E Diel, 1 Nëntor 2026

Kriza, delegacioni i KiE-së nis sot takimet në Tiranë



Këshilli i Evropës zbret sot në Tiranë me përfaqësuesit më të lartë të tij, për gjetjen e një zgjidhje për ngërçin politik në vend.
Delegacioni i përbërë nga rreth 10 komisionerë, kryesuar nga Presidenti i Asamblesë, Mevlüt çavusoglu do të takojë të parin kreun e shtetit shqiptar, Bamir Topi, mëngjesin e sotëm, në orën 09.15.
Gjatë këtij takimi, delegacioni do të njihet me ecurinë e negociatave të deritanishme që janë zhvilluar nga Presidenti Topi.
Më pas, delegacioni i KiE do të takohet me kryetaren e Kuvendit, Jozefina Topalli
dhe në orën 11.45 është planifikuar takimi me kryeministrin Sali Berisha, në selinë e Kryeministrisë.
Pas takimeve me tre krerët e shtetit, grupi i të dërguarve të Këshillit të Evropës ka në dispozicion 2 orë për të drekuar.
Ende nuk është bërë e qartë nëse gjatë drekës do të marrin pjesë edhe drejtuesit e dy partive kryesore.
Ndërkaq, më vonë, rreth orës 15:15, delegacioni do të takohet me kryetarin socialist, Edi Rama dhe drejtues të tjerë të partisë në opozitë.
Për më shumë se një orë është menduar që grupi i raporterëve dhe përfaqësuesve të lartë të Asamblesë së Këshillit të Evropës do të dëgjojë kërkesat e socialistëve në opozitë.

Delegacioni do të rikthehet rreth orës 17.00 në Presidencë, ku për rreth një orë do të kenë një takim përmbledhës me Presidentin Bamir Topi, që tashmë është pozicionuar në rolin e negociatorit.
Misioni i Këshillit të Evropës ka planifikuar që të gjitha rezultatet e takimeve t'i bëjë të ditura në një konferencë për shtyp, ditën e martë, në orën 10:30.
Përveç kreut të Asamblesë Parlamentare të KiE, do të jenë pjesë e këtij misioni edhe dy raporterët për Shqipërinë, Jaakko Laakso dhe David Wilshire.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›