E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mbledhje sekrete në Komisionin e Ligjeve, maxhoranca voton ndryshimet te SHISH



ADI SHKEMBI

Komisioni Parlamentar i Ligjeve ka miratuar ndryshimet në ligjin për Shërbimin Informativ Shtetëror. Në një mbledhje sekrete të datës 4 shkurt, në orën 11.30 janë kaluar pa asnjë votë kundër dhe asnjë abstenim, të gjitha amendamentet e propozuara nga Këshilli i Ministrave dhe disa të propozuar nga vetë SHISH-i. Gazeta ka siguruar dhe publikon sot procesverbalin e mbledhjes së këtij komisioni, në të cilën, ashtu si edhe në të gjitha seancat e derisotme kanë munguar deputetët e opozitës. Në këtë mbledhje, sipas dokumentit të paraqitur deputeti i Komisionit të Sigurisë, Fatos Hoxha ka zëvendësuar anëtarin e Komisionit të Ligjeve, Viktor Gumi. Procesverbali që botohet i plotë nuk është publikuar në faqen zyrtare të Kuvendit. Në adresën e internetit www.parlament.al të gjitha komisionet parlamentare kanë nxjerrë procesverbalet e mbledhjeve të zhvilluara. Në nënndarjen e Komisionit të Ligjeve, rezulton se më afër datës 4 shkurt, kur është zhvilluar edhe mbledhja ku u miratuan ndryshimet për ligjin e SHISH, janë botuar mbledhjet e datës 3 shkurt, ku është miratuar projektligji "Për krijimin e fondit special të kompensimit të pronave" dhe ai i datës 9 shkurt, ku është miratuar projektligji "për ratifikimin e marrëveshjes ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Letonisë, për mbrojtjen e ndërsjellë të informacionit të klasifikuar". Qeveria miratoi në mbledhjen e saj të 20 janarit disa ndryshime në ligjin për Shërbimin Informativ Shtetëror. Në atë mbledhje, Kryeministri Berisha i vlerësoi si të rëndësishme amendamentet e paraqitura. "Këto ndryshime synojnë të përshtatin objektivat e punës së shërbimit me kërkesat e kohës, me kërkesat e mëdha që shtrohen para vendit pas anëtarësimit në NATO, por edhe në procesin e integrimit të tij në Bashkimin Evropian. Në objektin e punës, qartësohet më mirë, detyra e Shërbimit për të ndihmuar ndonëse ndihmon, agjencitë e zbatimit të ligjit në luftën kundër krimit të organizuar, shtohet një objektiv i ri, lufta kundër korrupsionit të personit publik", theksoi në të njëjtën ditë Kryeministri. Më pas projektligji i Qeverisë kaloi për shqyrtim në komisionet parlamentare. I pari që e ka diskutuar dhe që sipas procesverbalit e ka miratuar është Komisioni i Ligjeve. Por sipas procedurës parlamentare, komisioni përgjegjës është ai i Sigurisë Kombëtare. Burime pranë këtij komisioni bëjnë të ditur për gazetën, se miratimi i ligjit do të bëhet përmes disa seancave, ndërkohë që pritet paraqitja në komision edhe të kreut aktual të SHISH-it.

Presioni tërhoqi Qeverinë

BLENDI FEVZIU

Ndërkohë që Komisioni i Ligjeve miratoi disa ndryshime në ligjin e SHISH-it, maxhoranca vendosi të tërhiqet përkohësisht nga varianti i saj. Shkak për këtë hap mbrapa u bënë disa komente të ambasadorëve të huaj në Tiranë, të cilët shprehën dyshimet e tyre për këto amendamente. Në një prononcim, ambasadori i delegacionit të Komisionit Evropian në Tiranë, Helmut Lohan theksoi se gjatë përgatitjes së opinionit për kërkesën e Shqipërisë për anëtarësimin në Bashkimin Evropian, Brukseli zyrtar do të shohë me kujdes edhe çështjet e kompetencave të institucioneve të pavarura. "Në procesin e përgatitjes së opinionit për kërkesën e Shqipërisë për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe vlerësimit të kritereve politike, Komisioni Evropian merr në analizë edhe çështje të tilla, si për shembull kompetencat e Shërbimit Informativ në një shoqëri demokratike, llogaridhënien dhe kontrollin e tij", theksoi Lohan. Nga ana tjetër edhe Uashingtoni i kërkon Qeverisë që të bëjë kujdes në miratimin e ndryshimeve në ligjin për Shërbimin Informativ Shtetëror. "Lidhur me projektligjin për Shërbimin Informativ, është një çështje me rëndësi që meriton të shqyrtohet me kujdes dhe durim. Shqyrtimi duhet të marrë parasysh aspiratat euroatlantike të Shqipërisë dhe detyrimet e saj si një aleat i NATO-s", tha zëdhënësi i Ambasadës Amerikane në Tiranë në prononcimin për Top Channel. Nga ana tjetër edhe opozita e ka kundërshtuar draftin e Qeverisë. Kreu i PS-së, Edi Rama tha se ruajtja e këtij institucioni nga pushteti është kushti i ri i pakicës për dialog. "Unë ju them se në rast se Sali Berisha do të prekë SHISH, i cili më së fundi, pas një kalvari të gjatë, u kthye në një shërbim i shtetit dhe jo i pushtetit, atëherë jo vetëm që do të jetë një arsye më shumë për të protestuar për largimin e tij dhe qeverisë së tij, por do të jetë fundi i çdo shansi për dialog", tha Rama.

Procesverbal
Datë 04.02.2010, ora 11:30
Drejton mbledhjen ILIR RUSMALI- kryetar komisioni
Rendi i ditës:
1. Miratimi i procesverbalit
2. Projektligji "për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 28.10.1998 'Për Shërbimin Informativ të Shtetit', të ndryshuar".
