Pavarësia e Kosovës, Topalli: Egjipti, simpati për çështjen shqiptare
Kryetarja e Parlamentit, Jozefina Topalli ka vijuar vizitën në Egjipt me një takim me Kryeministrin e këtij vendi, Ahmed Nazif. Gjatë takimit me kreun e Qeverisë egjiptiane, Topalli u shpreh se takimet e nivelit të lartë forcojnë miqësinë dhe partneritetin mes dy vendeve. Kryetarja e Kuvendit bëri një paraqitje të shkurtër të ecurisë së reformave në Shqipëri dhe theksoi se Shqipëria është në një moment tepër të rëndësishëm për proceset integruese. "Anëtarësimi ynë në BE është qëllimi dhe motivimi ynë, që kërkon përmbushje detyrimesh dhe arritje standardesh. Plotësimi i më shumë se 97 % të përgjigjeve të pyetësorit të Komisionit Evropian, si dhe përmbushja e kushteve për liberalizimin e vizave, shënojnë hapa konkrete në këtë proces", theksoi Topalli. I interesuar për këtë bashkëpunimin ekonomik, Kryeministri Nazif, e njoftoi Topallin se ai po inkurajon ardhjen në Shqipëri, nga Dhoma e Tregtisë së Egjiptit, të një delegacioni biznesi gjatë muajit qershor. "Ky delegacion ka për mision të eksplorojë mundësitë për investime në Shqipëri", tha Nazif. Në një prononcim për mediat, në përfundim të takimit Kryeparlamentarja tha se Egjipti, i cili ende nuk e ka njohur Kosovën, e sheh me simpati çështjen shqiptare. "Kryeministri i Egjiptit u tregua shumë mirëkuptues dhe tha se "ne asnjëherë nuk kemi thënë se nuk do të njohim Pavarësinë e Kosovës. Ky është një proces". Fakti që ata e shohin me shumë simpati çështjen e shqiptarëve në përgjithësi dhe çështjen e Kosovës në veçanti, zhvillimet e fundit dhe qoftë edhe këto takime të zhvilluara orët e fundit, besoj shënojnë hapa të rëndësishëm drejt atyre objektivave që janë kaq themelore për ne shqiptarët. Unë mendoj se po avancohet mjaft mirë në drejtim të qëllimit tonë. Unë jam optimiste. E shoh me shumë optimizëm", tha Kryeparlamentarja. Gjatë ditës së dytë të vizitës në Egjipt, ajo u takua edhe me Ministrin e Jashtëm të këtij vendi, Ahmed Aboul Gheit.