E Diel, 1 Nëntor 2026

Kriza, analizohen efektet tek integrimi europian

Durrës Ekspertët diskutojnë vonesat e mundshme në anëtarësim të shkaktuar nga kriza

Sfidat e integrimit rajonal dhe europian për Shqipërinë, kriza globale dhe ndikimi i saj në vendet kandidate për anëtarësim në BE, si dhe mjaft problematika të tjera mbi politikat ekonomike dhe integrimin kanë nisur të trajtohen në sesione të veçanta të konferencës ndërkombëtare shkencore që po zhvillohet në universitetin “Aleksandër Moisiu” të Durrësit, më 11-12 qershor. Në të marrin pjesë me punimet e tyre akademikë vendas dhe të huaj, përfaqësues të Akademisë së Shkencave, institucioneve qendrore, vendore dhe bankare. Universiteti më i ri në vend, ai i Durrësit ndonëse me probleme të natyrës infrastrukturore synon të jetë një tribunë e hapur e mendimit dhe debatit shkencor. Ka munguar, ndonëse ishte lajmëruar në ceremoninë hapëse të konferencës ministri i Arsimit dhe Shkencës. Konferenca është përshëndetur nga rektori i universitetit, prof. Agim Kukeli dhe nga zv/ministrja e Brendshme, Iva Zajmi, e cila ishte dhe bashkëreferuese në temën mbi disa aspekte ligjore të liberalizimit tregtar mes vendit tonë dhe BE-së bazuar në Marrëveshjen e Asocim-Stabilizimit. Gama e gjerë e punimeve shkencore dhe prezantimet kanë bërë që të organizohen sesione të veçanta mbi bazën e tematikës që prekin. Në kuadrin e integrimit me interes është parë roli i ri i qeverive dhe institucioneve në hartimin e politikave, globalizimi dhe sfidat e kompanive në strategjitë e tyre orientuese, sfidat në marketing dhe menaxhim, ato të arsimit të lartë; e-ekonomia, e-biznesi, e-tregtia dhe e-qeverisja, si dhe ndotja e ambientit dhe ngrohja globale. Në këtë konferencë përfaqësoheshin dhe universiteti i Barit, ai i Ekonomisë Kombëtare dhe Botërore në Sofje, universiteti polak “Nicolas Copernicus” në Torun, ai i Peruxhias, universiteti politeknik i Markes etj.

#

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›