E Shtunë, 31 Tetor 2026

Papandreu me Berishen, mbështetje per vizat

 

ADI SHKEMBI
Greqia mbështet Tiranën zyrtare për heqjen e regjimit të vizave me Bashkimin Evropian.
Këtë e bëri të ditur dje Kryeministri grek, Giorgos Papandreu, në takimin e parë që pasi u rikthye në pushtet me Kryeministrin Sali Berisha. Takimi kokë më kokë mes tyre u zhvillua në qytezën Pyli të Bashkisë Prespë, në përfundim të takimit tre palësh, ku merrte pjesë edhe Kryeministri i Maqedonisë, Nikola Gruevski dhe që kishte si synim të tij hartimin e një deklarate për ruajtjen e liqenit të Prespës. “Kryeministri Papandreu i shprehu Kryeministrit Berisha mbështetjen e plotë tijën dhe të qeverisë greke për heqjen e vizave për qytetarët shqiptarë. Dy kryeministrat ranë dakord të punojnë ngushtësisht së bashku për fuqizimin dhe konsolidimin e mëtejshëm të marrëdhënieve të shkëlqyera dhe miqësore që ekzistojnë midis dy vendeve, si dhe për të zgjeruar e thelluar bashkëpunimin dypalësh në të gjitha fushat me interes të përbashkët, në veçanti bashkëpunimin në fushën ekonomike, në fushën e turizmit, në fushën e bujqësisë, nxitjen e investimeve greke në Shqipëri, etj”, thuhet në njoftimin për shtyp të Këshillit të Ministrave në Tiranë. Gjatë takimit kreu i qeverisë shqiptare vlerësoi mbështetjen që ka dhënë qeveria greke në Bruksel për kalimin në Këshillin e BE-së të kërkesës së vendit, për marrjen e statusit të vendit kandidat. Gjatë këtij takimi Kryeministri Berisha mësohet t’i ketë kërkuar homologut të tij grek që qeveria e Athinës të njohë patentat shqiptare për emigrantët shqiptarë që jetojnë dhe punojnë në Greqi. Kjo sipas kreut të ekzekutivit shqiptar do të ishte ndihmesë dhe kontribut i jashtëzakonshëm për të gjithë ata emigrantë shqiptarë që përdorin automjete për transport në jetën e tyre të përditshme në territorin grek. Sipas njoftimit të zyrës së shtypit, Kryeministri Papandreu ka siguruar Kryeministrin Berisha se do të bëjë çdo përpjekje që sa më shpejtë të hiqen burokracitë dhe të njihen patentat shqiptare për emigrantët që jetojnë në vendin fqinj, në Greqi. “Dy kryeministrat ranë dakord për të punuar ngushtësisht dhe për të forcuar më tej miqësinë dhe bashkëpunimin mes dy popujve. Në këtë kontekst, Kryeministri Berisha e ftoi Kryeministrin Papandeou të vizitojë Shqipërinë, ftesë të cilën Kryeministri Papandreou e pranoi me kënaqësi. Gjatë takimit, Kryeministri Papandreu i shprehu Kryeministrit Berisha mbështetjen e plotë të qeverisë së tij dhe të vendit fqinj, për përpjekjet e Shqipërisë për t’u integruar sa më shpejtë në familjen evropiane”, vijon më tej njoftimi për shtyp i Kryeministrisë. Në këtë takim, të zhvilluar në Bashkinë e Prespës, u vlerësua fakti që investitorët grek zënë vendin e parë për sa i përket investimeve të huaja direkte në Shqipëri dhe të dy kryeministrat vlerësuan ecurinë e investimeve të firmave serioze të kompanive prestigjioze greke në shumë fusha në Shqipëri. Kryeministri Papandreu e siguroi Kryeministrit Berisha se do të bëjë çdo përpjekje për të nxitur investitorët grekë, që të vijnë në Shqipëri për të investuar dhe për të zgjeruar investimet e tyre në fusha të rëndësishme si turizmi, bujqësia, etj.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›