Kriza, Topi takon sot ambasadoret Lohan e Mantobio
TIRANE- Presidenti i Republikës, Bamir Topi do të zhvillojë sot një takim me ambasadorin e Këshillit të Europës, Lohan dhe ambasadorin e Spanjës, Mantobio, vendi i të cilit mban Presidencën e radhës të Bashkimit Europian. Ky është takimi i dytë që kreu i shtetit zhvillon me dy nga përfaqësuesit kryesorë të faktorit ndërkombëtar në vendin tonë brenda një periudhe të shkurtër kohore prej gati 10 ditësh. Hera e fundit që Topi takoi në zyrën e tij Lohan dhe Montobio ishte data 19 janar, ku temë kryesore e bisedimeve ishte situata politike në vendin tonë. Takimi vjen një ditë pasi Asambleja Parlamentare e Këshillit të Europës miratoi rezolutën për Shqipërinë të hartuar nga dy bashkraportuesit Jako Lakso dhe David Wilshire. Raporti që përmban 10 pika i bënte apel politikës shqiptare të zhbllokojë në mënyrë urgjente krizën politike që ka bllokuar funksionimi normal i të gjithë institucioneve demokratike në vend. KiE i kërkon qeverisë shqiptare dhe opozitës ti japin fund krizës politike dhe të ushtrojnë përgjegjësitë e tyre për të thelluar reformat e mëdha në vend. KiE i drejtohet me thirrje urgjente qeverisë që brenda pak ditëve të ngrejë një komision parlamentar hetimor për zgjedhjet e 28 qershorit të vitit te kaluar. Një thirrje e drejtëpredrejtë i drejtohet opozitës e cila duhet të kthehet në Parlament dhe të kontribuojë për ecurinë e reformave. Autorët e projekt rezolutës propozjnë një tryezë të gjerë të partive politike për gjetjen e një zgjidhjeje si dhe mundësinë e ndërmjetësimit nga ana e presidentit Bamir Topi. (s.g/BalkanWeb)