E Shtunë, 31 Tetor 2026

Stresi financiar i qeverisë

Ervin Bushati

Qeveria është nën një stres financiar tashme të ndjeshëm, jo vetëm nga ekspertët e ekonomisë dhe të financave, por dhe nga publiku i vëmendshëm në këto ditë të vështira krize që lodh mendjet dhe zgjat durimin në pambarim. Ngërçi ekonomik, tashmë prezent prej kohësh në ekonominë shqiptare, bëhet me kërcënues kur garantuesi final i ekonomisë dhe financave, Qeveria nuk i ka punët në vijë dhe vihet në pikëpyetje kredibiliteti i saj financiar dhe politik. Në kontekstin e një krize rajonale që ka përfshirë kohët e fundit dhe fqinjin tonë jugor, situata bëhet akoma më e rënduar.
Për shkak të transmetimit të krizës globale nga sektori financiar në sektorin qeverisës, aftësitë paguese të shteteve ndaj borxhit sovran nuk janë sot në pikën më të lartë të kredibilitetit të tyre. Në fillim, qeveritë shpëtuan bankat dhe sistemin financiar nga kriza, por tani, janë ato vetë në provë. Shtetit i duhet të provojë se a është vetë aq i besueshëm si debitor, dhe njëkohësisht sa serioz është me menaxhimin e buxhetit të tij, si dhe me reformat për të përshëndoshur ekonominë kombëtare respektive.
Në metaforë, ekonomia mund të mendohet si një “trup i shëndetshëm” ashtu si mund të lëngojë dhe e “sëmurë”. Sot, Qeveria paraqet simptomat e qarta të një stresi financiar të rëndë. Pas dëmeve të mëdha të një viti elektoral, pas një buxheti të rishikuar “in continuum” pas nisjes së mbrapshtë me përmbytjet dhe me një kosto akoma të fshehur nga papërgjegjësitë qeverisëse që në fillim të këtij viti -Shqipëria është në dorën e një qeverie që rëndon gjendjen financiare të ekonomisë sonë të përbashkët.
Efektet e menjëhershme është një kosto më e lartë jetese, në ekonominë familjare për shkak te rënies së fuqisë blerëse nga të ardhurat më të pakta dhe çmimet më të larta në treg, që ndjekin rënien e lekut. Në një të ardhme më të afërt kjo situatë paraqet cenim serioz të stabilitetit financiar dhe parametrave makroekonomikë të ekonomisë sonë. Kjo në vijim do të transmetohet me ulje të konkurrueshmërisë dhe performancës së ekonomisë sonë gjatë periudhës së krizës, tashmë prezente, por dhe më vonë pasi të qartësohen situatat ekonomike rajonale dhe globale.
Shenja të pamohueshme të një vështirësie financiare në përkeqësim vijnë nga gjithë ekonomia nën trysni dhe nga vetë qeveria nën efektin ë një “labirinti” financiar. Simptomat kryesore janë:
-Reduktimi drastik i shpenzimeve publike
- Deficiti thellë buxhetor, me të ardhurat në rënie
- Fluturimi i borxhit kombëtar ndërkohe që përgjysmohet rritja ekonomike
- Privatizimet me ngut të pasurisë publike
-Ngrirja dhe braktisja e shumicës së investimeve publike në infrastrukturë,
- Amnistia fiskale rrufe, e pastudiuar dhe pa strukturë e rregulla
- Paniku nga kriza ekonomike etj.
Qeveria po bën akrobaci sa të dëshpëruara, aq dhe të rrezikshme për të mbushur arkën e saj, dramatikisht bosh. Deficiti lartë buxhetor, ndërsa ulen të ardhurat, përkeqëson kredibilitetin financiar në sytë e Komunitetit Ndërkombëtar, sidomos pas situatës së fundit në rajon: Kjo do të vështirësojë çdo tentativë huamarrjeje të re.
Arka e shpuar e Qeverisë nuk shlyen dot më detyrimet financiare të shtetit ndaj qytetarëve për nevojat e tyre, ashtu si nuk u përgjigjet dot financiarisht subjekteve private - duke i mos respektuar kontratat ligjore të lidhura. Me kredibilitetin e ulët mbi pastërtinë me financat publike, kombinuar dhe me një njollë të errët në historinë tonë financiare të vitit të mbrapshtë ’97, Qeveria shqiptare i ka hyre një rruge tatëpjete, në garantimin e financave publike ashtu si dhe në sigurimin e stabilitetit makroekonomik.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›