas policisë, është shtetasi Dashnor Leka, i moshës 36 vjeç, endacak, i cili qëndronte kryesisht në zonën e “21 Dhjetorit”, deri tek Ura Teknologjike. Sipas mjekëve ligjorë, Leka ka gjetur vdekjen si pasojë e një infarkti të shkaktuar nga konsumimi i pijeve alkoolike.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›