Për një festë kombëtare dinjitoze
Më 28 nëntor të gjithë shqiptarët festojnë Ditën e Pavarësisë dhe të Flamurit. Një pjesë e tyre, në të njëjtën ditë, feston edhe festën e Çlirimit, pjesa e tjetër e feston një ditë më pas, me 29 nëntor. Këtë përvjetor të Pavarësisë, pra edhe ndarjes nga Perandoria Osmane dhe krijimit të shtetit të ri shqiptar, simbolikisht Turqia, pasardhëse e Perandorisë, ftoi kryetarin e shtetit shqiptar dhe votoi protokollin e anëtarësimit të Shqipërisë në Aleancën Euroatlantike. 96 vjet më parë, themeluesit e shtetit shqiptar shpallën ndarjen historike të shqiptarëve nga bota politike e gjeografike orientale, por siç shihet, pa kaluar një shekull jetë në shtetin e ri, një shtet simbol i orientit na mbështet politikisht për t’u bashkuar me botën perëndimore.
Pavarësisht këtyre dy paradokseve, të cilat gjithsesi nuk kanë lidhje me dy simbolet përbërëse të flamurit tonë kombëtar, festa e Pavarësisë dhe Flamurit përbën një moment krenarie, kujtese, nderimi dhe reflektimi. Çdo vit që kalon lartësohen në kujtesën tonë historike brezi i atyre burrave e grave që shënuan krijimin e shtetit shqiptar. Secili prej tyre, politikan apo shkrimtar, luftëtar apo personalitet vendas, ish-diplomat perandorie apo figurë fetare, bëri një akt të papërsëritshëm, të paçmueshëm, të pashembullt dhe përjetësisht të respektueshëm. Kjo madhështi e aktit të tyre ka bërë që, pavarësisht përpjekjeve të regjimeve të ndryshme për t’i denigruar, harruar, mënjanuar apo retushuar, ata kanë zënë vend në kujtesë dhe janë gjithnjë e më shumë pjesë e trajtesave profesionale të historiografisë shqiptare.
Formalisht, 96 vjet më pas, Shqipëria është shtet, një shtet evropian, që funksionon, që ecën, që po integrohet, që po zhvillohet. Po ashtu, Kosova është një shtet i ri, që po funksionon, po ecën, po integrohet dhe po zhvillohet. Edhe shqiptarët në Malin e Zi dhe Maqedoni, gjithashtu janë elementë thelbësorë të shteteve ku jetojnë, veprojnë institucionalisht brenda tyre dhe kanë përfaqësuesit e tyre legjitim në të gjitha nivelet e qeverisjes. Pra, statistikisht, 96 vjet pas pavarësisë dhe krijimit të shtetit shqiptar, shteti dhe shqiptarët kanë të bëjnë një bilanc pozitiv.
Pavarësia e një shteti funksionon dhe është jo vetëm statistikisht pozitive, kur ajo shoqërohet me një lloj tjetër pavarësie, ku më thelbësorja është pavarësia e individit. SHBA-ja feston 4 korrikun si dita e lirisë, kur shteti i tyre nisi të marrë udhë si shteti më demokratik në botë. Edhe shqiptarët duhet të kenë të njëjtin standard vlerësimi për pavarësinë, nëse ajo garanton liri dhe dinjitet, nëse ajo është maksimumi që mund të arrihej, nëse ajo ka ardhur për merita të brendshme apo rrethana të jashtme, nëse ajo funksionon për shkak të vullnetit të brendshëm apo presionit të jashtëm.
Sot, shoqëria shqiptare është komplekse, ku jetojnë shumëllojshmëri individësh me interesa dhe kushte jetese të ndryshme, me bindje dhe gjendje shoqërore të ndryshme. Por, të gjithë së bashku, duke parë veten në pasqyrën e së vërtetës, e ndjejmë se vendi ynë, shteti ynë, statuti ynë, janë ende larg atij modeli që aspiruan heronjtë e pavarësisë më 1912. Gjatë 96 viteve, ne provuam pa sukses mbretin e dhuruar nga Fuqitë e Mëdha, parlamentarizmin e brishtë, regjimin monarkist, pushtimin dhe më pas diktaturën më të ashpër në të gjithë kontinentin. Prej 18 vitesh ne kemi një sistem të ri politik, por që po ngrihet mbi / me rrënojat, mentalitetet, personazhet dhe gabimet e së kaluarës. Më 1992-shin, vendi i parë në Evropën Lindore që kërkonte zyrtarisht pranimin në NATO, sot jemi në listën e fundit të pranimeve, në të njëjtin nivel me shtete që kanë kaluar nga luftërat ndërshtetërore në luftërat civile.
Kur kemi suksese, flamurin e tyre e marrin zyrtarët e lartë dhe politikanët e partive. Sipas të njëjtës logjikë, kur kemi dështime, edhe meritën e tyre duhet ta marrin e njëjta kategori, gjë që praktikisht nuk ndodh. Parë në retrospektivë, nëse në vitet ‘12, apo ’20 Shqipëria kishte një elitë politike, të formuar në universitete e shoqëri perëndimore, 96 vjet më pas Shqipëria nuk ka më elitë, por një klasë politike të formuar, ashtu si të gjithë qytetarët në moshë të këtij vendi, në universitetet e një shoqërie totalitare e staliniste. Shqetësimi më i madh është se të njëjtit persona, të cilët marrin mandat qeverisës dhe keqqeverisin, përmes rregullave demokratike rimandatohen, riciklohen dhe rieksperimentojnë keqqeverisjen e radhës. Kurse qytetarët janë gjithnjë e më të detyruar të mos votojnë midis dy alternativave të mira, por midis një alternative të keqe dhe një edhe më të keqe.