Marrin pjesë:
Ilir Rusmali, Eduard Halimi, Gent Strazimiri, Dashnor Sula, Paulina Hoti, Ylli Lama, Nasip Naço, Arenca Trashani, Enkelejd Alibeaj, Astrit Bushati, Fatos Hoxha (zëvendëson Viktor Gumin)
Mungojnë:
Deputetët e opozitës
Të ftuar:
OERD BYLYKBASHI- shef i Kabinetit të Kryeministrit
BOJANA HAJDINI- ndihmëse e Kryeministrit
HAPET MBLEDHJA
Miratohet procesverbali
ILIR RUSMALI- Fillojmë mbledhjen e sotme me shqyrtimin e projektligjit "Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 28.10.1998 'Për Shërbimin Informativ të Shtetit', të ndryshuar". Për të prezantuar këtë projektligj kanë ardhur zoti OERD BYLYKBASHI, shef i Kabinetit të Kryeministrit të Republikës së Shqipërisë dhe zonja BOJANA HAJDINI, ndihmëse e Kryeministrit.
Faleminderit që jeni sot, këtu me ne!
Fillimisht, do të doja të dëgjoja përfaqësuesit e Qeverisë në një prezantim të shkurtër të këtij projektligji, përpara se të kalojmë te diskutimet.
Zoti Bylykbashi.
OERD BYLYKBASHI- Faleminderit!
Projektligji që ju keni përpara është ndryshimi i parë që i bëhet Shërbimit Informativ të Shtetit. Këto ndryshime vijnë të nevojshme për shkak të problematikave që shtrohen dhe që janë shtuar përballë Shërbimit Informativ të Shtetit, në lidhje me mbrojtjen e sigurisë kombëtare të Shqipërisë dhe në përputhje me strategjinë kombëtare të sigurisë. Ky projektligj ka bërë disa ndryshime, të cilat, kryesisht, konsistojnë në zgjerimin dhe në saktësimin e detyrave të institucionit, për të përballuar sfidat e reja që pop kalon Shqipëria, qoftë në kontekstin luajal, qoftë në kontekstin global. Kjo në lidhje me problematika të terrorizmit, trafikut të armëve, lëndëve narkotike, trafikut të qenieve njerëzore dhe krimit të organizuar në përgjithësi. Duhet të mos harrojmë trafikun, që Strategjia Kombëtare e Sigurisë e parashikon krimin e organizuar si një nga çështjet kryesore që e kërcënojnë sigurinë. Për rrjedhojë, Këshilli i Ministrave në propozimin e vet, mendon që duke e saktësuar dhe duke e zgjeruar bazën ligjore të Shërbimit Informativ të Shtetit, ai do të jetë në gjendje që t'i përballojë këto sfida me një mbështetje ligjore më të saktë dhe më të gjerë. Një element tjetër shtesë, si një sfidë e fortë që i bëhet shtetit, është pikërisht edhe dhënia e bazës ligjore për Shërbimin Informativ të Shtetit për të ndihmuar organet e zbatimit të ligjit në luftën kundër korrupsionit. Në lidhje me këtë çështje, është bërë një kufizim i këtij elementi (dhënia e bazës ligjore) vetëm te personat që kanë funksione publike. Për të bërë këtë, ne jemi bazuar edhe në eksperiencat e vendeve të tjera anëtare të Bashkimit Evropian. Njëra prej tyre është Polonia.
Gjithashtu këto ndryshime të rëndësishme në projektligj synojnë depolitizimin e mëtejshëm të Shërbimit Informativ të Shtetit. Së pari, sugjerohet një dispozitë, e cila synon ndalimin e mbledhjes së informacioneve nga Shërbimi Informativ i Shtetit në favor të partive politike. Kjo është një dispozitë e marrë pothuajse njësoj nga ligji britanik dhe që synon që ta bëjë më të qartë këtë lloj depolitizomi të Shërbimit Informativ të Shtetit.
Një element tjetër i rëndësishëm në këtë drejtim, mendoj se është edhe vendosja e mandatit 5 vjeçar. Gjykuam që ky ishte termi më i përshtatshëm. Drejtori i Shërbimit Informativ të Shtetit nuk kishte një afat për mandatin e tij. Kjo gjë jo vetëm që është një normë kushtetuese për një seri institucionesh, por është edhe një traditë e konsoliduar, që institucionet e rëndësishme kanë një mandat. Gjithashtu, kjo ndihmon edhe në pavarësinë e institucionit, kjo e kompromentuar nga procedura kushtetuese për emërimin dhe për shkarkimin e drejtorit dhe të zëvendësdrejtorit të Shërbimit Informativ të Shtetit.
Një element shtesë i rëndësishëm është edhe rritja e transparencës në procedurën e emërimit të drejtorit dhe të zëvendësdrejtorit, duke futur procedurën e konsultimit të kandidaturës që Kryeministri propozon dhe konsultim paraprak të Komisionit Parlamentar për çështjet e Sigurisë Kombëtare. Kjo ndërhyrje synon që të rrisë transparencën e emërimit si dhe të rrisë mbështetjen dhe besimin sa më të gjerë të forcave politike për profesionalizmin dhe për paanshmërinë e kandidatit që do të emërohet nga Presidenti, me propozim nga Kryeministri. Kjo procedurë është e vlefshme, si për drejtorin, ashtu edhe për zëvendësdrejtorin e Shërbimit Informativ të Shtetit.
