E Shtunë, 31 Tetor 2026

Në gjyq vrasësi i tranvestitit "Kristina"

TIRANË- Njeriu që muaj më parë ka vrarë tranvestitin Petrit Muça në qendër të Tiranës do të përballet brenda pak ditësh me gjykatën. Prokuroria e Tiranës ka mbyllur fazën hetimore për kosovarin Sebejdin Hoxha dhe ka dorëzuar dosjen në gjykatë.


Ndaj tij rëndon akuza e vrasjes me dashje të shtetasit Petrit Muça i njohur ndryshe me emrin Kristina. Ky lajm konfirmohet nga burimet zyrtare të organit të akuzës, të cilët saktësuan se prokurori Shpëtim Kurti pas hetimeve pesë mujore arriti të zbardhë ngjarjen, duke siguruar një sërë provash materiale në ngarkim të kosovarit Hoxha për vrasjen e "transvestitit" Muça.


Sipas kërkesës për gjykim, mësohet se i pandehuri 38- vjeçar Hoxha në asnjë rast nuk e ka pranuar akuzën, duke hedhur poshtë pretendimet e prokurorisë se ai është autori i vrasjes me thikë të "transvestitit" Muça mbrëmjen e datës 17 shtator 2009 në kryeqytet.


Edhe avokatja e tij mbrojtëse Vjollca Pustina ka mbajtur këtë qëndrim, duke pretenduar se organi i akuzës nuk ka prova që fajësojnë klientin e saj. "Organi i akuzës, edhe pas pesë muajve nuk ka arritur të sigurojë një provë të vetme që provon se klienti im Sebejdin Hoxha është autor i vrasjes së shtetasit Petrit Muça.


Prokuroria është mjaftuar vetëm me dëshminë e njërit prej "shokëve" të viktimës, i cili ka pretenduar se natën e vrasjes Hoxha ka qenë i shoqëruar me viktimën Muça. Por, këto deklarime nuk korrespondojnë me provat e tjera të siguruara nga prokuroria"-tha avokatja Vjollca Pustina, duke shprehur besimin se Gjykata do të japë drejtësi duke liruar kosovarin Hoxha.


Ndërkohë, sipas kërkesës për gjykim, mësohet se në ngarkim të të pandehurit Hoxha, prokuroria ka siguruar disa dëshmi të personave që kanë parë të akuzuarin për vrasje dhe viktimën gjatë natës së krimit.


"Nga hetimet disa mujore, janë siguruar një sërë provash materiale, të cilat provojnë se natën e ngjarjes, konkretisht mbrëmjen e datës 17 shtator 2009 pranë lulishtes që ndodhet përballë "Bibliotekës Kombëtare" është parë i pandehuri nën shoqërimin e "transvestitit" Muça, me të cilin janë larguar në drejtim të vendit ku u gjet trupi i tij i prerë në fyt.


"Shokët" e viktimës kanë pohuar gjithashtu, se Hoxhën kishin disa ditë që e kishin parë në lulishte dhe i kishin vendosur pseudonimin "Maniaku", pasi kishte rrahur njërin nga "transvestitët" që i ishte ofruar, duke i kërkuar të kryente marrëdhënie homoseksuale"- thuhet në kërkesën për gjykim.


Ndërkohë, vetë i pandehuri gjatë marrjes në pyetje nga prokurori dhe oficeri i çështjes ka pretenduar se nuk ka qenë i shoqëruar me viktimën natën e krimit por një ditë më parë.


"Unë kisha tre ditë që kisha ardhur në Tiranë për të kërkuar punë pasi në Kosovë nuk po gjeja dot. Gjatë kohës që kërkoja punë nëpër Tiranë, më janë vjedhur të gjitha dokumentet dhe portofoli me lekët që kisha. Një natë para ngjarjes kam dalë tek lulishtja dhe aty më është afruar një vajzë që më pas më tha që ishte burrë.


Ai më kërkoi të bënte seks oral me mua kundrejt 500 lekëve, por, unë lekë nuk kisha dhe sapo më tha që jam burrë i dhashë 2 euro e 50 cent që kisha në xhep dhe jam larguar. Që nga ky moment unë nuk e kam parë dhe as kam tentuar ta takoj"- ka thënë Hoxha para prokurorisë.


Mësohet gjithashtu, se gjatë fazës hetimore i pandehuri i është nënshtruar një akt-ekspertimi psikik, ku në përfundim të tij ka dalë i përgjegjshëm para ligjit. Pritet që me dorëzimin e dosjes në Gjykatën e Shkallës së Parë, kancelaria e kësaj të fundit të hedhë shortin për të caktuar treshen që do ta gjykoj të pandehurin Hoxha.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›