E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kriza dhe shtimi i monopoleve, PS-ja krijon Këshillin Ekonomik Kombëtar

Bordi do të bëjë oponencë në rang ekspertësh për të gjitha manipulimet ekonomike të qeverisë

Ervin KOÇI

Partia Socialiste ka krijuar dje një strukturë të re brenda saj, të quajtur Këshillit Ekonomik Kombëtar. Hetimi i treguesve të vërtetë ekonomikë dhe jo atyre që trumbetohen nga qeveria si të lartë dhe optimistë, do të jenë në qendër të punës së këtij bordi. Ai do të monitorojë punën e qeverisë, ku sipas socialistëve vendi pritet të vuajë pasojat e një krize ekonomike si pasojë e keqqeverisjes. Në tryezën e organizuar me ekspertët më të mirë të ekonomisë në selinë rozë, kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, duke bërë një panoramë reale të situatës aktuale ekonomike, akuzoi Ekzekutivin për mosmbajtje premtimesh, për mungesë transparence dhe manipulim shifrash. “Shifrat zyrtare janë pjesë e një mashtrimi publik, çështje shumë e mprehtë me të cilën ne do të merremi gjatë ditëve në vijim”, - deklaroi në fjalën e tij Rama. Sipas tij, përdorimi i buxhetit në mënyrë të dyshimtë dhe aspak transparente nga ana e institucioneve qeveritare lë të kuptosh se jemi në krizë, megjithëse kjo nuk pranohet aspak prej drejtuesve të tyre. “Gjendja e sipërmarrjes shumë e vështirë, me pengesa të jashtëzakonshme”, - vuri në dukje më tej kreu i Partisë Socialiste. E pikërisht, “për të studiuar edhe rrethin vicioz në të cilin është futur realisht ekonomia e vendit”, ai tha se është ngritur edhe Bordi Ekonomik në PS. “Situata ekonomike është mjaft shqetësuese, me tregues fiskalë mjaft emergjentë. Ndërsa tkurrja e rritjes ekonomike është një indikativ mjaft i dukshëm”,- tha Rama në fund të fjalës së tij, duke argumentuar në këtë mënyrë rëndësinë e këtij procesi. Kryetar i Këshillit Ekonomik Kombëtar u zgjodh Shkëlqim Cani, ndërsa sekretar Ervin Bushati.

Ekspertët
“Na dëgjoni kur flasim për krizën ekonomike aktuale se do të jetë shumë vonë pas 2 apo 5 vjetësh kur të kërkojmë të reagojmë ndaj saj”. Ky ka qenë apeli i bërë nga ish-guvernatori i BSH-së, Shkëlqim Cani, i emëruar në krye të Bordit Ekonomik të Partisë Socialiste dhe i prezantuar dje në tryezën e posaçme. Ish-guvernatori i BSH-së, Shkëlqim Cani, tha se ekonomia po vuan për shkak të paaftësisë së qeverisë dhe kapjes së shtetit. “Rreziku vjen nga kapja e shtetit dhe megakorrupsioni”,- deklaroi ish-guvernatori Cani. “Nuk ma më monopole, por megamonopol. Qeveria nuk ka më korrupsion, por kapje shteti”, - e ka komentuar situatën aktuale në të cilën gjendet vendi, ish-kreu i BSH-së. E, duke folur për institucionin që ka drejtuar nën qeverisjen socialiste, Cani tha se “Banka e Shqipërisë bën pirueta, një herë thotë disa shifra, një herë deklaron të tjera. Ajo bën pirueta edhe me shifrat e borxhit, pasi nuk jep shifrat reale të deficitit buxhetor”. Më pas ka shtuar se, përsa i përket rritjes ekonomike “kemi dëgjuar shifra nga 9-6 dhe deri në 3 për qind, po asnjëra prej tyre nuk është e vërtetë. Ndërsa sa i përket sistemit bankar, duhet thënë se kreditë e parregullta të tij janë rritur me tri herë. Kot flasim për korrupsion, është term i vjetër. Do të jetë vonë, pas dy ose pesë vjetëve do t’i kuptojnë të tëra këto që po themi, por do të jetë vonë. Ekonomia atëherë do të jetë në asfiksi, amulli, shpërfytyrim". Ai sqaroi se bankat kanë humbje për shkak të rënies së kreditimit dhe humbjes së lekut në treg, papunësia është në rritje dhe po shkatërrohen edhe treguesit makroekonomikë, të cilët nëse vazhdojnë në këtë rrugë, do t'i japin pasojat pas 2 ose 5 vjetësh”. Në fund ai ka parashtruar se zgjidhja e krizës ekonomike aktuale mbetet transparenca e vërtetë e shifrave dhe liberalizimi real i tregut në vend.