Një ndryshim tjetër i rëndësishëm, është edhe miratimi që merr Shërbimi Informativ i Shtetit nga Kryeministri në lidhje me bashkëpunimet me shërbimet e tjera homologe. Gjithashtu, ky miratim duhet edhe në lidhje me mbledhjen e informacioneve për shërbime të tjera që operojnë në Shqipëri. Në këtë mënyrë garantohet një përputhshmëri më e plotë me misionin e Shërbimit, por edhe me politikat e përgjithshme, qoftë të sigurisë, qoftë edhe të bashkëpunimit me shtetet e tjera.
Ne besojmë se këto ndryshime dhe shtesa të propozuara në projektligj, do ti shërbejnë Shërbimit Informativ të Shtetit që të përputhet dhe të përshtatet me sfidat e reja, sidomos ato që u fituan me daljen në skenë të forcave të terrorizmit, por edhe me sfidat e tjera që cenojnë në mënyrë të drejtpërdrejtë sigurinë kombëtare të Republikës së Shqipërisë. Gjithsesi duke e mbajtur të qartë diferencën midis rolit të shërbimit si një organ, i cili mbledh informacion në funksion të garantimit të sigurisë kombëtare, me rolin që kanë organet e zbatimit të ligjit, të cilat do të asistohen nëpërmjet informacioneve të rëndësishme që mbledh Shërbimi në luftën kundër atyre elementëve që parashikohen në objektin e punës.
ILIR RUSMALI- Faleminderit, zoti Bylykbashi, për shtjellimin e përmbajtjes së projektligjit!
Ka pyetje nga kolegët? Për nene të veçanta, mund të pyesim më vonë.
Zoti Strazimiri, keni fjalën.
GENT STRAZIMIRI- Për statusin e drejtorit dhe të nëndrejtorit të Shërbimit Informativ, në ligj thuhet 'për efekt të trajtimit financiar, drejtori ka status të njëjtë me ministrin, ndërsa zëvendësdrejtori ka status të njëjtë me zëvendësministrin'. Ky përkufizim është vetëm për pagën dhe jo për garancitë dhe imunitetin që gëzon ministri, apo jo?
OERD BYLYKBASHI- Kjo dispozitë nuk është ndryshuar dhe është marrë nga ligji bazë siç ka qenë më parë. Në mënyrë specifike i referohet trajtimit financiar të drejtorit dhe zëvendësdrejtorit.
GENT STRAZIMIRI- Përveç faktit që kufizohet mandati i drejtuesve të Shërbimit Informativ Kombëtar, a parashikohen në ligj rastet kur mund të shkarkohen titullarët papara afatit?
OERD BYLYKBASHI- Ligji ekzistues nuk ka kushte për përfundimin para kohe të mandatit, gjithashtu, edhe ky projektligj nuk vendos të tilla. Megjithatë ligji parashikon një situatë, ku zëvendësdrejtori e zëvendëson drejtorin jo më shumë se tri muaj, për shkaqe shëndetësore, pra kur ai nuk është në gjendje të ushtrojë detyrën. Kjo nënkupton zëvendësimin e drejtorit për këtë rast.
ILIR RUSMALI- Ka pyetje të tjera?
Zoti Hoxha, keni fjalën.
FATOS HOXHA- Nuk e di se si e keni menduar këtë pikë, sepse më parë kanë qenë shumë funksione pa mandate, për shembull, drejtori i Përgjithshëm i Policisë. Por, në ligjet që kemi kaluar, kemi vënë afate kohore të mandatit dhe kemi parashikuar dhe një nen të veçantë, që tregon rastet kur i ndërpritet mandati para kohe titullarit. Ndërsa në këtë rast, nuk kemi një dispozitë të tillë dhe kjo nuk më duket normale.
OERD BYLYKBASHI- Duhet të kemi të qartë se ligji ekzistues nuk i ka këto kushte. Mos ekzistenca e mandatit, nuk do të thotë se ligji e ka të nevojshme apo të panevojshme ekzistencën e kushteve për përfundimin para kohe, qoftë edhe të detyrës së drejtorit apo zëvendësdrejtorit, pra jo të mandatit.
Projektligji ka synuar të rregullojë pikërisht këto që ne po paraqesim sot. Projektligji, në këtë formë, siç ka ardhur këtu, në mënyrë implicite, jep një kusht për zëvendësdrejtorin dhe drejtorin, që është pamundësia shëndetësore për të ushtruar detyrën, jo shkaqe të tjera. Në këto kushte nuk mund të zëvendësohet drejtori brenda afatit 3 mujor, si rrjedhojë zëvendësimi i tij bëhet, sipas ligjit, vetëm për arsye shëndetësore. Por kjo çështje mbetet në gjykimin tuaj, projektligji nuk ka synuar të trajtojë më tepër se kaq.
ILIR RUSMALI- Ka pyetje të tjera?
Zoti Sula, keni fjalën.
DASHNOR SULA- Faleminderit, zoti kryetar!
Unë mendoj se ky projektligj është i rëndësishëm, por dy janë nenet kryesore, më saktë ndryshimet në nenet 3 dhe 5 të ligjit bazë. Veprimtaria e Shërbimit Informativ deri tani ka qenë e kufizuar në ruajtjen e rendit kushtetues, në mbledhjen e informacioneve dhe në luftën kundër terrorizmit. Tani që i zgjerohen kompetencat edhe për krime, të cilat i hetojnë Policia Gjyqësore dhe Ministria e Brendshme, cilat do të jenë mjetet që do të përdorë SHISH? Deri ku do të arrijë me mjetet e tij të grumbullojë këto informacione dhe t'i dërgojë në institucione të tjera? A do të ketë ndonjë udhëzim të veçantë apo rregullore që, duke u hetuar për kontrabandën, si dhe për pastrimin e parave, të mos ketë përplasje me institucionet e tjera?
