E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shqipëria në kuti

Selami Xhepa

Ditë plot trishtim po përjeton shoqëria shqiptare këto ditë pranvere. Njerëzit presin çdo ditë se çfarë do të ndodhë, çfarë të rejash do na sjellë qëndrimi radikal i Partisë Socialiste. Del nga shtëpia dhe nuk e di se nga të duhet të kalosh që të shkosh në punë. Sheshi gëlon nga pluhuri i ndërtimit dhe lumi i makinave që vërshojnë gjithë tersëllëmë nga frika, se nga çasti në çast sheshi mund të mbyllet nga bashkia. Bulevardi kryesor i kryeqytetit qëndron i mbushur me grevistët e urisë dhe vizitorët e përnatshëm që, sipas një grafiku shumë rigoroz, transportohen nga çdo rreth i vendit dhe sillen për solidaritet dhe të brohorasin fjalimet e udhëheqësve të tyre. Grumbullimet vazhdojnë të jenë të paligjshme sepse forca e Kryetarit të tyre i jep zemër njerëzve të thjeshtë të shkelin ligjin dhe të nëpërkëmbin drejtësinë. Përgjithësisht drejtësinë nuk e vlerësojnë vetëm ata që kanë forcën dhe pushtetin ta nëpërkëmbin atë. Njerëzit e thjeshtë nuk e kanë një kurajo të tillë - kryetari një partie, po! Dhe Ai udhëheq një betejë që kërkon të sjellë më shumë ligj dhe drejtësi! Në darkë fillojnë bisedat e përnatshme televizive, që luhaten midis retorikave dhe deri tek puna e orakullit. Një emocion negativ pushton shpirtin njerëzor, sikur jeton në një vend mijëra vjet dritë larg kontinentit tonë.
E filluar si një alibi e thjeshtë për të justifikuar humbjen dhe për të ruajtur drejtimin e partisë, z. Rama vazhdoi ta radikalizojë qëndrimin dhe aksionin politik opozitar, duke arritur në ekstrem, duke futur në grevë urie deputetë dhe simpatizantë socialist. Me siguri që plani i aksionit të tij politik do të ketë edhe surpriza të tjera, që ai do t’i zbulojë hap pas hapi.
Po çfarë do të arrijë zoti Rama nga ky aksion? Nëse qëllimi është që vendit t’i jepen zgjedhje më të mira, më të përsosura, Partia Socialiste duhet të paraqesë një plan të besueshëm dhe serioz para opinionit publik. Zoti Rama nuk vjen nga mbretëria e qiellit dhe nuk e di se çfarë problemesh dhe mangësish patën zgjedhjet. Raporti i arbitrit të zgjedhjeve i ka renditur të gjitha, bashkë me konkluzionin e vet se zgjedhjet kanë shprehur vullnetin e lirë të shqiptarëve dhe se ky vullnet nuk është tjetërsuar për shkak të parregullsive të vërejtura. Le të fillojë axhenda e reformës zgjedhore, që nga financimi partive politike, përdorimi aseteve publike gjatë fushatës, përdorimi administratës dhe presionet politike mbi të, e me radhë, deri te sistemi vetë zgjedhor, përfshi dhe një riorganizim të strukturës së Parlamentit, duke shkuar në një Parlament me dy Dhoma.
Pikërisht këto janë gjërat që qëndrojnë në kuti dhe hapja e kutisë nuk do na zbulonte ndonjë çudi apo befasi që të trondiste ndërgjegjen tonë kombëtare. Nëse hapja e kutive nuk është kështu thjesht një alibi, nuk ka asgjë të keqe që të tregojmë se edhe pse mund të jesh kryetar partie, madje edhe i partisë më të madhe opozitare, dimë të respektojmë ligjin, institucionet e vendit dhe rendin e saj kushtetues. Autoriteti i kryetarit të një partie nuk lartësohet duke shkelur ligjet, duke nëpërkëmbur institucionet, sado të dobëta qofshin, por duke i respektuar ato. Kështu i shërbejmë interesave afatgjata të vendit – ndërtimit të një shteti serioz, me ligje dhe institucione të respektuara njëlloj nga çdo qytetar, që nga qytetari i parë i vendit apo i bashkisë.
