Pakti detar me Greqinë, Bakojanis akuza Ramës
ATHINE- Ish-ministrja e Jashtme greke Dora Bakojanis ka akuzuar partitë socialiste greke dhe atë shqiptare të drejtuar nga Edi Rama si shkaktarët e rrëzimit të marrëveshjes detare mes dy vendeve. Bakojanis në një deklaratë të saj të publikuar për mediat greke lëshon një lumë akuzash e kritikash ndaj partisë qeverisëse greke, Pasok dhe ndaj kreut të Partisë Socialiste shqiptare Edi Rama. Sipas Bakojanis asnjë nga procedurat e firmosjes së marrëveshjes nuk ishte e dyshimtë. Ajo thotë se gjithcka është bërë në përputhje me rregullat ndërkombëtare të parashikuara nga OKB. “Anulimi i kësaj marrëveshjeje u bë pas një reagimi të organizatave nacionaliste shqiptare të drejtuar nga kreu i socialistëve Edi Rama, - ka thënë Bakojanis. Ajo më tej ka shtuar: “Nuk e di nëse PASOK është përpjekur të informojë Partinë Socialiste shqiptare për përfitimet e marrëveshjes kur mori informacione, se socialistët shqiptarë donin ta rrëzonin këtë marrëveshje. Ajo që unë di, është se ndërsa zoti Rama njoftoi qëllimin e tij kundër marrëveshjes në mes të tetorit, qeveria nuk tregoi asnjë ngut që ta hidhte në tryezë marrëveshjen për miratim në Parlament, i cili nisi punë pak ditë më vonë, thotë Bakojanis. "Vetëm në këtë mënyrë mund të krijohej një moment pozitiv për ta ruajtur këtë marrëveshje dhe për të ruajtur nivelin e lartë të marrdhënieve shqiptaro-greke, që arritëm ne”, - tha Bakojanis e cila ishte ministre e Jashtme në 2008 kur u firmos marrëveshja. Pasok fitoi zgjedhjet në Greqi në 4 tetor 2009, por nuk pati aq ngut për kufirin detar sa ish qeveria konservatore e Karamanlis.(m.a/News24/BalkanWeb)