OERD BYLYKBASHI- Në paragrafin e dytë, të nenit 2, të ligjit ekzistues thuhet "SHISH ushtron veprimtarinë e vet duke përdorur mënyra dhe mjete të ligjshme". Më pas në nenin 6 thuhet "Shërbimi Informativ Kombëtar ushtron veprimtarinë e tij në përputhje me procedurat e hartuara nga kryetari dhe të miratuara nga Prokurori i Përgjithshëm në Republikën e Shqipërisë". Prokurori i Përgjithshëm ka të drejtë të ushtrojë kontroll mbi zbatimin e këtyre procedurave.
Në vijim thuhet "këto procedura përcaktojnë mënyrat e sigurimit të informacionit nga zbulimi dhe kundërzbulimi, përdorimin e teknikave të kontrollit fizik dhe elektronik, format e nevojshme për të mbrojtur metodat dhe burimet e zbulimit dhe të kundërzbulimit nga ndërhyrjet e paautorizuara, rrugët për verifikimin dhe vërtetimin e burimit të informacionit, mbledhjen e informacionit në lidhje me personat që parashikohen të jenë burim informacioni. Ndalohet përdorimi i këtyre procedurave ndaj deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë, pa marrë më parë autorizimin me shkrim nga kryetari i Kuvendit dhe ndaj anëtarëve të Këshillit të Ministrave, pa marrë më parë leje me shkrim nga Kryeministri".
Neni 9 thotë: "Shërbimi Informativ Shtetëror nuk kryen veprimtari të karakterit ushtarak ose policor". Kjo është laksative. "Kur SHISH-i krijon bindjen për një shkelje të ligjit, informon në institucionet përkatëse, duke mbrojtur burimet dhe metodat informative".
Pra, këto janë rregulla që sot ekzistojnë dhe zbatohen konkretisht nga shërbimi.
ILIR RUSMALI- Faleminderit, zoti Bylykbashi!
Pyetje tjetër?
Po, zonja Hoti.
PAULINA HOTI- Faleminderit, zoti kryetar!
Në materialin që na është paraqitur kemi edhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese, e cila kërkon që SHIK-u të quhet SHISH, Shërbimi Informativ i Shtetit.
Ligji bazë në disa nene ka ndryshuar, në disa nene jo. Duke qenë se ne bëjmë ndryshimin e ligjit bazë, a nuk do të ishte mirë që të propozonim edhe ndryshimet e atyre neneve që nuk janë të pasqyruara? Gjithashtu edhe ndryshimin e titullit.
Faleminderit!
OERD BYLYKBASHI- Në fakt, projekt- propozimi është ai që ju keni përpara, edhe pse ne kemi bërë disa shtesa.
Ne do të sugjeronim, gjithashtu, të shtohej edhe një nen, në të cilin të shkruhej: "Në të gjithë përmbajtjen e ligjit fjalët 'Shërbimi Informativ Kombëtar' të zëvendësohen me fjalët 'Shërbimi Informativ i Shtetit' dhe emërtimi SHIK të zëvendësohet me emërimin SHISH.
Edhe "Kuvendi Popullor" duhet saktësuar me fjalën "Kuvendi".
ILIR RUSMALI- Pyetje tjetër?
Po, zonja Trashani.
ARENCA TRASHANI- Te neni 8 thuhet: "Nënkomisioni i përhershëm parlamentar i ngritur do të kontrollojë përdorimin e këtyre fondeve". A vazhdon të ekzistojë ky nënkomision i përhershëm parlamentar?
Bëhet fjalë për nenin 8 të ligjit ekzistues.
OERD BYLYKBASHI- Unë nuk jam në dijeni të ekzistencës së kësaj strukture. Kështu që është me përshtatshme të bëhet saktësimi konkret.
ILIR RUSMALI-A ka pyetje të tjera?
A ka diskutime në parim për projektligjin? Nuk ka.
Miratohet projektligji në parim.
Kalojmë te shqyrtimi i projektligjit nen për nen.
Neni 1.
Ka pyetje? Diskutime?
Zoti Bylykbashi, keni këtu disa dispozita që përsëriten, ose që rimerren dhe riformulohen nga neni bazë, por keni edhe disa dispozita të reja, të cilat zgjerojnë fushën e veprimit të shërbimit.
Unë kam një pyetje lidhur me germën 'e' të këtij neni, e cila thotë: "Të certifikojë personat sipas përcaktimeve ligjore". Për çfarë t'i certifikojë?
Besoj se kjo ka nevojë që të sqarohet.
OERD BYLYKBASHI:-Ne do të sugjerojmë që duke zbatuar teknikën legjislative, pas certifikimit të personave të vemi në kllapa fjalën 'vetting'. Vetting është një procedurë certifikimi e sigurisë, qoftë përshtatshmërisë së personalit, qoftë njohurisë së personit lidhur me procedurat e përdorimit dhe eksesit të dokumentacionit të klasifikuar.
Sot, si procedurë, kjo zhvillohet në një formë ndoshta akoma jo të plotë, nga DSIK. Kjo në lidhje me dokumentacionin e klasifikuar, por ka nevojë për një zgjerim. Aktualisht po punohet, pikërisht për të mbushur nevojën që krijon legjislacioni, në lidhje me procedurat e vetting-ut që është një procedurë e njohur në fushën përkatëse në shtetet e tjera.
ILIR RUSMALI-A mund të ma përsërisni edhe një herë?
Më falni për injorancën, por unë nuk e njoh këtë procedurë. çfarë procedure është kjo?
