E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nevoja për reflektim

E drejta e shoqërisë mbaron atje ku fillon e drejta e njeriut për jetë private të personalizuar. Të mos e harrojmë të kaluarën tonë. Vetëm shoqëria jonë totalitare dhe të tjera të ngjashme me të, mundën të mohojnë të drejtën e jetës private, duke krijuar njerëz me mendje dhe shpirt të robëruar, deri në skutat më të errëta të jetës intime. Skaneri i Cesllav Milloshit, në librin e tij “Mendja e robëruar”, është një interpretim elokuent i këtij realiteti makabër në shoqëritë e totalitarizmit komunist. Koha kërkon që të bëhemi më shumë qytetarë, të respektojmë standardet e jetës moderne, duke mos ndërhyrë në lumturinë, ëmbëlsinë apo hidhërimet e natyrshme të jetës familjare të të tjerëve.

Niveli shumë i lartë i fjalëve që qarkullojnë në shoqërinë tonë, në pamje të parë të krijon idenë e “epokës sociale të tronditur”. Në shoqërinë tonë ka një egoizëm social të shfrenuar, që vjen nga ideja e barazitarizmit populist, ka shpërthim të fjalëve, thashethemeve, shpifjeve, luftë verbale të të gjithëve kundër të gjithëve. Në këtë pikë duhet të reflektojmë të gjithë individualisht, por dhe institucionet e shtetit, të shtypit dhe medias, që kanë filluar ta zgjatin “teleskopin zbulues” në jetën private më shumë se sa është norma qytetëruese e jetës demokratike.

Liria e njeriut, e drejta e tij për jetë intime të pakontrolluar, nuk ka pse të shndërrohet në ankth që deformon të drejtën dhe liritë e njeriut për privaci në jetën intime. Shoqëritë që kanë sens të tepërt të ndërhyrjes në jetën private të njeriut, nga pikëpamja sociologjike konsiderohen me tregues të lartë të situatës së kalbëzimit të marrëdhënieve sociale. Jeta personale, thonë sociologët modernë, nuk është vetëm private, por ca më shumë ajo është “pohim dhe mohim i vazhduar i vetes”, në të cilën nuk ka punë as shoqëria, morali, zakonet etj. Nuk ka për të qenë normale dhe e qytetëruar shoqëria jonë, në se nuk ndërtojmë “kufirin social”, nëse nuk vendosim “parimin moral” të dallimit dhe të respektimit të jetës private, të fshehtësisë së jetës intime, tënde dhe të tjetrit.

Jeta private intime është një “humnerë personale” e njeriut të përveçëm, për të cilën shoqëria me parametra qytetarë, duhet të jetë indiferente. Sociologët kanë të drejtë që thonë, se në një shoqëri të qytetëruar, kur flasim për jetën private të tjetrit, duhet të jemi të matur, të kujdesshëm, të nderojmë privacinë.

Megjithatë, edhe personat publikë kanë përgjegjësi për përmasat e vulgaritetit social dhe mënyrat e realizimit dhe shfaqjes së jetës private në publik. Vërtet intimiteti është privat, por nuk është i mbyllur në vetvete, si një gjendje vegjetacioni pasiv, që nuk ndikon në sensibilitetin social të shoqërisë.

Privacinë e jetës së tyre intime, personat publikë të mos e përfytyrojnë si “gjendje e mbyllur”, e pavëzhguar nga askush tjetër. Kjo është e pamundur tashmë në shoqërinë tonë, që çdo ditë bëhet më moderne, e hapur, transparente.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›