E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meta: Në Presidencë folëm për situatën, dialogu formula e vetme



Zëvendëskryeministri, njëherësh Ministri i Jashtëm, Ilir Meta, foli dje për takimin në Presidencë me kreun e shtetit, Bamir Topin. Në emisionin “Ora e Debatit” të gazetarit Alfred Peza në “Ora News”, Meta tha se me Presidentin diskutoi situatën politike, por pa dhënë një formulë konkrete për zgjidhjen. “Unë s’mund të marr përsipër të them se çfarë kam biseduar. Natyrisht që kemi biseduar për këtë situatë, për mundësinë e rivendosjes së dialogut. Dialogu ka ekzistuar, pasi e dimë që erdhi delegacioni nga Këshilli i Evropës. Unë mendoj që e rëndësishme është vendosja e dialogut dhe heqja dorë nga ultimatumet. Ne e kemi bërë të qartë që çdo gjë që është legjitime do të realizohet. Grevën e urisë unë e respektoj, dhe sakrificën e tyre. Pavarësisht se është mjet ekstrem, është demokratik, që përdoret për të sensibilizuar, por nuk është rruga që sjell ndonjë zgjidhje”, tha Meta. Ai shtoi se nuk pati ndonjë formulë nga takimi në Presidencë, përveç faktit të rikthimit të dialogut politik. “Kjo hapja spektakolare që bëtë, duke komentuar të gjitha takimet dhe duke e paraqitur në kontekst të një situate që ka edhe ngarkesën e saj emocionale, për shkak se rreth 20 kolegë janë në grevë me përkrahësit e tyre prej disa ditësh. Kam frikë, sepse nuk besoj që sot do të dalë ndonjë formulë se si dilet nga kjo situatë”, shtoi Meta. Numri dy i Qeverisë tha më tej se hapja e kutive të votimit mund të bëhet vetëm nëse ka një vendim gjykate. Sipas Metës, zgjedhjet e parakohshme janë të papranueshme, pasi nuk ka asnjë arsye për zgjedhje. Kreu i LSI-së tha më tej se së shpejti pritet të merret edhe vendimi për liberalizimin e vizave.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›