Kriza, Topi rikthen negociatat
ADI SHKEMBI
Pas një jave grevë të deputetëve dhe mbështetësve të Partisë Socialiste, Presidenti Bamir Topi nis takimet zyrtare për zgjidhjen e krizës. Paraditja e djeshme ka qenë me axhendë të ngjeshur për kreun e shtetit, i cili ka pasur takime me përfaqësuesit e maxhorancës dhe diplomatët perëndimorë të akredituar në vendin tonë. Gjatë këtyre takimeve është vënë theksi te rinisja e dialogut mes faktorëve politikë në Tiranë për tejkalimin e kësaj situate.
Takimet
Në orën 10:30 Presidenti Topi ka pritur në zyrën e tij zv.kryeministrin dhe ministrin e Punëve të Jashtme, Ilir Meta. Takimi mes tyre vjen një ditë pasi kreu i LSI-së ka apeluar për rinisjen e dialogut mes palëve, teksa ka theksuar edhe gatishmërinë e Kryeministrit për të takuar kryetarin e Partisë Socialiste, Edi Rama. Nuk bëhen të ditura detaje nga takimi në Presidencë, por kreu i diplomacisë shqiptare ka qëndruar aty rreth 30 minuta. Në orën 11:00 teksa Meta linte Presidencën dhe drejtohej në zyrën e tij në Ministrinë e Jashtme, kreu i shtetit udhëtoi drejt rezidencës së ambasadorit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, Xhon Uidhërs. Burime në Presidencë bëjnë të ditur se ambasadori amerikan ka qenë në zyrën e Topit pak ditë më parë, përpara se kreu i shtetit të udhëtonte për në Turqi. Takimi me kreun e diplomacisë amerikane në vendin tonë ka zgjatur rreth 60 minuta. Më pas Presidenti është nisur menjëherë për në zyrën e tij, aty ku në orën 12:00 ai kishte planifikuar takimin me ambasadorin e Delegacionit Evropian, Helmuth Lohan dhe ambasadorin e Spanjës, vendi i të cilit mban presidencën e radhës së BE-së, Manuel Montobio de Balanse. Takimet e ditës së djeshme janë konfirmuar zyrtarisht edhe nga zyra e shtypit e Presidencës. “Presidenti i Republikës, Prof. Dr. Bamir Topi, priti sot në mesditë Kreun e Delegacionit të Komisionit Evropian në Tiranë, Ambasadorin Helmut Lohan, si dhe Ambasadorin e Mbretërisë së Spanjës në vendin tonë, Manuel Montobio de Balanse, me të cilët zhvilloi një bisedë për situatën më të fundit politike në vend. Ky takim erdhi në vazhdën e disa takimeve të tjera, që Kreu i Shtetit ka zhvilluar sot edhe me zëvendëskryeministrin Meta dhe Ambasadorin amerikan, Xhon Uithers II në rezidencën e këtij të fundit”, thuhet në njoftimin për shtyp. Në të njëjtën kohë zyra e Presidentit bëri të ditur në përfundim të të gjitha takimeve se, bashkëbiseduesit vlerësuan si të rëndësishëm rifillimin e dialogut politik dhe zgjidhjen e krizës, në kërkim të ruajtjes së standardeve institucionale. “Palët në takim shkëmbyen mendime lidhur me aktualitetin politik, duke iu referuar kryesisht grevës së urisë filluar nga deputetët socialistë dhe mbështetësit e kësaj force politike. Bashkëbiseduesit vunë theksin në rëndësinë e rifillimit sa më të shpejtë të dialogut politik institucional, i cili është një hap sa i domosdoshëm, aq edhe i rëndësishëm për kapërcimin e situatës së krijuar dhe zgjidhjen e saj në kërkim të ruajtjes së standardeve institucionale dhe të forcimit të vlerave demokratike në Shqipëri dhe ecurisë së suksesshme drejt integrimit të plotë të saj në Bashkimin Evropian”, thuhet më tej në njoftimin e shpërndarë për mediat. Lëvizjet e ditës së djeshme të kreut të shtetit vijnë pas apelit të faktorit ndërkombëtar dhe maxhorancës për zgjidhjen e krizës. Kryeministri Berisha deklaroi dy ditë më parë gjatë një takimi me Kryetarin e Parlamentit të Italisë, Xhanfranko Fini, se vendi ka bazën e duhur ligjore për të bërë transparent edhe dokumentin më sekret të tij. Ndërkohë, Bashkimi Evropian ka apeluar disa herë ditët e fundit për nxjerrjen e vendit nga kriza. Komisioneri për Zgjerimin, Stefan Fule, foli dy herë brenda pak ditësh, duke bërë përgjegjës maxhorancën dhe opozitën për këtë situatë, ndërkohë që ka bërë të ditur se zgjatja e krizës do ndikojë në vendimin për marrjen e statusit të vendit kandidat. Ndërkohë pas përplasjeve mes shumicës dhe PS-së, nuk u arrit që gjatë një takimi ndërparlamentar në Bruksel të miratohej një deklaratë e përbashkët për situatën politike në vend.