Kriza, Rama: Ndërkombëtarët të ndërhyjnë
Kryetari i opozitës tha dje se protestat do të jenë të pashmangshme, në rast se qeveria nuk do të reagojë ndaj kërkesave të PS-së
TIRANË - Kryetari i PS-së, Edi Rama, ka shprehur keqardhjen dje për qëndrimin e mbajtur nga mazhoranca dy ditë më parë në Kuvend.
Përmes një bashkëbisedimi me gazetarët, Rama theksoi se reagimi i qeverisë ishte i padenjë në kërkim të zgjidhjes së krizës. Kryetari i opozitës, Edi Rama, i ka bërë dje apel edhe ndërkombëtarëve që të mos lejojnë që kjo krizë të rëndohet. Më pas Rama, iu përgjigj edhe pyetjeve të gazetarëve.
Ju thoni se do të vazhdoni pa u tërhequr nga misioni dhe kauza juaj për hapjen e kutive të votimit. Në rast se mazhoranca vazhdon ta trajtojë këtë si çështje rutinë dhe të ketë po ashtu një reagim negativ ndaj kërkesës suaj të bërë zyrtare tashmë në Parlament. Cilat janë hapat që do të ndërmarrë opozita në këto kushte?
Prononcimi im para grupit parlamentar të Partisë Socialiste dhe opinionit publik dhe para jush, si edhe prononcimi i Kryetarit të Asamblesë Kombëtare në Parlament, janë qartësisht shprehje e vullnetit për ta zgjidhur krizën në çdo rrugë të mundshme.
Njëra nga rrugët e mundshme është rruga e Parlamentit, të cilën në qoftë se ne do ta gjejmë të mbyllur, pa asnjë dyshim nuk do të heqim dorë nga përpjekja jonë, por pa humbur kohë, do ta kthejmë përpjekjen tonë në një protestë të pandalshme derisa të vihet në vend e drejta jonë.
Ne këtë e kemi thënë, nuk është një gjë e re, sigurisht në këtë periudhë për t'i dhënë shans zgjidhjes përmes dialogut dhe për t'i dhënë shans mirëkuptimit, duke vlerësuar njëkohësisht edhe angazhimin e komunitetit ndërkombëtar, duke respektuar edhe gjithçka që kemi bashkëbiseduar me miqtë dhe partnerët ndërkombëtarë, ne e kemi ulur, apo relativizuar shumë përkohësisht, në bisedat tona, tonin që ka të bëjë me protestën.
Por s'ka pikë dyshimi se protesta është jo vetëm në axhendën tonë, por është pa diskutim edhe një mënyrë demokratike që ne do ta përdorim pa asnjë ngurrim, dhe e përsëris pa ndalim, në rast se gjithçka tjetër do të ezaurohet kështu siç po e ezauron dita-ditës ky pushtet, që ende për fat të keq nuk po do ta shoh të vërtetën në sy dhe ende kërkon t'ju fshehë shqiptarëve krizën e madhe që ka prodhuar me papërgjegjshmërinë dhe paaftësinë e vet në të gjitha planet, jo vetëm në planin e demokracisë...
Z. Rama çfarë do të ndodhë me propozimin që ju mbështetët përkrah Svobodës pak ditë më parë, për sa i përket një ankimi të mundshëm në komisionin e Venecias, duke ia faturuar këtë Këshillit të Europës? Vendimi i grupit parlamentar për të hyrë në Kuvend mos është më shumë një meritë e ndërkombëtarëve sesa e tryezës politike ku vetë ju bëtë pjesë?
Së pari, sfidoj arkivat tuaja të medias, për të nxjerrë një herë të vetme, në një vend të vetëm deklaratën timen, apo të cilitdo tjetër, që ka thënë se do të djegim mandatet tona. Gjithmonë kemi thënë që mandatet tona nuk do të digjen.
Sigurisht nuk kemi qenë aspak të detyruar të bëhemi pjesë e një loje që ka synuar të spostojë vëmendjen nga thelbi që janë kutitë.
Së dyti, Këshilli i Europës mund ta pyesë Komisioni e Venecias, nëse do të sqarojë më mirë këndvështrimin e vet.
Ne nuk kemi nevojë as ta pyesim Komisionin e Venecias dhe as presim nga Komisioni Venecias të na zgjidhë ne problemin.
