E Shtunë, 31 Tetor 2026

LSI nis ripërtëritjen e strukturave për Tiranën

LSI mbledh kryesinë për të caktuar axhendën që do të ndiqet për strukturat e Tiranës


TIRANË - Lëvizja Socialiste për Integrim ka iniciuar dje ristrukturimin e kësaj partie për kryeqytetin. Duke qenë se vitin tjetër do të zhvillohen zgjedhjet vendore, LSI-ja ka mbledhur dje kryesinë e saj, ku ka vendosur për ripërtëritjen e strukturave të partisë për qarkun e Tiranës përmes zgjedhjeve që do të zhvillohen për këtë qark.


Procesi do të fillojë më 20 qershor, kur do të miratohen edhe kandidaturat, ndërsa në datën 26 shtator do të votohet për kryetarin ose kryetaren e LSI-së në Tiranë dhe për kryetarët ose kryetaret e 11 njësive bashkiake në kryeqytet.


Sipas axhendës së përcaktuar dje nga kryesia e Lëvizjes Socialiste për Integrim deri në fund të muajit korrik do të përfundojë regjistrimi dhe evidentimi i të gjithë personave që do të marrin pjesë në këtë proces votimi. Kryetari i Lëvizjes për Integrim, Ilir Meta, theksoi se ky proces do të analizojë elementët që do të shërbejnë për forcimin dhe konsolidimin e strukturës së LSI për qarkun e Tiranës.


Por përveç ripërtëritjes së kësaj strukture, sipas Metës, LSI do të ketë në qendër të vëmendjes edhe problematikat që has sot kryeqyteti, ku një ndër më kryesoret, sipas tij, është menaxhimi i trafikut.


"Unë besoj se në gjithë këtë proces Lëvizja Socialiste për Integrim e Kryeqytetit, përveç edhe problematikës që ka të bëjë me qeverisjen e vendit, me rolin dhe kontributin që LSI-ja ka dhënë aktualisht, por që mund të japë dhe duhet të japë akoma më shumë edhe në të ardhmen, do të ketë në qendër të vëmendjes edhe problematikën e shumtë vendore të Kryeqytetit, por edhe të gjithë komunitetit dhe komuniteteve të veçanta të Tiranës. Një problematikë që është për të ardhur keq, por sa vjen dhe rëndohet.


Rasti më flagrant ka të bëjë gjithnjë me trafikun dhe menaxhimin e tij në Kryeqytet. Por, do të ketë dhe shumë aspekte të tjera të lëna pas dore", - tha dje Meta. Kreu i LSI-së vuri në dukje se procesi i zgjedhjeve për strukturën e Tiranës do të ketë si synim edhe analizën e punës së të gjithë këshilltarëve të LSI-së, e përfaqësuesve të saj vendorë për t'iu paraprirë zgjedhjeve të ardhshme vendore.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›