OERD BYLYKBASHI-Vetting. është e ngjashme me procedurën që parashikonte ligji "Për pastërtinë e figurës". Kontrolli, që sot e kësaj dite bëhet nga DSIK, i kërkon Shërbimit që të verifikojë përshtatshmërinë e individëve që do të kenë akses te dokumentacioni i klasifikuar.
ILIR RUSMALI-Ju po thoni se këtë shërbim nuk do ta kryejë më kjo drejtori, DSIK, por do ta kryejë Shërbimi?
OERD BYLYKBASHI-Aktualisht DSIK-ja e bën këtë nëpërmjet aktesh nënligjore dhe vetëm në lidhje me informacionin e klasifikuar.
Ndërkohë që procedurat e vetting-ut janë më të gjëra se kaq. Ka persona që ushtrojnë detyra shumë të rëndësishme, në pikat nevralgjike, në lidhje me sigurinë kombëtare. Nuk është vetëm çështje dokumentacioni, mund të jetë edhe çështje teknologjie, ose aksesi në vende të caktuara. Gjithsesi, janë çështje të cilat kanë rëndësi për sigurinë kombëtare.
Për rrjedhojë, sugjerohet që këto procedura certifikimi, që sot shërbimi i bën me kërkesë të DSIK-së, t'i ketë drejtpërdrejtë të autorizuara nga ligji për t'i bërë. sigurisht që legjislacioni i nevojshëm është në fazën e përgatitjes.
ILIR RUSMALI-Kam një pyetje në lidhje me germën 'ç' të këtij neni. I jepet mundësia shërbimit që të mbështesë veprimtarinë e forcave policore dhe të agjencive të tjera të zbatimit të ligjit për parandalimin e krimeve të rënda. Siç e thatë edhe ju, ligji ka një dispozitë, e cila përcakton bashkëpunimin institucional dhe ky bashkëpunim përcaktohet sipas asaj që thuhet në paragrafin 2 të nenit 9. Pra, "Kur SHISH-i krijon bindjen për një shkelje të ligjit, informon institucionin përkatës, duke mbrojtur metodat dhe burimet informative". Kjo do të thotë se sa herë SHISH-i vihet në dijeni, gjatë veprimtarisë së tij, për informacione sensitive për organet e tjera, ua përcjell atyre këtë informacion. Germa 'ç', që ju keni futur në fushën e veprimit, do të thotë se SHISH-i mund të marrë kërkesa nga institucionet e tjera dhe të veprojë për llogari të tyre dhe këtë e bën me anë të mbledhjes së informacionit, jo duke bërë arrestime! Ku konsiston kjo?
OERD BYLYKBASHI-Ligji e thotë në mënyrë specifike, te neni 9, se SHISH-i nuk kryen veprimtari të karakterit ushtarak ose policor. Për rrjedhojë nuk ka kompetenca të zbatimit të ligjit. SHISH-i e jep mbështetjen duke e çuar informacionin tek institucionet e tjera, sipas parashikimit të cituar në paragrafin 2 të nenit 9. Neni për të cilin po flasim, pra neni 3, i cili po ndryshohet, liston gamën e kompetencave dhe veprimtarive që kryen SHISH-i. Ligji e detajon më mirë mënyrën se si e bën këtë.
ILIR RUSMALI-Vërtet futet te germa 'ç', por realizimi i kësaj mbështetjeje do të bëhet sipas parashikimeve në paragrafin 2 të këtij neni dhe jo në forma të tjera.
OERD BYLYKBASHI-Po! SHISH-i nuk limitohet vetëm te mbledhja dhe mbajtja e informacionit. Në momentin që mbledh informacion të rëndësishëm, ai duhet t'ua kalojë atë shërbimeve të zbatimit të ligjit, në përputhje me gamën e problematikave që Shërbimi ka për detyrë të ndjekë. Pra duhet ta shpërndajë. Unë besoj se neni 9 rregullon në mënyrë më të detajuar atë që thotë germa 'ç' e nenit 3.
(Ka ndërhyrje nga salla).
Procedurat janë përcaktuar në rregullore të brendshme. Për më tepër, neni 6 thotë se procedurat miratohen nga drejtori dhe Prokurori i Përgjithshëm.
ILIR RUSMALI-A ka pyetje të tjera për këtë nen?
Po, zoti Bylykbashi!
OERD BYLYKBASHI-Ndoshta duhet bërë një saktësim te paragrafi i parafundit i nenit 3, i cili thotë: "Për realizimin e funksioneve të mësipërme, SHISH-i ruan raporte të drejta, ndërmjet nevojës së sigurimit të informacionit të domosdoshëm dhe respektimit të së drejtave dhe lirive themelore të njeriut". Kjo terminologji është edhe në Kushtetutë, por mund të heqim termin "themelor" dhe ta themi thjesht "lirive dhe të drejtave të njeriut", për të qenë sa më garantues.
ILIR RUSMALI-Pra, ju thoni që të hiqet fjala "themelore"?!
OERD BYLYKBASHI-Unë e thashë që në fillim që kjo është terminologjia kushtetuese, prandaj e kemi vënë në ligj, por më mirë e lemë në gjykimin tuaj. Nëse termi "themelore" mund të interpretohet si më restriktive, atëherë e ndryshojmë.
ILIR RUSMALI-Atë e përcakton Kushtetuta si themelore. Detyra juaj është ruajtja e proporcionalitetit në raport me to.
OERD BYLYKBASHI-Po!
ILIR RUSMALI-A ka diskutime? Nuk ka.
Miratohet
Neni 2?
Po, zoti Alibeaj!