Së treti, ne kemi depozituar në parlament jo amendime të kushtetutës, por amendime të ligjit, për ta bërë me ligj atë që sot është thjesht një ofertë e palës tjetër në përgjigje të kërkesës sonë, pra që shumica në komision t'i takojë opozitës dhe nga ana tjetër për ta ligjëruar transparencën e zgjedhjeve përmes parlamentit, jo vetëm për këtë herë, por për çdo herë tjetër, duke i dhënë çdo opozite në të gjitha kohët mundësinë që me shumicën në komision hetimor të hetojë jo për përmbysjen e rezultatit, por për të nxjerrë në pah ecurinë e administrimit zgjedhor si një mundësi që populli ia jep parlamentit përmes kontrollit parlamentar.
Çfarë bën parlamenti? Parlamenti bën ligje. Çfarë është kontrolli parlamentar? Kontrolli i parlamentit për zbatimin e ligjeve. Pse janë komisionet hetimore? Për t'i dhënë mundësi parlamentit për ta ushtruar këtë kontroll parlamentar duke hetuar për çështje të veçanta me interes publik në funksion të zbatimit të ligjshmërisë. Çfarë po heton apo duhet të hetojë parlamenti sipas nesh?
Duhet të hetojë mënyrën se si ligji i tij, ligjet e këtij vendi zbatohet në procesin më të rëndësishëm të demokracisë, që janë zgjedhjet. Dhe se si administrata zgjedhore funksionon nga komisioneri në fshatin më të largët deri te kryetari i KQZ. Këtë askush nuk mund t'ia pengojë parlamentit dhe askush nuk mund të thotë se parlamenti nuk ka të drejtë ta bëjë...
Është hera e parë që sot artikuloni një apel për komunitetin ndërkombëtar, që do të thotë që ndërkombëtarët të mos marrin përsipër përgjegjësinë për të rrumbullakosur problemet e Shqipërisë. Pse e bëni pikërisht sot këtë apel, kur keni hyrë në Parlament dhe një mekanizëm shumë të rëndësishëm në dorë siç është hetimi parlamentar?
Nga pikëpamja kushtetuese çdo mazhorancë mund të kërcënohet vetëm në momentin kur vendi i Kryeministrit mund të mbetet vakant për arsyet që ka përcaktuar Kushtetuta.
Por, për shkak të ndryshimeve kushtetuese që janë bërë, ku edhe PS-ja ka kontributin e saj, praktikisht mazhoranca aktuale nuk është në krizë. Nga pikëpamja kushtetuese vendi nuk mund të përjetojë një krizë të mazhorancës parlamentare sa kohë nuk mund të ndodhë për shkak të këtyre ndryshimeve. A ndjeheni ndopak i shqetësuar se kauza juaj për hapjen e kutive bie ndesh me faktin se mazhoranca nuk pëson krizë, pavarësisht kësaj që ju kërkoni të provokoni ?
Krizat e demokracisë janë shumë më të rënda sesa krizat aritmetike të Parlamentit. Krizat aritmetike në parlament janë shumë më të lehta për t'u zgjidhur sesa krizat e demokracisë të përkthyera në konflikte mes popullit dhe pushtetit.
Për sa i përket apelit ndaj komunitetit ndërkombëtar është një apel që unë e bëj, pasi ne kemi ndërmarrë një hap të shumë kërkuar nga komuniteti ndërkombëtar me të drejtën e një këndvështrimi, që vjen nga një distancë e caktuar, ku nuk mund të perceptohen të plota arsyet tona dhe ne e mirëkuptojmë këtë dhe në kushtet kur ka një moment oportun për të mos u fokusuar mbi bojkotin, por për tu fokusuar mbi krizën dhe thelbin e krizës.
Sot nuk ka bojkot, por kriza është mes nesh dhe që kriza të zgjidhet nuk mund t'i adresohemi bojkotit, por t'i adresohemi krizës. Këtë e kemi thënë me kohë, sot e themi për komunitetin ndërkombëtar duke besuar që janë të gjitha mundësitë që komuniteti ndërkombëtar t'i adresohet krizës drejtpërdrejt, duke kërkuar që kjo krizë të zgjidhet, pa qenë i penguar nga perceptimi për vetë bojkotin.
