E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ndoka: Berisha e Rama na përjashtuan nga KQZ

 

Kryetari i PDK-së, Nard Ndoka, akuzoi dje krerët e dy partive të mëdha, Berishën e Ramën se po hartojnë një kod zgjedhor, ku në komisionet lokale votat do t'i numërojnë militantët. Duke folur në konferencën e degës së PDK-së në Malësinë e Madhe, Ndoka tha se, "pasi arritën marrëveshjen e fshehtë për përjashtimin e anëtarit të PDK-së dhe LSI-së në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, PD e PS kanë vendosur të përjashtojnë edhe komisionet lokale, duke e krijuar komisione bipartizane dhe militante, të gatshme të vjedhin vota, siç kanë bërë në 12 vitet e fundit". Sipas tij, "Shqipëria ka paguar një çmim të lartë politik dhe ekonomik për shkak të vjedhjeve të votave në 1996 dhe çdo zgjedhje tjetër që është zhvilluar pas tyre. Ne jemi i vetmi vend në Evropë që ende nuk kemi zhvilluar një proces elektoral të rregullt, të besueshëm dhe të pranueshëm nga institucionet ndërkombëtare dhe nga vetë faktori politik konkurrues". Ndoka paralajmëroi se PDK-ja nuk do të pranojë asnjëherë që një pazar i fshehtë midis dy partive, t'i mohojë asaj të drejtën kushtetuese për të marrë pjesë në administrimin e procesit elektoral dhe sidomos në numërimin e votave. "Ne do të përdorim të gjitha energjitë politike për të sensibilizuar partnerët tanë ndërkombëtarë, për të krijuar një koalicion kundër modelit të partisë shtet që po krijojnë drejtuesit e PD-së e PS-së, dhe kështu për të shpëtuar procesin zgjedhor dhe institucionin e votës në Shqipëri", tha Ndoka.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›