KLD emëron 24 gjyqtarë në rrethe
Fatos Mahmutaj
Këshilli i Lartë i Drejtësisë emëroi dje 24 gjyqtarë në Tiranë, Durrës dhe Shkodër. Emërimet u vendosën mesditën e djeshme nga KLD-ja, institucion i cili ka transferuar gjyqtarë nga rrethet e tjera drejt Gjykatave të Faktit në Tiranë e Durrës, por nuk kanë munguar as emërimet e inspektorëve të KLD-së si gjyqtarë. Burime nga mbledhja pohuan se në zbatim të dekretit të Presidentit të Republikës, Bamir Topi, për caktimin e vendeve vakante në Gjykatat e Tiranës dhe Durrësit dhe plotësimin e tyre, dje u shqyrtuan rreth 300 kërkesa të gjyqtarëve nga rrethet e tjera, për t’u transferuar në këto gjykata. Mbledhja filloi mëngjesin e djeshëm dhe vazhdoi për disa orë me radhë, kur u shqyrtuan njëra pas tjetrës kërkesat e gjyqtarëve, nga të cilat u përzgjodhën 19 prej tyre, ndërsa pesë emra të tjera u përzgjodhën nga inspektorati i KLD-së. Burime nga mbledhja pohuan se gjatë shqyrtimit të kërkesave të gjyqtarëve midis anëtarëve të KLD-së nuk pati debate, ndërsa përzgjedhja e kandidatëve u bë në bazë të CV-ve, vlerësimeve të tyre në punë si dhe përvojës. Tashmë, emërimet e tyre të bëra sipas vendimit të djeshëm të KLD-së kanë hyrë në fuqi dhe këta gjyqtarë kanë nisur marrëdhëniet financiare me institucionet e reja, ndërsa u duhet të bëjnë dorëzimin e zyrave dhe dosjeve nëpër institucionet ku kanë punuar deri tani. Po kështu, burime të tjera nga KLD-ja pohuan se, emërimi i 24 togave të zeza kanë qenë pikat e rendit të ditës të mbledhjes së djeshme. Kjo për faktin se Gjykata e Shkallës së Parë e Tiranës përballon rreth 70% të punës së gjyqësorit shqiptar dhe se gjyqtarët kryeqytetas, për të përballuar këtë fluks pune, detyrohen që të zhvillojnë deri në 13 procese gjyqësore gjatë një dite pune. Për shkak të ngarkesës, gjyqtarët kryeqytetas janë detyruar shpeshherë që të shtyjnë seancat gjyqësore deri në një muaj më vonë për çështjet penale, ndërsa civilet deri në 6 javë. Ndërkohë, emërimi i 12 gjyqtarëve të rinj në kryeqytet është caktuar me dekretin e kreut të shtetit disa muaj më parë, kur u përcaktua kompetenca territoriale dhe organika e Gjykatës së Tiranës. Po kështu, në të njëjtin dekret është përcaktuar që në fund të vitit 2012 numri i togave të zeza në kryeqytet do të jetë 70. Edhe Gjykata e Durrësit është nja nga institucionet e drejtësisë, që vitet e fundit është përballur me ngarkesë pune, duke detyruar KLD-në që të plotësonte numrin e gjyqtarëve. Gjykatat e Durrësit dhe Tiranës konsiderohen institucione të karrierës. Gjithashtu pohohet se emërimi i një gjyqtari në Shkodër u bë për të plotësuar vendin e lënë bosh nga një koleg i tij, i transferuar në kryeqytet.
Vendimet e KLD-së
Emërohen në Tiranë
Adriana Bera, nga Kruja
Besnik Hoxha, nga Shkodra
Blerona Hasa, nga Korça
Elda Vrioni, ish-inspektore e KLD
Enkelejda Softa, nga Durrësi
Ervin Pollozhani, nga Elbasani
Flamur Kapllani, nga Kukësi
Neritan Cenaj, nga Vlora
Shkëlqim Mustafa,
nga Gjirokastra
Fatime Velçani, nga Berati
Fatri Islamaj, nga Fieri
Ibrahim Hoxha, nga Berati
Emërohen në Durrës
Kastriot Selita, nga Dibra
Dritan Hamitaj, nga Lushnja
Petraq Curri, nga Fieri
Ema Gashi, nga Fieri
Anita Mici, nga Korça
Astrit Faqolli, ish-inspektor i KLD
Laze Sallaku, ish-inspektor i KLD
Alma Brati, ish-inspektore e KLD
Arjana Liço, nga Kruja
Vladimir Skënderi, nga Vlora
Mimoza Margjeka, nga Tropoja
Emërohet në Shkodër
Rezart Kaçkini, nga Tropoja