Prifti: Do ngrejmë popullin kundër diktaturës konsensuale
Aristir Lumezi
LSI akuzoi dje Kryetarin e PS-së se është ai që ka kërkuar heqjen e LSI nga procesi i administrimit të zgjedhjeve të 2009. Nënkryetari i LSI, deputeti Dritan Prifti, tha dje gjatë një komunikimi me median se "Rama e Berisha nuk mund të garantojnë zgjedhje të lira". "Nuk mund të garantojnë zgjedhje të ndershme dy njerëz që janë në ortakëri biznesi me njeri-tjetrin. Demokracia dhe zgjedhjet e lira nuk janë biznes, dhe nuk do të jenë kurrë biznes për sa kohë LSI të ekzistojë. Është pikërisht Edi Rama që i ka kërkuar Sali Berishës heqjen e LSI nga procesi i administrimit të zgjedhjeve të 2009 dhe e ka vendosur këtë si kusht për dhënien e votës së PS për Kodin Zgjedhor", tha Prifti. LSI përmes nënkryetarit të saj, u shpreh e vendosur për të qëndruar në krye të reagimit popullor në mbrojtje të votës së lirë të shqiptarëve. "Nëse Rama dhe Berisha do vazhdojnë të punojnë dhe insistojnë, që zgjedhjet janë monopol i tyre privat, LSI do vazhdojë të punojë për të ngritur popullin kundër diktaturës konsensuale me 2 koka. Ne do jemi të gatshëm t'i përgjigjemi vullnetit të popullit për t'u vënë në krye të një revolucioni të furishëm demokratik në vend, për të rikthyer liritë, të drejtat dhe votën e lirë të nëpërkëmbura nga Berisha dhe Rama", tha Prifti. Sipas tij, kriteret që kanë përcaktuar dy partitë e mëdha në kodin e ri zgjedhor në mënyrë arbitrare cenojnë LSI. "Nuk ka asnjë kriter që të përjashtojë LSI nga procesi i administrimit të zgjedhjeve të ardhshme. LSI është forca e tretë politike në vend e konfirmuar qartë edhe nga zgjedhjet e fundit të 2007. LSI është forca e tretë politike në vend, që nuk kontestohet nga askush brenda dhe jashtë Shqipërisë. LSI është në Kuvend vetëm me votat e saj, pavarësisht se Dushku i vodhi asaj padrejtësisht të paktën 10 deputetë. Cila forcë tjetër e madhe politike përveç LSI mund t'i japë garancinë shqiptarëve, se nuk do hyjë në pazare të pista me PS-PD për të vjedhur dhe shtrembëruar vullnetin e një populli të tërë?", tha Prifti. Ai u shpreh se LSI nuk do të pranojë një Kod të tillë, që po i u ofrohet shqiptarëve. LSI nuk do të pranojë në asnjë rrethanë një Kod Zgjedhor të hartuar nga interesa mafioze të përjetësimit të pushtetit nga grupe mafioze brenda PS-PD, për interesa ekonomike të jashtëligjshme dhe kundër vullnetit dhe interesit të Shqipërisë evropiane. LSI nuk do të pranojë në asnjë mënyrë një reformë zgjedhore pa standarde dhe garanci për administrim transparent dhe të ndershëm të zgjedhjeve", vazhdoi Prifti. Nënkryetari i LSI akuzoi dje kryetarin socialist, se po del mbi vullnetin e socialistëve të vërtetë, të cilët kërkojnë të rrëzojnë Sali Berishën. "LSI shpreh shqetësimin sidomos për Edi Ramën, që po shkëputet çdo ditë dhe më shumë nga dëshira e shumicës dërrmuese të anëtarëve të PS, për të realizuar një bashkim të fuqishëm kundër Sali Berishës dhe kastës së tij", tha Prifti.