Klimën e mosbesimit brenda nesh, Partia Socialiste po e shtrin edhe te ndërkombëtarët. Edhe ata i ka ndarë në të mirë dhe të këqinj. Të lë pa mend kur dëgjon thirrje të tilla si “Fyle! Mos na bëj si Princ Vidi!”. A thua se Fyle flet në emër të vet personal dhe na paska antipati për z. Rama. Znj. Doris Pack na e quajnë “një plakë që nuk ka mend t’i japë leksione vatanit tonë”; Parlamentin Evropian e shohin njëlloj si sallën e Këshillit Bashkiak të Tiranës dhe shkojnë t’i japin një leksion të mirë vetë Evropës atje në tempullin e tyre.
Nuk mbetet më asnjë dyshim se me qëndrime të tilla z. Rama kërkon të fusë në kuti të gjithë vendin – mundësisht të mbetemi një ishull i vetmuar në kontinent, sepse kështu e qeverisim atë si të duam vetë, i japim leje ndërtimi kujt të duam dhe e përdhosim qytetin si të duam. Kur Parlamenti Evropian bën rezoluta për heqjen e vizave për shqiptarët, të cilët fatkeqësisht mbetën të fundit në këtë proces, për hir të historisë së tyre të shkuar, —shpura e z. Rama në Bruksel anatemon vendin dhe përkrahësit e Shqipërisë në Evropë. Gjithkush tashmë e di se z. Rama e sheh liberalizimin e vizave si ogur të humbjes së zgjedhjeve lokale dhe si fundin e tij politik. Prandaj, le të presin shqiptarët nëpër muret e ambasadave të huaja për një vizë, le të vazhdojë segregacioni i vendit deri sa axhenda personale e z. Rama të jetë e volitshme. Opozita konstruktive do të kishte shkuar në Bruksel dhe në Strasburg me një qëndrim të qartë politik: se, pavarësisht se ata nuk pajtohen kurrë me axhendën e Qeverisë së tyre, ata rreshtohen përkrah të gjitha forcave politike të vendit, kur është fjala për proceset e liberalizimit të vizave dhe të integrimit të vendit. Kjo do t’i kishte dhënë pikë opozitës, jo vetëm brenda vendit, por dhe te ndërkombëtarët.
Shoqëria po humb boshtin e vetvetes, sistemin referues të gjykimit të vlerave mbi atë që është e virtytshme nga vesi; relativizmi shoqëror gjithnjë e më shumë po zhduk kufijtë ndarës të së mirës nga e keqja, të vesit nga virtyti, të heroit nga terroristi, të demokratit nga diktatori. Gjithnjë e më shumë sheh faqet e shtypit të sotëm të mbushen me fotot e ish diktatorëve dhe me kujtimet nostalgjike të tyre, se me rindërtimin e historisë së brishtë dhe të re të viteve të demokracisë dhe të protagonistëve të këtij ndryshimi epokal në historinë e vendit tonë. Këta protagonistë madje nuk figurojnë as si “footnotes” në ndonjë media apo botim, dhe, më shumë se kaq, kam përshtypjen se fjalën “diktator” më shumë e kemi dëgjuar të përdoret për të anatemuar Sali Berishën se për Enver Hoxhën dhe ish-nomenklaturën e lartë të Partisë së Punës. Si një shoqëri post diktatoriale duket se akoma e shkuara është e ngulur thellë në memorien kombëtare.
Ky shkrim nuk është veçse një thirrje moralizuese; një moralizim për politikanët e lartë të vendit që të fisnikërohen jo duke kërkuar të kryejnë detyrat e heroit dhe të revolucionarit, por të kryejnë detyrat e reformatorit dhe ato të një qytetari të mirë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›