ENKELEJD ALIBEAJ-Po shpjegoj se si e keni realizuar ju dhe se si e mendojmë ne. Unë besoj se çështja më e rëndësishme në këtë pikë, është se te neni i parë keni përdorur termin "përgjigjet", kurse në të dytin "është përgjegjës". çfarë ndodh nëse nuk është përgjegjës? A e keni menduar si një fushë, e cila do të duhet të disiplinohet me ligj, apo jeni mjaftuar thjesht me deklarimin e këtyre përgjegjësive?
OERD BYLYKBASHI-E kam të qartë diferencën që kërkoni të bëni, por unë besoj se termi "përgjigjet", ashtu dhe termi "përgjegjës" vë barrën mbi drejtorin e Shërbimit për të kontrolluar të gjitha elementët që përcaktohen në nenin 5. Projekti nuk ka shkuar më tej për të përcaktuar sanksione, në rast paaftësie apo mospërmbushje të detyrës nga drejtori i përgjithshëm, ku hyn, sigurisht, procedura e raportimit që bën Presidenti dhe Kryeministri. Këta të fundit janë organet e emërtesës që më pas do të gjykojnë përshtatshmërinë e punës së drejtorit në lidhje me eventualitetin e një mandati të dytë.
ILIR RUSMALI-A ka pyetje të tjera? Diskutime? Propozime alternative?
Nuk ka.
Miratohet neni 2.
Neni 3. Kush ka pyetje?
ARENCA TRASHANI- Te neni 3 keni thënë: "Me propozim të Kryeministrit, Presidenti i Republikës emëron dhe shkarkon drejtorin e Shërbimit Informativ të Shtetit". E njëjta procedurë ndiqet edhe për zëvendësdrejtorin, por vetëm për emërimin. Kush e shkarkon atë? Projektligji ekzistues thotë që ndiqet e njëjta procedurë edhe për zëvendësdrejtorin, por këtu nuk përmendet fare.
ILIR RUSMALI-Faleminderit!
Zoti Bylykbashi.
OERD BYLYKBASHI-Faleminderit!
jam dakord që të përdoret e njëjta formulë edhe në rastin e zëvendësdrejtorit. Prandaj sugjeroj të bëhet: "Edhe zëvendësdrejtori qëndron në detyrë për një mandat 5 vjeçar me të drejtë riemërimi vetëm një herë".
DASHNOR SULA-Në pikën 3 të nenit 3 thuhet: "Zëvendësdrejtori zëvendëson drejtorin, në rastet kur ky i fundit ndodhet jashtë shtetit, ose kur mungon në detyrë për arsye shëndetësore për një periudhë jo më shumë se tre muaj" Shqetësimi që ngritën kolegët pak më parë është i ligjshëm. Në qoftë se ai mungon për më shumë se tre muaj, çfarë do të bëhet?
OERD BYLYKBASHI-E thashë edhe më përpara, dispozita nuk e trajton në mënyrë të drejtpërdrejtë. Pra, nuk e vë kusht në një nen të veçantë. Me kalimin e periudhës prej tre muajsh, për pamundësi shëndetësore të drejtorit, zëvendësdrejtori nuk mund të vazhdojë ta zëvendësojë atë, për rrjedhojë është i nevojshëm zëvendësimi i tij në këtë detyrë. Sigurisht që deshëm të jemi shumë specifikë, duke përmendur arsyen shëndetësore, sepse drejtori nuk mund të jetë në krye të detyrës edhe për shumë arsye të tjera, por në këto raste ai zëvendësohet. Pra, besoj se është i qartë në pikën tjetër. është në varësi të gjykimit tuaj nëse duhet të ketë diçka më specifike. Megjithatë, ne menduam të ishte në këtë formë.
DASHNOR SULA - Në praktikë mund të ndodhë, aludojmë gjithmonë, që drejtori të mos vijë në punë 2 muaj e gjysmë, pastaj vjen 10 ditë, më pas nuk vjen përsëri 3 muaj. Pra, ndodh që ai mund të jetë i sëmurë.
OERD BYLYKBASHI - Fillimi i nenit thotë diçka në lidhje me përcaktimin e sanksionit. Gjithsesi, në pikën 1 të nenit 5 thuhet (duke respektuar terminologjinë kushtetuese): "… emëron dhe shkarkon…". Pra, Kryeministri dhe Presidenti nuk kufizohen vetëm tek emërimi dhe presin skadimin e mandatit 5-vjeçar, por mund ta bëjnë shkarkimin, sigurisht, Brenda kohëzgjatjes pesëvjeçare të këtij mandate. Kjo varet nga performanca që bën drejtuesi. Garancia këtu është dispozita kushtetuese, e cila e lë në duart e dy institucioneve procedurën e emërimit dhe të shkarkimit. Megjithëse, nëse për këtë duhet të ndërhyjmë dhe të bëjmë një shtesë, e gjykoni ju nëse është e arsyeshme apo jo. Ndoshta do të ishte e nevojshme që edhe në rastin e zëvendësdrejtorit të përdoren të njëjtat terma "emëron dhe shkarkon". Megjithatë, ky ka qenë propozimi ynë. Në qoftë se e shikoni të nevojshme krijimin e këtij paralelizmi, gjykojeni ju.
ILIR RUSMALI - Po, fjalën e ka zoti Alibeaj.
ENKELEJD ALIBEAJ - Dua një sqarim për pikën 1, paragrafi i dytë, sepse besoj se është një argument i cili duhet diskutuar. Neni 5, pika 1 thuhet: "Drejtori qëndron në detyrë për një mandate 5vjeçar me të drejtë riemërimi në detyrë vetëm një herë". Nuk po flas për mënyrën se si është shkruar. Por për efektet e këtij parashikimi. A e keni analizuar ju faktin q , nëse ky ligj aplikohet tërësisht, 15 ditë pas botimit nga Kuvendi, ai do të japë efektet për çdo lloj dispozite, edhe për këtë dispozitë, edhe për dispozitën më sipër. E keni analizuar situatën e mundshme të ndonjë lloj kontradikte me konceptet e parimit të sigurisë juridike, të elaboruar nga Gjykata Kushtetuese, në rastin e vazhdimit të mandateve që në një moment kanë qenë të pa limituara, në një moment tjetër kanë qenë të limituara ose të një lloj mekanizmi që të kalojë këtë lloj impasi, apo jo?
