E Shtunë, 31 Tetor 2026

Abuzimet me ujin, Dollapi padit 20 subjekte private

Kreu i Ujësjellës-Kanalizimeve shprehet se janë gati edhe 30 kallëzime të tjera për në prokurori

Drejtori i Ujësjellës-Kanalizimeve në Tiranë dorëzoi dje në Prokurorinë e Tiranës njëzet kallëzime penale kundër personave privatë që kanë ndërhyrë në mënyrë të paligjshme në rrjetin e ujësjellësit. Në këto 20 kallëzime penale, gjysma janë për lavazhet dhe subjekte të tjera private në kryeqytet. Kreu i Ujësjellësit, Sait Dollapi, u shpreh në një konferencë shtypi se Ujësjellësi i Tiranës po përgatit dokumentacionin edhe për 30 kundërvajtës të tjerë. Sipas tij, denoncimi i kundërvajtësve që ndërhyjnë në rrjetin e ujësjellësit në Tiranë ecën paralelisht me punën për pastrimin e linjave të transmetimit dhe shpërndarjes nga lidhjet e paligjshme.

“Po kryhen investime në pjesën e Shkozës, në zonën e Uzinës së Traktorëve, një linjë transmetimi që bën të mundur nxjerrjen jashtë funksioni të tri linjave të shpërndarjes, që janë të amortizuara dhe të ngarkuara nga ndërhyrjet e paligjshme në rrjet”, tha zoti Dollapi. Kreu i UKT-së bëri të ditur se faturuesit që u faturojnë qytetarëve më shumë ujë sesa konsumi real, janë ndëshkuar me masa administrative, si largimin e tyre nga puna dhe rikthimin e vlerës së mbifaturuar për qytetarin e dëmtuar. Gjithashtu Dollapi theksoi se janë pushuar nga puna edhe gjashtë faturues të Ndërmarrjes së Ujësjellësit, për shkak të mbifaturimit që u kanë bërë qytetarëve. Sipas tij do të shqyrtohen sërish ankesat e qytetarëve për mbifaturim dhe në rastet kur do të konstatohen shkelje do të dëmshpërblehen të gjithë qytetarët që janë mbifaturuar. Ndërkohë Dollapi kërkoi një bashkëpunim më të mirë me prokurorinë dhe gjykatën për hetim të personave përgjegjës.

Dosjet e dërguara nga drejtori i Ujësjellës-Kanalizimeve janë marrë në dorëzim nga prokuroria dhe po shqyrtohen nga ekspertët përkatës. Sipas të dhënave nga Prokuroria e Tiranës, pas vlerësimit të tyre do të vendoset nisja e hetimeve, si dhe do të ngrihen akuzat përkatëse për vepra të ndryshme penale.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›