E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama: Kriza brenda në kuti, vazhdojmë bojkotin e protestat

TIRANE- Kryesocialisti Edi Rama ka reaguar pas miratimit të rezolutës së Këshillit të Europës duke nënvizuar se kriza politike që ka përfshirë vendin është brenda kutive të votimit. Ndërsa nënvizoi se opozita nuk do të heqë dorë as nga protestat e as nga bojkotit, kreu socialist theksoi në një konferencë për shtyp mbrëmjen e sotme, se opozita mirëpret përfshirjen e ndërkombëtarëve, sikundër thotë rezoluta, në zgjidhjen e ngërcit politik. “Rezoluta e Këshillit të Europës është e qartë. Shqipëria është në krizë politike, kriza është brenda kutive të votimit. Pa u zgjidhur kriza nuk heqim dorë as nga bojkoti e as nga protestat” u shpreh kreu i selisë rozë. Duke ju referuar akuzave të Partisë Demokratike në drejtim të deputetes socialiste Arta Dade, Rama tha se kryeministri Berisha nuk mund ta nënshtrojë opozitën duke përdorur sulmet personale. “Sali Berisha ka nisur prej disa ditësh një nga sulmet rrugacërore kundër Partisë Socialiste. Dje kur Gjykata Kushtetuese rrëzoi paktin me Greqinë, Berisha akuzonte PS për delegacionin e Këshillit të Europës” u shpreh Rama ndërsa shtoi se të tjera padi do të nisen në prokurori e gjykata ndaj kreut të qeverisë. Ndërkaq kreu socialist cilësoi si “një shuplakë” ndaj qeverisë vendimin e Gjykatës Kushtetuese për marrëveshjen e kufirit me Greqinë. “Ditën që rrëzohet për të 16-ën herë në Gjykatën Kushtetuese, Berisha i vërsulet opizitës për të bërë pis opozitarët që nuk i emëron dot në delegacionet e Europës. Ndërsa merr shuplaken e 16-ë nga Gjykata, Berisha nuk i flet popullit të vet por ka paturpësi të dalë para popullit me gjuhën e akuzave ndaj opozitës” tha Rama.(e.n/BalkanWeb) 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›