OERD BYLYKBASHI - Për këtë do të sillja në vëmendjen tuaj ndryshimet që janë bërë në Kodin Zgjedhor në vitin 2004. Një amendim i Kodit Zgjedhor, në atë kohë, pati efekte me mandatin e përcaktuar me ligj nga anëtarë të atij institucioni.
Kjo është përcaktuar tashmë, e njohur nga Kuvendi dhe nuk besoj që do të na shtrohet ky problem. Nëse nuk gabohem, në atë kohë, në Gjykatën Kushtetuese kanë shkuar disa anëtarë të Komisionit të Zgjedhjeve, të cilët, për shkak të ndryshimit në ligj, u zëvendësuan.
ILIR RUSMALI - A ka pyetje apo diskutime? Nuk ka.
Atëherë kemi propozimin që në paragrafin e dytë të shtohet fjala "dhe shkarkon" pas fjalës "emëron", për analogji me paragrafin e parë. Paragrafi i dytë i pikës së parë të bëhet: "drejtori dhe zëvendësdrejtori qëndrojnë në detyrë për një mandate 5-vjeçar, me të drejtë riemërimi vetëm një herë". Vetëkuptohet që ky paragraf do të dilte pas paragrafit të dytë.
Jeni dakord me këto riformulime?
Neni 3 miratohet me riformulimet e propozuara.
A keni pyetje apo diskutime për nenin 4?
Urdhëroni, zonja Hoti!
PAULINA HOTI- Faleminderit, zoti kryetar!
Duke qenë se neni 4 u referohet ndryshimeve ose shfuqizimit të nenit 7, a është më e logjikshme që të bëjmë ndryshimet më parë në nenin 6?
ILIR RUSMALI - Dakord, por mund t'i lëmë për në fund?
Urdhëroni, zoti Bylykbashi!
OERD BYLYKBASHI - praktikisht shfuqizimi që propozojmë bëhet sepse këtë e kemi parashikuar në nenin më sipër. Kjo është e vetmja arsye.
ILIR RUSMALI - Neni 4 miratohet.
Kalojmë në nenin 5.
A ka pyetje apo diskutime?
Urdhëroni, zoti Alibeaj!
ENKELEJD ALIBEAJ - Kur thuhet "me miratimin e Kryeministrit", mos është ideja me miratimin paraprak të Kryeministrit?
OERD BYLYKBASHI - Kur hyn në marrëdhënie bashkëpunimi me shërbimet e tjera, Kryeministri jo domosdoshmërisht miraton çdo lloj veprimi që do të bëjë shërbimi në ushtrimin e detyrave të veta, por jep edhe konsensusin lidhur me këtë bashkëpunim.
Ky është qëllimi që Kryeministri të japë një miratim në parim për këtë lloj bashkëpunimi.
Sigurisht, më pas vijnë shumë elementë të tjera që marrin OK nga Kryeministri. çështja është sa ata i kanë të përcaktuara si procedurat, ashtu dhe praktikën e punës. Nëse ne e limitojmë, mund t'u kufizojmë shumë funksione që ata i kryejnë sot e kësaj dite mbi bazën e procedurave të tyre të miratuara.
ILIR RUSMALI - A ka pyetje apo diskutime të tjera? Nuk ka. A ka diskutime? Nuk ka. A ka propozime?
Urdhëroni, zoti Bylykbashi!
OERD BYLYKBASHI - Ne kemi marrë një set propozimesh të bëra nga vetë Shërbimi. Që korrespondojnë në masë të madhe me problematikat që duhen trajtuar për të njëjtat arsye, për t'u përputhur me sfidat e reja. Janë disa elemente që ju nuk i keni këtu, kështu që, nëse është e mundur, ne mund t'i shtojmë këto çështje.
ILIR RUSMALI - Neni 5 miratohet.
A ka pyetje apo diskutime për neni 6? Nuk ka.
Miratohet.
Ne na duhet të shtojmë dispozitën "Për korrigjimin e emërimit të organit" dhe këtë së bashku me referencat e nenit që bën fjalë për nënkomisionin, ia shtrojmë si propozim Komisionit për Sigurinë Kombëtare.
OERD BYLYKBASHI - Ne mendojmë se do të ishte e nevojshme që paragrafi i parë i nenit 2 të ndryshohet si vijon: "Shërbimi Informativ i Shtetit siguron informacionin e domosdoshëm nga jashtë dhe brenda vendit, për problemet që lidhen me sigurimin kombëtar…". Më pas të mbetet ajo që ishte "…SHISH ushtron veprimtarinë e vet duke përdorur mënyra dhe mjete të ligjshme.".
ILIR RUSMALI - Neni 2 i ligjit bazë do të futej si amendament para nenit 1…
OERD BYLYKBASHI - Nuk përdoret terminologjia "zbulim dhe kundërzbulim", por përdoret "siguron informacionin e domosdoshëm nga jashtë dhe Brenda vendit për problemet që lidhen më sigurimin kombëtar".
ILIR RUSMALI - Vetëm paragrafi i parë ndryshon.