Aksioni politik
Aksioni politik i Partisë Socialiste sa i takon ekonomisë do të fokusohet te hetimi parlamentar dhe penal i dy çështjeve kryesore që lidhen edhe me shitjen e ish-hotel "Dajtit" dhe manipulimin, sipas drejtuesve të PS-së, të shifrave të INSTAT-it. Ndërsa deputeti Ilir Beqja, pasi bëri një rezyme të shifrave të deklaruara nga Instituti i Statistikave, hodhi dyshime për manipulimin e tyre. Sipas deputetëve që referuan në këtë tryezë, kriza e ka prekur në qelizë ekonominë shqiptare dhe në vend vazhdon të ketë parametra të çorientuar ekonomikë.

Shkurt///////////////////////////////////////
Meksi: “Rënia e PBB-së ka rritur deficitin dhe borxhin publik”

Deputetja e PS-së, njëkohësisht dhe kryetare e Komisionit të Integrimit në Kuvend, Ermelinda Meksi, tha dje gjatë mbledhjes së Këshillit Ekonomik Kombëtar se rënia e PBB-së rrit deficitin dhe borxhin publik. “Aftësia e politikëbërjes në këtë situatë nxori në pah një çështje jo vetëm shqiptare, që ka të bëjë me pasqyrimin e saktë të realitetit nga institucionet përkatëse për gjendjen reale të ekonomisë. Sepse tashmë është edhe dukuria greke, hungareze etj., por ndërsa aty, ndonëse vonë, janë bërë dhe po bëhen reflektimet e duhura, këtu ato nuk i shohim akoma. Rishikimin e buxhetit, të cilin prej mëse gjashtë muajsh po e kërkon opozita, tashmë e konsiderojmë një lëvizje të detyruar dhe të vonuar. Përvoja greke dhe ajo hungareze na mëson se mosnjohja e plotë e realitetit në kohë krijon kosto shtesë. Në rastin e Shqipërisë praktika e qeverisë që manipulon me faktet dhe shifrat e ekonomisë po krijon kosto shtesë për të. Duke mos njohur dhe reflektuar saktë realitetin, rriten premisat për ndërhyrje të gabuara nga politikëbërja. Cikli politik i buxhetit është qartësisht i dukshëm në qeveritë e Partisë Demokratike. Në mënyrën më të sintetizuar, filozofia e ciklit politik të buxhetit mund të përmblidhet në fjalën e Berishës që në vitin 1995, i cili thoshte: ‘… Çfarë do populli? Rrugë? Ujë? Shkolla? Do t’ia japim!’” - deklaroi deputetja Meksi.

Bushati: “Financimi i deficitit buxhetor nga bankat po bllokon biznesin”

Duke shprehur shqetësimin për gjendjen aktuale ekonomike, dje, në mbledhjen e Këshilli Ekonomik Kombëtar në Partinë Socialiste, sekretari i këtij këshilli, Ervin Bushati, theksoi se financimi i deficitit buxhetor të qeverisë nga bankat tregtare duke braktisur kredinë për biznesin vendas nuk ndihmon aspak veprimtarinë private në ekonomi. Bushati deklaroi se huamarrja e brendshme është në nivelin 260% të parashikimit për periudhën, ndërsa të ardhurat ekonomike për shqiptarët janë sa ¼ e mesatares europiane, duke mbetur përsëri vendi më i varfër në Europë. “’Barka e shpëtimit’, eurobondi famëmadh, është abandonuar për momentin. Etja e pamatë e shtetit për para shteron fondet e bankave për të dhënë kredi ndaj biznesit në vend. Sot është shteti ‘borxhliu i sëmurë’ që po infekton edhe sektorin privat, në një kthesë të rrezikshme të ekonomisë sonë”, - u shpreh Bushati. Ndërkaq, ai deklaroi se krimi ekonomik dhe korrupsioni e kanë marrë qeverinë u ka shkaktuar taksapaguesve një dëm prej 7.3 miliardë lekësh në 2009-n. “Kriza tashmë ka prekur qelizën bazë të shoqërisë shqiptare, ekonominë familjare. Çdo qytetar dëshmon sot rënie të fuqisë blerëse, nëpërmjet uljes buxhetit real në shtëpitë shqiptare dhe ngritje të çmimeve në mallrat e konsumit e në shërbime bazë ndaj familjeve”, - u shpreh Bushati.

28 Qershor 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›