E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bechtel & Enka: Tuneli i Thirrës i gatshëm në verë

TIRANE- Pas shembjes së nëntorit të vitit të kaluar, që ndërpreu kalimin e automjeteve në tunelet e Rrëshen-Kalimashit, kompania ndërtuese njofton se rruga do të jetë sërish e kalueshme për automjetet vetëm në verë të këtij viti. E kontaktuar nga "Gazeta Shqiptare", Ela Ruci, zëdhënëse e kompanisë amerikano-turke Bechtel& ENKA, deklaroi dje se aktualisht po punohet për eliminimin e shembjes në një nga tunelet paralele të këtij segmenti, duke përforcuar, njëkohësisht strukturën e tij. "Momentalisht, në tunel punojnë 10 ekipe me një numër total prej 200 punëtorësh. Puna vazhdon paralelisht në të dy tubat e tunelit, ditën dhe natën", - tha ajo. "Pas shembjes së dheut, të ndodhur më 5 nëntor 2009, është implementuar stabilizimi i punimeve në të dy tunelet, në të gjithë zonën ku ka pasur probleme gjeologjike dhe zona të cilësisë së dobët shkëmbore", - vë në dukje Ruci. Sipas saj, dizenjimi i rishikuar parashikon që izolimi primar i zonave të pabetonuara të kryhet në një trajtë ovale dhe forcimi të bëhet përmes betonimit dhe forcimit me struktura hekuri. Izolimi përfundimtar sipas dizenjimit të rishikuar parashikon riforcim me 500 mm beton. "Për t'i minimizuar lëvizjet dhe për të siguruar stabilitet, unaza e tunelit është mbyllur në një seksion prej 12 metrash, para se të avancohet në seksionet e tjera", - deklaroi Ruci, duke theksuar se me këto punime janë kontrolluar të gjitha punimet e tjera në tunel.ShembjaNdonëse nga Buxheti i Shtetit janë shpenzuar tashmë afro 1 miliard euro, problemet e "Rrugës së Kombit" nuk po përfundojnë. Rruga u hap vjet për kalimin e automjeteve nga Kosova dhe në drejtim të saj, kryesisht për kalimin e turistëve kosovarë në drejtim të plazheve, por shembja e tunelit shkaktoi jo pak kokëçarje për investitorin dhe zbatuesin e këtij investimi madhor.StudimiAdministratori i projektit të shoqërisë që po ndërton tunelin e Thirrës, pranoi në hyrje të këtij tuneli se nuk ka pasur më parë një studim gjeologjik teknik për të kryer një punim të tillë. Ai vuri në dukje se në këtë rast është përdorur një metodë austriake, që përmblidhet në dy fjalë: "gërmo dhe studio". Darren Mort u ka bërë në këtë mënyrë të ditur deputetëve të opozitës që shkuan pas shembjes, se në segmentin Rrëshen-Kalimash janë përdorur, për herë të parë në vendin tonë, dy risi: fillimi i punimeve në një objekt ndërtimor pa një kosto apo preventiv fillestar dhe, nga ana tjetër, pa studimin gjeologjik. Që të dyja këto praktika të reja duket se nuk kanë sjellë rezultate pozitive. Administratori ka deklaruar se Drejtoria e Përgjithshme e Rrugëve ka thirrur për ndihmë disa gjeologë me emër nga bota për të mbikëqyrur situatën. Por, kjo ka ndodhur tepër vonë.(GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›