Kriza dhe qeveria struc
Kriza ekonomike që ka prekur botën, nuk e lë Shqipërinë jashtë trazirave të fundit, ndryshe nga sa duan ta paraqesin situatën qeveria dhe satelitë pranë saj. Qeveria shqiptare po luan së fundmi lojën e vjetër të strucit me kokën në rërë, duke mohuar rrezikun e përhapur në të gjitha ekonomitë që na rrethojnë, me të cilat kemi shkëmbime tregtare dhe financiare të konsiderueshme.
Nuk është realiste të vazhdosh të flasësh për skenarë euforikë të një zhvillimi dyshifror në Shqipëri, për më tepër kur ekonomia jonë, është tërësisht e hapur dhe pa një profil të balancuar. Në këto rrethana të qarta, stresi ekonomik është papërgjegjësi, të mos kuptosh, analizosh dhe të marrësh masa konkrete për të përballuar tronditjen që pritet të arrijë dhe në tregun tonë në një të ardhme të afërt. Qeveria mund të shikojë me optimizëm përpara, por gjithashtu, duhet të parashikojë dhe të planifikojë për rastet më pak fatlume.
Vendi ynë është, sot, i lidhur ngushtë me ekonominë globale për të gjitha arsyet që lidhin vendet e një tregu të lirë financiar dhe ekonomik me njëri-tjetrin. Për më tepër, dërgesat nga jashtë të emigrantëve dhe niveli i lartë i importit që karakterizon vendin tonë, e lidhin kordonin tonë ombelikal direkt me Europën. Një rënie e investimeve të biznesit, apo të dërgesave të emigrantëve nga jashtë tregut tonë, do të ndikonte direkt në të ardhurat dhe në mirëqenien e familjeve shqiptare.
Parashikimet më të fundit të FMN-së, OECD-së, BERZH-it dhe të shumicës së institucioneve financiare, janë në sinkron për një tkurrje të ndjeshme të ekonomive më të mëdha në Amerikë, Europë dhe Azi. Lajmet, çdo ditë flasin për një krizë ekonomike në rritje, pas asaj financiare që filloi të marrë formë këta muajt e fundit. Tkurrja ekonomike që do të pasojë këto zhvillime, është më e madhja që në vitet ’80, dhe akoma nuk ka marrë peshën e saj të vërtetë.
Skenarët aspak optimistë të këtyre organizmave dhe të shteteve të prekura, flasin për një ekonomi direkt të prekur nga kriza financiare, jo vetëm në vendet e pasura, por dhe për ato në zhvillim. Shumë nga këto vende po paraqesin skenarë të ardhshëm ekonomikë, për ndikimet që do të ketë kriza dhe si mund të ndërhyjnë qeveritë përkatëse për të amortizuar përplasjen e pashmangshme me krizën globale. Disa qeveri janë më aktive dhe disa po sillen më të ndrojtura, kushtëzuar kjo dhe nga potenciali ekonomik në dispozicion, sipas rasteve konkrete.
Në periudhën më të errët ekonomike në këta 30 vitet e fundit, po shohim lëvizje të koordinuara ndërkombëtare për të evituar rënie të nivelit të jetesës dhe rritje të shkallës së papunësisë. Mbledhjet e G20-tës në prani të FMN-së dhe Bankës Botërore, projektojnë përgjysmim të rritjes në ekonominë globale, dyfishim të deficitit buxhetor dhe paralajmërojnë rënie të nivelit të tregtisë mes vendeve të pasura dhe atyre në zhvillim. Ndërkohë, qeveria jonë, me një lëvizje paranoiake për momentin e vështirë që kalojmë, kërkon largimin e FMN-së nga supervizioni profesional i menaxhimit të fondeve publike në Shqipëri, aq më tepër, në një vit elektoral.
Në buxhetin e vitit 2009, janë parashikuar vetëm 25 euro për frymë, në rast turbullire financiare apo të një ngushtimi ekonomik. Këto fonde janë të pamjaftueshme,veçanërisht nëse shohim perspektivën e një borxhi të lartë tregtar, për të financuar projektet e pamatura të infrastrukturës rrugore. Kjo do ta bënte dhe më të vështirë gjendjen financiare të shtetit shqiptar për të marrë fonde shtesë, në rast krize ekonomike.
Vetëm në Shqipëri, jo vetëm që nuk është paraqitur një skenar shpëtimi, por në kundërshtim me çdo parashikim kompetent nga organe të certifikuara për studime ekonomike, qeveria sjell një pamje tërësisht optimiste dhe të pavend në këtë situatë. Paraqitja entuziaste e shtetit tonë, është përtej pritshmërive dhe aspak serioze në shifra dhe në përqasje. Natyrisht, kjo bën të dyshosh dhe në seriozitetin dhe efikasitetin e kësaj qeverisjeje, në rast të një krize ekonomike, të shkaktuar ose jo nga një vështirësi financiare.
Nuk është rasti për të dhënë alarmin, por nuk është as koha për të fshehur kokën si struci dhe të shohim dështime financiare “shqetësuese”, si ato që u manifestuan në vitin e mbrapshtë ‘97. Ato ngjarje nuk na bëjnë aspak imun apo më të fortë ndaj dallgës që pritet të prekë brigjet shqiptare, pavarësisht entuziazmit dhe sensit ireal që karakterizon qeveritë shqiptare në periudha të ndryshme dhe të përsëritura të historisë sonë. Një nuancë përsëritjeje e historisë, do të kthente kujtime dhe realitete të dhimbshme përsëri mes nesh, përveç se do të godiste rëndë ekonominë dhe besimin në forcën dhe vitalitetin e tregut të lirë, në hapat e tij të parë në Shqipëri.
*Autori është Nënsekretar për Programin në PS