Thënia se çdo popull ka qeverinë që meriton, mbetet e pranueshme nëse shohim se shumë prej tipareve negative të politikës, përfshirë korrupsionin, konfliktualitetin personal, mungesën e moralit dhe kulturës qytetare, rendjen pas propagandës, kujdesit më shumë për imazh sesa për punë, etj. Nëse lexohet më thellë, në raportet njerëzore të individit qytetar dhe individit politikan, të parët janë shumë më përpara sesa politika. Vetë rritja e refuzimit elektoral dhe e nivelit të bojkotit politik është shprehje e distancës në rritje midis dy grupimeve. Ndoshta do të ishte më mirë të thuhej se elita politike e viteve 1912 shkriu energjitë dhe pasurinë e tyre për të ndërtuar shtetin dhe bërë Shqipërinë, kurse klasa e sotme politike, vazhdimisht jep prova se është e prirur të përdorë të gjitha energjitë për t’u pasuruar në dëm të vendit, demokracisë dhe shtetit.
Pikërisht në kohë të tilla të krizës së identitetit politik, vjen ndërmend akuza e famshme e Faik Konicës, sipas të cilit Shqipëria u ngjall nga idealistët, u ruajt nga rastësisë, por ajo rrezikon të vritet nga politikanët.
Në kërkim të identitetit qytetar është edhe vetë shoqëria, madje edhe pjesa më publike e saj. Çdo ditë lexojmë dhe dëgjojmë njerëz me imazh publik, të cilët në emër të globalizmit, modernitetit apo injorancës, deklarojnë me mburrje mungesën e krenarisë dhe rëndësisë për identitetin kombëtar e shtetëror. Janë të shumtë politikanët dhe modernistët e radhës që nuk lënë auditor të huaj mediatik, zyrtar apo publik pa sulmuar, denigruar apo fyer pjesë të identitetit të vet kombëtar, përfshirë shtetin dhe pushtetin, si pjesë përbërëse të tij. Ne krenohemi me kujtimet e akteve të mëdha midis Ismail Qemalit e Isa Boletinit, por 96 vjet më pas, shteti amë shqiptar sillet ndaj Kosovës si ndaj një shteti çfarëdo në hartën botërore. Ca deklarata të thata, ca batuta mediatike, ca foto për arkiv mediatik e personal, përbëjnë gjithçka çfarë Tirana zyrtare bën për promovimin dhe mbrojtjen e interesave të Kosovës në botë, si pjesë thelbësore e interesave kombëtare të shtetit shqiptar. E njëjta dukuri përsëritet edhe në raport me shqiptarët në Maqedoni apo për problemin çam, për të cilin, Parlamenti shqiptar refuzoi (me konsensus të partive të mëdha) të miratojnë një rezolutë politike.
Edhe më shqetësuese është sjellja e munguar apo gjysmake ndaj simboleve të shtetit. 96 vjet më pas, klasa politike krenohet se më në fund do të kemi karta identiteti, pra do të kemi një dokument të besueshëm që vërteton qenien tonë qytetarë dhe shtetas shqiptarë. Të mësuar gjatë 9 dekadave të valëviten herë flamuj turq, italianë, jugosllavë, rusë, kinezë, etj., edhe sot, në zyrat politike shqiptare, por edhe në vende publike, prona private, etj., më shumë valëviten flamuj të shteteve të tjera, sesa flamuri kombëtar shqiptar.
Në një aspekt tjetër, duhet thënë se edhe në 96-vjetorin e pavarësisë, ende nuk kemi një adresë për varrezat ku ndodhen eshtrat e atyre që krijuan shtetin shqiptar, ende nuk pranojmë vlerësimin për meritat e barabarta për gjithsecilin personalitet, ende i ndajmë ata në të mirë dhe të këqij, ende nuk kemi përfshirë në tekstet mësimore emrat dhe biografitë e tyre. Madje, për shumë prej tyre, përfshirë edhe heroin kombëtar, Gjergj KastriotiSkënderbeu, vijojnë të gjenden historianë e avokatë të vonuar globalistë, që vënë në dyshim veprën kombëtare, emrin, identitetin dhe kombësinë e tij shqiptare.
Së fundi, ka një keqkuptim tjetër të madh, kësaj radhe ceremonial e zyrtar, për mënyrën sesi përkujtohet festa jonë kombëtare. Ende vijon të mos kujtohet se pavarësia, flamuri dhe shteti, nuk nderohen duke kryer ritet protokollare, ca kurora me lule artificiale tek varrezat, ca deklarata formale përpara mediave, ndonjë gotë shampanjë në darkë në pritjen zyrtare, apo ndonjë vizitë e modelit komunist me kamera televizive në ndonjë familje dëshmori. Një shtet serioz bën veprime serioze. E para, të mos e shohim festën kombëtare si ditë pushimi, por si ditë krenarie, nderimi e reflektimi. E dyta, t’u japim mundësinë qytetarëve të jenë pjesë e festës, vetëm jo shikues e dëgjues përpara mediave radiotelevizive, viktima të privatizimit të festës nga partitë politike e lidershipët e tyre. E treta, dhe më e rëndësishmja, festa e pavarësisë të përjetohet me të gjithë madhështinë që meriton. Sepse, të respektosh pavarësinë, flamurin dhe shtetin, sidomos kur je person i votuar apo emëruar publik e zyrtar, para së gjithash do të thotë që çdo orë dhe çdo ditë të mendosh sesi të kryesh një punë të mirë për vendin, dhe mbi të gjitha, ta kryesh këtë punë me një ndjenjë të qartë idealizmi dhe ndërgjegje qytetare.
* Ish-këshilltar i Presidentit Moisiu. Lektor i shkencave të politikës, UT