Thënë kjo, dua nga anën tjetër të nënvizoj që tanimë kemi një komunitet ndërkombëtar tërësisht të angazhuar për ta adresuar krizën. Ne jemi këtu në një pozicion dinamik, jo në një pozicion statik dhe dinamika e ngjarjeve është e pandalshme.
Njëri prej aleatëve tuaj, zoti Gjinushi ka propozuar shpesh që zgjidhja mund të ishte një qeveri teknike me bazë të gjerë dhe çuarja e vendit nga kjo qeveri në zgjedhje të parakohshme. Si e cilësoni këtë propozim?
E dyta, mbledhja e grupit parlamentar të Partisë Socialiste siç dihet u shoqërua me debate të ashpra, si do t'i përgjigjeni akuzave të disa prej kundërshtarëve tuaj, të cilët e cilësuan hyrjen e PS-së në Parlament, si humbjen të dytë tuajën, madje artikuluan edhe deklarata, duke kërkuar dorëheqjen tuaj nga posti i kryetarit?
Së pari, argumentet e Sali Berishës na mjafton t'i dëgjojmë nga pala tjetër për t'u dhënë përgjigje, s'kemi pse ju japim përgjigje dy herë.
Së dyti, e përsëris, nëse shumëkush ra në grackën e idesë qesharake se ne do t'ia dorëzonim mandatet Saliut, Ilirit, Fatosit për të kuptuar dhe emëruar një opozitë tjetër në parlament, duke krijuar një telenovelë pa fund të kujt janë mandatet, e ka kush e ka, ky nuk është faji ynë.
Ne asnjëherë nuk na ka shkuar ndërmend ideja që t'i hyjmë kësaj valleje, që do të ishte tragjikomike për demokracinë dhe për opozitën në rast se thjesht do ta imagjinonim, por asnjëherë nuk kemi folur për këtë, sepse s'kemi dashur që vëmendje të spostohet, duke qenë të bindur se ky ka qenë qëllimi i kësaj ideje dhe padyshim edhe shpresa dhe dëshira e madhe e të gjithë atyre që mezi e kanë pritur datën 6 mars, aq shumë sa të gjithë ju harruat 7 marsin, harruat 8 marsin. Ja ku doli që s'do ketë 6 mars, do ketë 6 mars, por do jetë një datë si gjithë të tjerat. Ne kërkojmë një zgjidhje me bazë të gjerë për transparencën.
Për sa i përket pastaj zgjidhjeve të tjera me bazë të gjerë këto janë mekanizma që sigurisht unë nuk kam asnjë arsye pse t'i paragjykoj apo t'i komentoj, por gjithsesi, nuk zgjidhin këtë problem që ne kemi sot që nuk është një problem për pushtetin, por është një problem për të ardhmen e vendit dhe të demokracisë.
Morët 93 për qind të votave nga anëtarësia socialiste me miratimin e bojkotit, me cilin u konsultuat nga forumet për ta ndërprerë këtë bojkot?
Kemi marrë të gjitha masat dhe po shfrytëzojmë të gjitha rrugët për të çuar përpara kauzën tonë. S'ka pikë dyshimi se kemi marrë rezultatet më të mira, madje më të mira seç i prisnim nga përpjekjet e këtyre gjatë muajve me themel bojkotin dhe do të vazhdojmë të kërkojmë zgjidhjen, pa përjashtuar asnjë rrugë, që do të thotë se është një pozicion dinamik, nuk është një pozicion statik dhe në këtë pozicion dinamik unë dhe gjithë lidershipi i PS, jemi në harmoni të plotë me vullnetin e popullit opozitar dhe me të gjithë ata që votuan me 93 % sikundër ju e thatë për të rizgjedhjen time, apo edhe atyre 7% të tjerëve që nuk më votuan për të rizgjedhur mua, por votuan për të zgjidhur këtë problem.
Protesta është jo vetëm në axhendën tonë, por është pa diskutim edhe një mënyrë demokratike që ne do ta përdorim pa asnjë ngurrim, dhe e përsëris pa ndalim, në rast se gjithçka tjetër do të ezaurohet kështu siç po e ezauron dita-ditës ky pushtet, që ende për fat të keq nuk po do ta shoh të vërtetën në sy dhe ende kërkon t'ju fshehë shqiptarëve krizën e madhe që ka prodhuar me papërgjegjshmërinë dhe paaftësinë e vet në të gjitha planet, jo vetëm në planin e demokracisë.