Shkurtime edhe në drejtoritë arsimore
zirina llambro
Pas shkurtimit të 1300 mësuesve, u vjen radha punonjësve të drejtorive dhe zyrave arsimore. Me propozim të Ministrisë së Arsimit, Qeveria ka vendosur të riorganizojë këto struktura në çdo qark. Do të jetë MASH, që do të nxjerrë udhëzimet përkatëse për numrin e punonjësve dhe mënyrën e funksionimit të tyre. Ndonëse nuk është përcaktuar ende sesa do të jetë numri i punonjësve,vendimi i qeverisë “Për riorganizimin e drejtorive arsimore rajonale dhe zyrave arsimore”,saktëson mënyrën sesi do të trajtohen financiarisht personat që do të humbin vendin e punës.”Për punonjësit që pas riorganizimit do të mbeten pa vend pune, do të zbatohen dispozitat e Kodit të Punës. Ndryshe nga më parë, Tirana do të ketë dy drejtori Arsimore Rajonale.”Për qarkun e Tiranës do të ketë dy drejtori arsimore, nga të cilat DAR-Tiranë të mbulojë qytetin e Tiranës dhe DAR-i, i Qarkut Tiranë, të mbulojë fshatrat e Tiranës dhe ato të Kavajës”, thuhet në vendim. Drejtuesit e drejtorive arsimore do të zgjidhen me urdhër të Ministrisë së Arsimit, ndërsa ato të zyrave arsimore do të emërohen me urdhër të krerëve të drejtorive. Riorganizimi pritet të vihet në zbatim që nga muaji në vijim, pasi tashmë vendimi është zbardhur në fletoren zyrtare. Ndryshimet në mënyrën e funksionimit të këtyre strukturave bëhen pas 7 vitesh. Vendimi i 2003-shit është shfuqizuar. Reforma në drejtoritë arsimore sipas burimeve nga MASH vjen pasi është vënë re se në disa qarqe ka fryrje të strukturave. Po kështu ky ristrukturim pritet të sigurojë cilësi më të lartë të nivelit arsimor në vend. “Drejtoritë arsimore do të mbështesin MASH,në hartimin e politikave të zhvillimit në fushën e arsimit parauniversitar, duke marrë parasysh veçoritë demografike të terrenit të zhvillimit ekonomik dhe infrastrukturës vendore”,thuhet në vendim. Në të sanksionohen edhe funksionet e drejtorive dhe zyrave arsimore. Sa i përket këtyre të fundit,ato do të ndjekin kualifikimin e mësuesve,do të ndjekin shpërndarjen e tekstit shkollor në rang qarku, procesin e zhvillimit të Maturës Shtetërore si dhe problemet e braktisjes së nxënësve.
Funksionet e d rejtorive arsimore
Garantojnë zbatimin e udhëzimeve të MASH Harton projekte me karakter vendor Ndjek me përparësi arsimin profesional duke marrë masa për shtrirjen e tij Organizon provimet e Maturës dhe ato të Lirimit Ndjek shpërndarjen e tekstit shkollor në nivel qarku Zhvillon dhe mirëmban IT-në e statistikave të shkollave në vartësi Planifikon investimet e buxhetit dhe bën prokurime për qarkun Realizon vlerësimin real të shërbimit që ofrohet në arsim Organizon trajnimin e personelit mësimdhënës të shkollave në vartësi