PD, katër propozime për krizën
Maxhoranca i propozon opozitës një paketë me katër elementë për zgjidhjen e krizës politike. Deputeti i PD-së, Aldo Bumçi tha dje se kjo ofertë përmban që nga diskutimi i të gjitha çështjeve në komisionin hetimor dhe deri në dërgimin e fakteve në gjykatë. “Oferta jonë është një paketë që përmban katër elementë. Ngritjen e komisionit hetimor që të fillojë punë dhe të hetojë për të gjetur çështje për të cilat ne biem dakord. Një ekip me 100 prokurorë që ti përkushtohet cështjes së zgjedhjeve, dhe të zgjidhe çdo dyshim, çdo indicie, pavarësisht se PS nuk ka ofruar, të hetohet nga ky ekip që nuk ka kufizim në mandatin e tij, mund të hapë çdo kuti. PS të hartojë të gjitha rekomandimet për përmirësimin e Kodit zgjedhor dhe elementi i katërt, për çështje që nuk bihet dakord si çdo qytetar tjetër, kur ka konflikt me partnerin e tij biznes, shkon në gjykatë dhe i zgjidh në mënyrë të qytetëruar”, thotë Aldo Bumçi. Sipas tij “kjo paketë me këto katër oferta, i jep zgjidhje krizës dhe askush nuk del me kokën ulur. Nuk është qëllimi ynë që të tregojmë forcë që dikush të dalë i turpërua. Jo”, vijoi Bumçi.