OERD BYLYKBASHI - Po, paragrafi i parë. Kjo është e nevojshme, sepse gjithmonë mbi bazën e këtyre sugjerimeve që ne mendojmë se janë të drejta e kaluam nenin 3. Aty do të saktësohej më mirë. Ai që ishte si paragraf i parë, ose germa "a" e projektligjit të propozuar, pra neni 3 do të fillonte: "Shërbimi Informativ i Shtetit ka për mision të mbrojë sigurinë kombëtare. Në veçanti, mbrojtjen kundër kërcënimeve nga spiunazhi, terrorizmi dhe sabotazhi, si dhe nga veprimet që synojnë përmbysjen e sistemit të demokracisë parlamentare, duke ushtruar detyrat si ,më poshtë: …".
Pra, germa "a" del si një deklaratë qëllimi dhe besojmë se këto dy elemente që propozohen e saktësojnë dhe janë në përputhje më ndryshimin e nenit 2, germa "a" "Mbledh informacionin dhe kryen veprimtari zbulimi për aktivitetet që zhvillohen jashtë vendit në funksion të sigurimit të kombëtar, mbledh informacionin dhe kryen veprimtari kundërzbulimi brenda vendit për ruajtjen e integritetit të pavarësisë së rendit kushtetues.".
Pra, bën ndarje të qartë midis veprimtarisë së zbulimit dhe të kundërzbulimit.
Besojmë se këto janë të nevojshme për të bërë një dallim të qartë.
ILIR RUSMALI - Jam plotësisht dakord. Këto janë ndryshimet e vetme që ju i bëni nenit 3 të ligjit?
OERD BYLYKBASHI - Përmenda më parë edhe çështjen e terminologjisë "vetting", nëse mund ta shtojmë, sepse është terminologji shumë specifike, termi "vetting"…
ILIR RUSMALI - Jo, e lëmë më mirë. Neve do të na duhej një rrugë jashtë shtetit për ta perceptuar këtë gjë, nuk e bëjmë dot. Ju që jeni të shëtitur zgjidheni këtë punë.
Atëherë, ne e miratojmë nenin shtesë përpara nenit 1 të projektligjit dhe i sugjerojmë Komisionit për Sigurinë që të bëhet ky modifikim, sipas propozimeve që vijnë nga Shërbimi Informativ i Shtetit. Edhe pse e miratuam nenin 1 të projektligjit, miratojmë edhe sugjerimet shtesë, që vijnë përsëri nga Shërbimi Informativ i Shtetit, për paragrafin e parë dhe dy pikat e para të tij, shtesë mbi atë që është. Pastaj gjuha e të gjithë nenit do të përshtatet me dy pikat e para që na lexoi zoti Bylykbashi, sepse në qoftë se thuhet "mbledh" dhe jo "të mbledhë" do të jetë në të gjitha pikat "mbledh", "mbron", "zbaton". "mbështet" dhe "kryen".
Dakord e miratojmë këtë nen.
Ka propozim tjetër?
OERD BYLYKBASHI - Mendojmë se është propozim me vlerë, prandaj edhe e sugjerojmë, të ndryshohet edhe paragrafi i katërt i nenit 13.
ILIR RUSMALI - Mund të na e lexoni?
OERD BYLYKBASHI- "Punonjësit e SHISH-it për përmbushjen e detyrave në funksion të sigurimit kombëtar, kërkojnë informacion nga autoritetet shtetërore qendrore ose lokale dhe nga personat fizikë e juridikë, përfshirë edhe shfrytëzimin e regjistrave, bazave të të dhënave, dokumentacionit zyrtar, etj. Drejtuesit dhe punonjësit e autoriteteve shtetërore, personat juridikë dhe fizikë përmbushin kërkesat e punonjësve të autorizuar nga drejtori i SHISH-it. Në këto raste punonjësit e SHISH-it duhet të identifikohen duke paraqitur dokumentin zyrtar i identifikimit".
ILIR RUSMALI- Zëvendësohet ky paragraf me një paragraf më të detajuar dhe më të saktë. Dakord?
çfarë ndodh nëse personat fizikë e juridikë dhe autoritetet publike nuk përgjigjen?
OERD BYLYKBASHI- Praktikisht, për mos përmbushje të detyrimeve ligjore, përgjegjësia është e gjithsecilit.
ILIR RUSMALI- Dakord.
Ka propozim tjetër? Nuk ka.
Atëherë e miratojmë edhe këtë propozim.
Keni ndonjë gjë tjetër?
OERD BYLYKBASHI- Jo nuk kemi.
ILIR RUSMALI- Faleminderit, zoti Bylykbashi!
Për ne është kënaqësi që të plotësojmë kërkesat e Shërbimit Informativ Shtetëror lidhur me projektligjin. Ne i mbështesim këto kërkesa dhe i gjejmë ato racionale, ashtu siç gjejmë racionale të gjitha të rejat që sjell ky projektligj, të cilat janë të rëndësishme për përmirësimin e ligjit bazë.
Meqenëse e miratuam projektligjin nen për nen, e hedhim në votim në tërësi.
Kush është dakord me projektligjin? Kundër? Nuk ka. Abstenim? Nuk ka.
Miratohet.
Zoti Bylykbashi dhe zonja Hajdini, ju faleminderit që ishit në Komisionin e Ligjeve dhe na ndihmuat për shqyrtimin e këtij projektligji shumë të rëndësishëm dhe ju uroj punë të mbarë!
Të nderuar kolegë, ky ishte rendi i ditës për sot. Procedura në vijim është thjesht procedurë teknike, ju e bëni pa pasur nevojë për drejtimin e mbledhjes nga kryetari.
Ju faleminderit!
MBYLLET MBLEDHJA
Sekretar
Eduard Halimi
Përgjegjëse e sektorit të komisioneve parlamentare
Euzheni Pengili

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›