E Diel, 1 Nëntor 2026

Kriza, delegacioni i lartë i KiE nis sot takimet në Tiranë



Aristir Lumezi

Këshilli i Evropës zbret në Tiranë sot me përfaqësuesit më të lartë të tij, për gjetjen e një zgjidhje për ngërçin politik në vend. Delegacioni i përbërë nga rreth 10 komisionerë, kryesuar nga Presidenti i Asamblesë, Mevlüt çavusoglu do të takojë të parin, kreun e shtetit shqiptar, Bamir Topi, mëngjesin e sotëm në orën 09.15. Ashtu siç janë shprehur dhe më parë, përfaqësuesit e KiE-së vetëm do të monitorojnë presidentin Topi në përpjekjen e tij për të zgjidhur krizën mes maxhorancës dhe opozitës. Gjatë këtij takimi, delegacioni do të njihet me ecurinë e negociatave të deritanishme që janë zhvilluar nga Presidenti Topi. Pas marrjes së informacionit, delegacioni i KiE do të takohet me kryetaren e Kuvendit, Jozefina Topalli dhe në orën 11.45 është planifikuar takimi me Kryeministrin Sali Berisha, në selinë e Kryeministrisë. Pasdite, rreth orës 15:15, delegacioni do të takohet me kryetarin socialist, Edi Rama dhe drejtues të tjerë të partisë në opozitë. Për më shumë se një orë është menduar që grupi i raporterëve dhe përfaqësuesve të lartë të Asamblesë së Këshillit të Evropës do të dëgjojë kërkesat e socialistëve në opozitë. Socialistët e kanë cilësuar hapjen e kutive të votimit një kusht të panegociueshëm dhe për këtë kërkojnë një hetim parlamentar, ku maxhoranca të mos ndërhyjë në objektin e hetimit. Në përfundim të këtij turi takimesh me drejtues të lartë të politikës, delegacioni i KiE-së do të rikthehet rreth orës 17.00 në Presidencë, ku për rreth një orë do të kenë një takim përmbledhës me Presidentin Bamir Topi, që tashmë është pozicionuar në rolin e negociatorit. Misioni i Këshillit të Evropës ka planifikuar që të gjitha rezultatet e takimeve t'i bëjë të ditura në një konferencë për shtyp, ditën e martë, në orën 10:30. Përveç kreut të Asamblesë Parlamentare të KiE, do të jenë pjesë e këtij misioni edhe dy raporterët për Shqipërinë, Jaakko Laakso dhe David Wilshire. Të tjerë përfaqësues të lartë të KiE do të jenë në Tiranë: Luca Volontè, Andreas Gross, Anne Brasseur, Tiny Cox, etj. Nga përfundimi i këtyre takimeve dhe mesazheve që ky delegacion do të japë, do të varet shumë dhe e ardhmja e bojkotit të parlamentit nga deputetë socialistë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›