PS: Qeveria po saboton integrimin, Bregu: Respektojmë detyrimet e BE
Qeveria dhe opozita përplasen sërish për çështjet e integrimit në BE. Duke iu referuar raportit të monitorimit të Shqipërisë në procesin e Stabilizim-Asociimit, deputeti i PS-së, Taulant Balla, theksoi se qeveria po saboton këtë proces, duke i bërë thirrje asaj që të paktën të mos e bëjë një gjë të tillë. "Kjo qeveri po saboton procesin e rëndësishëm të Stabilizim-Asociimit të Shqipërisë me BE. Në emër të PS-së, i bëj thirrje kësaj qeverie, në mungesë të hapave pozitivë, të paktën të mos vazhdojë sabotimin serioz të këtij procesi. Procesi historik i anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian dhe në NATO, nuk mund dhe nuk duhet të sabotohen për qëllime personale dhe partiake të Sali Berishës", u shpreh Balla. Por i menjëhershëm ka qenë reagimi i Ministrisë së Integrimit. Në një deklaratë për shtyp, zëdhënësja e kësaj ministrie, Alida Beqiraj tha se, "Ministria e Integrimit, duke reaguar lidhur me disa deklarata të pavërteta të bëra nga minideputetë që nuk njohin as termat kryesorë të procesit të integrimit, gjen rastin të informojë opinionin publik se procesi i integrimit të Shqipërisë në BE, po ecën me hapa të sigurt në respektim të plotë të detyrimeve që kërkohen nga BE-ja". Sipas saj, MSA është ratifikuar deri tani nga 22 vende dhe tre të tjera janë duke e bërë një gjë të tillë. "Lidhur me detyrimet e të qenit shtet anëtar i BE-së, Shqipëria ka plotësuar deri tani 70% të këtyre detyrimeve dhe është vendi që surprizoi pozitivisht strukturat evropiane, jo vetëm Komisionin, por edhe vendet anëtare me përgjegjshmërinë dhe cilësinë e zbatimit të Marrëveshjes së Ndërmjetme", thuhet më tej në njoftimin për shtyp. Sipas saj, "përsa i përket mbledhjeve të Komitetit Ndërministror të Integrimit, i bëjmë thirrje minideputetit Balla që për hir të procesit, të integrohet me informacionin, të cilin edhe pa vënë në punë intelektin, mund ta gjejë në faqen tonë në web. I bëjmë thirrje opozitës që pikërisht për këtë proces me rëndësi kombëtare, të mos fabrikojë shpifje dhe të mos i referohet një dokumenti të papublikuar ende, siç është i vetmi raport progresi i BE-së për Shqipërinë dhe që do publikohet më 5 nëntor".